Dritëro Agolli
Dritëro Agolli
Lindi në Menkulas të Devollit. Pas përfundimeve të mësimeve në vendlindje, vazhdoi studimet në gjìmnazin e Gjirokastrës. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i titujve të ndryshÇm letrarë. Disa prej veprave të tij janë përkthyer në disa gjuhë. Në veprën e Agollit u pasqyrua gjerësisht bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë. Përvoja e tij krijuese bëri që të ndryshohej rrënjësisht tradita e vjershërimit shqip. Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Agolli krijoi poezinë e “un-it”, përkundër poezisë së “ne-ve”, që shkruhej “për të bashkuar masat”. Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij. Në prozën e tij Agolli solli risi në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata janë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.
Disa nga veprat e Dritëro Agollit
Në rrugë dolla,
Hapat e mia në asfalt,
Zhurma e erërave të dikurshme,
Shtigje malesh dhe trotuare,
Mesditë,
Komisari Memo, roman,
Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, roman
Nënë Shqipëri,
Njeriu me top,
Fjala gdhend gurin,
Trëndafili në gotë, roman,
Fytyra e dytë, dramë
Mosha e bardhë, dramë
Udhëtoj i menduar,
Njeriu i mirë, tregime
Kalorësi lakuriq, roman
Komente