Mitrush Kuteli
Nga Jovan Jano
Udhëve të e jetës…
Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli) lindi më 13 shtator të vitit 1907 në Pogradec. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, shkoi në Selanik ku përfundoi studimet e mesme në Shkollën Tregtare Rumune në vitet 1921 -1928. Studimet e larta i përfundoi në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, në vitet 1928 -1931. Vitin e parë të studimeve e ndoqi duke punuar njëkohësisht si llogaritar, pasi shteti shqiptar nuk i dha burse sepse ai që kur ishte në vitin e fundit të studimeve në Selanik kishte kritikuar ashpër në shtyp politikën ekonomike dhe monetare të shtetit shqiptar. Bursën ia dha më vonë shteti rumun, duke parë rezultatet e tij të larta. Gjatë kohës së qëndrimit në Rumani, Dhimitër Pasko punoi edhe në Ministrinë e Financave, si nëpunës i lartë, ku drejtoi dhe bankën e Cernëucit. Që në moshën 17 – vjeçare filloi të botojë, sidomos në shtypin shqiptar të Rumanisë, në gazetat “Shqipëria e re” dhe “Kosova”, që dilnin në Kostancë. Dhe shkrimet e tij flisnin për ngjarjet në Shqipëri, trajtonin probleme ekonomike dhe financiare të vendit.
Në moshën 27 – vjeçare mori Doktoratën në Shkencat Monetare dhe Bankare me vlerësimin më të lartë: “Diplomam Magnam Cum Laude”. Pasi mori doktoratën në vitin 1934, Dhimitër Pasko u angazhua si funksionar dhe arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë, duke iu përkushtuar ekskluzivisht kërkesave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike( sipas dëshmisë së shokut të tij të shkollës, Ionel Zeana, botuar tek “Flaka” më 12.07.1995.)
Gjatë vitit 1943 punoi pranë shoqërisë SASTEB. Është interesant fakti se në vitet e okupacionit, Dhimitër Paskon e etiketonin si “të kuq”; shtëpinë në Pogradec ia dogjën dhe babain ia vranë italianët?! Gjatë okupacionit gjerman punoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë si konsulent për çështje monetare. Kjo detyrë e çoi përsëri të përballej me Komandën Gjermane për shkak të emetimit të monedhës së re, që kërkonin të nxirrnin gjermanët në Shqipëri për të financuar ushtrinë e tyre. Kundërshtimi dhe sabotimi i kësaj monedhe i rrezikoi përsëri jetën. Kur gjermanët shkojnë ta arrestojnë në Bankë, ai doli nga një portë anësore dhe më pas shkoi në çetën partizane, në Priskë (Kuptohet pse nuk shkoi tek Balli Kombëtar?!).
Po të kishin nxjerrë monedhë të re, Shqipëria do të kish patur pasoja katastrofike si në të gjitha vendet e pushtuara nga gjermanët. Një pjesë të bankënotave dhe një pjesë të arit, për ta mbrojtur nga bastisjet e gjermanëve, drejtuesit e Bankës, mes tyre dhe Dhimitër Pasko, e kishin hequr nga thesari i madh dhe e kishin futur në thesarin e vogël. Një pjesë tjetër e kishin dërguar në thesarin e Durrësit. Këto shuma i mori në dorëzim më vonë Banka e re, Banka e Shtetit Shqiptar. Në nëntor të vitit 1944, Dhimitër Paskon e kërkuan në Berat, ku sapo ishte formuar Qeveria Demokratike e Shqipërisë e kryesuar nga gjeneral – kolonel, Enver Hoxha, ku punoi pranë Ministrisë së Financave. Personeli i kësaj ministrie në atë kohë përbëhej prej tre vetash: ministrit Ramadan Çitaku, sekretarit të Përgjithshëm, Qirjako Harito dhe këshilltarit për çështjet financiare e monetare, Dhimitër Pasko.
