Studio poeti
Agim Spahiu
Studio poeti
Një derë as mbyllur as çelur, lyer e palyer –
si dhëmbët e shqyer. Brenda mishmash, një
gjoja raft, ku librat si jetët ngjishen e
përbihen, kapërthehen, shqyen. Kanatet pa
xhama – si pa vargje kënga – hapur krah-e-
krah-skelete të bardhë… Dhe të tjerë libra
dhe të tjera jetë një mbi një përpjetë
shkojnë të akuzojnë qiellin
dhe retë!!
Dysheme e palarë me revista shpërndarë –
si koska kafshësh prehistorike: nofulla,
brinjë, dhëmbë… Të gjitha shtrirë, veç unë
në këmbë. Tavolinë mortore gjysmëmetrokatrore
nxirë rreth e rreth nga kokat e gozhdëve.
Një radio e shpuar si jetë e pushuar –
bardh-e-zi vrimat e butonëve si fytyrë
pa sy…
Asgjë s’pipëtin, nuk thërret për ndihmë,
veç sytë e poetit prishin qetësinë…
1990
Komente