Më 27 nëntor u kthye në Tiranë dhe vazhdoi të punojë pranë asaj ministrie për hartimin e projekteve të para të ligjeve financiare, pra, të tatimeve të luftës dhe të shtetëzimit të Bankës. Pas hapjes së Bankës së Shtetit, u emërua drejtor në Drejtorinë Qendrore të saj dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Administrativ. Si drejtor Dhimitër Pasko dha idenë, organizoi dhe mori pjesë në operacionet e para financiare: vulosjen e monedhës së vjetër, emëtimin e ceqeve – monedhë për nevojat e para financiare etj. Kartmonedhat me firmën e tij ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. Në muajin gusht të vitit 1946 , dha dorëheqjen, pasi nuk pranoi parifikimin e monedhës shqiptare me monedhën jugosllave.
Nën influencën e jugosllavëve dhe të politikës radikale, që u ndoq pas çlirimit, klani projugosllav i asaj kohe e arrestojnë në muajin maj të vitit 1947 dhe e dënojnë me pesë vjet heqje lirie. Ai u dërgua në kampin e Vloçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. U lirua nga burgu në prill të vitit 1949. Që nga viti 1949, Dhimitër Pasko, i mbiquajtur Mitrush Kuteli, nuk u angazhua më me ekonomi, por u mor shumë pak me letërsi dhe më shumë punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”. Zëmra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj të vitit 1967.
…si shkrimtar…
Dhimitër Pasko është një nga personalitetet më të mira letrare, pse mos të themi se ai është babai i prozës realiste shqipe dhe zë një vend të merituar nga më të lartit në Historinë e Letërsisë Shqipe. Në letërsinë artistike njihet me shumë emra, por më i përdoruri njihet me emrin Mitrush Kuteli. Dhe ç’është e vërteta, ai në mënyrë të merituar e zë atë vend si një nga prozatorët më të mirë të letërsisë së brezit të vetë, pse jo edhe i të gjitha kohërave. Dhimitër Pasko ka një jetë të pasur letrare në shërbim të edukimit letrar të brezave të Shqipërisë. Ky personalitet i kulturës sonë nuk ka qenë vetëm krijuesi i tregimit të famshëm “Vjeshta e Xheladin Beut” apo autori i “Pesha e Mëkatit”, por është autor edhe i të tjera tregimeve – rrëfenja, si: “Netë Shqiptare”, “Ago Jakupi e të tjera rrëfime”, “Kapllan Aga i Shaban Shpatës”, “Pylli i Gështenjave”, “Xinxifilua”, “Tregime të Moçme Shqiptare”, “Baltë nga kjo tokë”, “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” etj.
Subjektet e veprave të tij e marrin temën nga realiteti, ku mbizotëron tema e kurbetit, ajo e marrëdhënieve midis shtresave të varfra dhe bejlerëve dhe tema e gjakmarrjes. Mitrush Kuteli ose Dhimitër Pasko ( dhe pseudonimet e tjera: Janus, J, Izedin Jashar Kutrulija, Iz, Iz – ja – ku, Lugati, M. Liqerasi), nuk ka qenë vetëm publicist kritik dhe antikonformist, por edhe një përrallëtar dhe përkthyes i mrekullueshëm. Ai na përktheu në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore nga Gogoli, Krillovi, Shcedrini, Turgenjevi deri tek tregimet e hershme të Gorkit, Ostrovski etj. Sipas profesorit të Universitetit të Tiranës dhe përkthyesit tone të mrekullueshëm, Jorgji Doksani, “Pasko ishte njeri i ditur e me kulturë të thellë. Kishte një talent të madh si krijues artistik dhe ishte origjinal në krijimtarinë artistike. Po ashtu ai ishte një lëvrues i mahnitshëm i gjuhës shqipe. Pas Fan Nolit, është përkthyesi më i mirë”. Ai ka meritën se hodhi bazat e një tregimtarie origjinale moderne në letërsinë shqiptare. Kuteli botoi për së gjalli 12 libra në fushën e letërsisë artistike ku edhe këtu shpaloset talenti dhe aftësia e tij krijuese si prozator, poet, folklorist, publicist, përrallëtar dhe kritik letrar. Dhimitër Pasko ose siç e njohin në letërsi, Mitrush Kuteli, njihte shumë mirë gjuhën rumune, ruse, greke, italiane dhe frënge.
…ekonomist i shquar…
Por mbi të gjitha Dhimitër Pasko ishte një specialist i shquar në fushën e financave. Më vjen mirë kur gazeta “Tirana Observer” boton herë pas here në një rubrikë të veçantë shkrime të të shkrimtarëve të viteve ’30, ku kam hasur edhe ato të Dhimitër Paskos. Njerëz të tillë duhet njohur se në një farë mënyre kanë hedhur bazat e kombit. Veç veprimtarisë ekonomike, të cilën e kam përmendur më sipër në këtë shkrim, Dhimitër Pasko ishte një ekonomist aktiv, shkencor dhe kritik. Ai në vitet 1924 – 1933 ka me dhetëra shkrime me karakter ekonomik dhe financiar në gjuhën shqipe e të huaj rreth monedhës, kreditit, reformës agrare, xhelepit, të dhjetave dhe sidomos kundër koncesioneve të dhëna kapitalit italian, Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP, që kish zënë tokat vajgurore të vendit dhe mbante monopolin e karburanteve në Shqipëri. Po ashtu në shkrimet e tij, Dhimitër Pasko godiste dhe dilte kundër dhënies me qira të çifligjeve për 99 vjet, ndërmarrjeve italiane, që synonin kolonizimin e Shqipërisë.
Një artikull interesant ka qenë edhe shkrimi mbi Krizën e koronës argjend në Shqipëri dhe mbi humbjet që pësoi populli shqiptar nga kjo krizë e shkaktuar nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. Duhet theksuar se ky shkrim u botua si kryeartikull në gazetën “Telegraf” më 1927. Më 1933 botoi në Rumani broshurën: “Tri probleme me Bankën Kombëtare të Shqipërisë”. Kjo broshurë u konfiskua në Shqipëri, por hyri dhe qarkulloi fshehtazi dorë më dorë. Gazeta “Liria Kombëtare” e Gjenevës e komentoi gjerë. Në vitet 1943 – 44 botoi në shtypin shqiptar një sërë artikujsh ekonomikë dhe financiarë, të cilët synonin luftën kundër inflacionit monetar (nxjerrjes së monedhës së re), që donin të bënin pushtuesit gjermanë. Në gjuhën rumune, Dhimitër Pasko ka botuar 16 libra dhe broshura të ndryshme sidomos mbi problemet e monedhës dhe të kreditit në Ballkan, mes të cilëve:
Mendime mbi Krizën Agrare në Rumani. (Bukuresht 1932, faqe102). Kjo vepër fitoi çmimin e parë në një konkurs dhe u botua më parë në “Buletini i Ministrisë së Bujqësisë”të Rumanisë dhe pastaj si libër më vete; “Huarat me forcë mbi qarkullimin e monedhës” (botuar më 1933 nga Instituti Ekonomik Rumun); Bankat Bujqësore të vendeve të Ballkanit” (viti 1934, broshurë); “Sistemet e Bankave të emisionit të vendeve të Ballkanit, ku përfshihen bankat turke, bullgare, greke, jugosllave, shqiptare, tezë për doktoratë, botuar më 1933, faqe 302; “Banka Kombëtare e Shqipërisë”, faqe 122, që u komentua gjerësisht në shtypin rumun e të huaj.
Dhimitër Pasko në mënyrë profetike shkruan gjithashtu “për tokat e braktisura nga banorët e saj të Myzeqesë, Vlorës dhe Korçës…Po ashtu bën kritikë se në tokat e liruara dhe në shumë qendra të tjera konsumohen prodhime të monopolist bullgar si cigare, shkrepëse, letra cigaresh, kripë etj., të sjella me kontrabandë. “Kësisoj – shkruan ai – ne i paguajmë shtetit bullgar taksa konsumi të afta, në vend që t’ia paguajmë shtetit shqiptar. Duhet thënë se mjaft parashikime të Paskos të thëna para 65 vjetësh, janë aktuale sot.
Jeta jo shumë e gjatë dhe veprimtaria krijuese e Dhimitër Paskos, me privacione dhe dëshpërime, e bëjnë atë një figurë të dashur e të paharruar dhe krijimtarinë tij një nga më të çmuarat në fondin e artë të kulturës shqiptare. Ai më 4 maj mbush 101 vjetorin e lindjes. Le të jetë ky shkrim një homazh modest në emër të të gjithë njerëzve të letrave dhe specialistëve të ekonomisë, financave dhe bankave, që e kanë atë idhull dhe përulen para emrit dhe veprës së tij.
Komente