ATHINA, KY DIELL i PIKËLLUAR
ATHINA,
KY DIELL i PIKËLLUAR
Ese
Pirro Loli
“Në këtë qiell që zvogëlohet për ditë secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Duhet ta kërkojmë njeriun, gjithkund ku mund të jetë “
…Faleminderit , Jorgo Seferis, faleminderit, poet !…Por ti e di, unë s’e kapërcej dot ngërçin që më mbetet në fyt, kur, andej nga ana jote, ma vënë në dyshim origjinën, kulturën, universitetin, akademinë, këngën e madhe të popullit tim, historinë, vatrën, kombin…Po ta them, unë e kam frikë edhe ksenofobinë time. Më duhet ta kapërdij vetveten si ngërç se shpërfillja e, aq më tepër, urrejtja ndaj të tjerëve janë më të dukshme tek i vogli dhe tek i varfëri…
…”Njeriu që kalon masën, duhet të ndëshkohet nga erimitë- ka thënë dhe Herakliti- As dielli nuk e kapërcen masën, ndryshe ndërhyjnë erinitë, zbatuese të së drejtës “…
… E, nëse kërkoni një model, letërsia dhe arti grek, na ndriçojnë rrugët për të gjetur njeriun e bukur…
MREKULLIA E ATHINES
Do t’ia vlente që të gjitha bibliotekat të mbanin në ballor fytyrën e Pisistratit të lashtë të Athinës, 600 vjet (p.e re). Ky sundimtar i mençur dha urdhër që të mblidheshin e të shkruheshin veprat e Homerit, që deri atëhere qarkullonin vetëm gojarisht. Këtu nis “Mbrekullia e Athines”,(term i përdorur nga eseisti I famshëm austriak Karl Poperi, cituar nga A. Plasari te “letersia dhe muret, f.13). Mrekullia i kish dhënë shenjat që me Solonin, që drejtoi Athinën me dorë të butë, që e ngriti artin e udhëheqjes mbi bazën e drejtpeshimit të interesave. Ai ishte dhe poeti i parë i Athinës dhe e nxiti poezinë duke e mbrojtur me ligje të veçanta… Pisistrati në fronin e tij, do vinte të gjithe pasurinë(dhe një minierë argjendi) për zhvillimin e kulturës. Ky e endi fillin e mbrekullisë duke organizuar festivalet, panairet, konkurset, shfaqjet e tragjedive si vatra edukimi. “Iliada dhe Odijesja”- siç dëshmon dhe Ciceroni – prej Pisistratit do të qarkullonin si libra të veçantë, duke e bërë kështu redaktorin dhe botuesin e parë në botë. Këto akte, filluar 2600 vjet më parë, do ta cilësonin Athinën si kryeqytetin e kultures që në fillesa e do të kishin pasoja shkëlqimtare në historinë e qyteterimit botëror. Nuk është e rastit që në Athinën e asaj kohe do të “shpikeshin” arti dhe letërsia, estetika, tragjedia, do merrte hov filozofia e do vendosnin gurë themeli të gjitha disiplinat shkencore si matematika, gjeometria, astronomia, mjekësia, fizika, arkitektura etj. Nuk është e rastit që çdo degë e dijes njerëzore ka në themele emrat e grekëve të mëdhenj si Homeri, Platoni, Aristoteli, Thalesi, Herodoti, Pitagora, për të mos përmendur poetët e medhenj të tragjedive të pavdekshme; nuk është e rastit që, gjenia pelazgjike, zbulimet e mëdha të njerëzimit i pagëzoi në gjuhën greqishte, si një nga gjuhët më të vjetra e më të pasura në botë, që dhe sot mbetet bazë e etimologjisë për shumë gjuhë të cilat kanë preferuar të mbajnë terminologjinë e zbulimeve fillestare; nuk është e rastit që, falë gjuhës së shkruar greke, kudo që shkelte elementi grek, do linte monumentet e veta, arkitekturën, stilin, gjuhën në krejt bregun perëndimor të Adriatikut, në shumë qytete të Ilirisë, Epirit deri lart në brigjet dalmate e domosdo në Azinë e Vogel, Egjipt, Persi, Irak, Siri, Indi etj, fakt, që edhe sot, mendesia aventureske e politikanëve dritshkurtër, apo historianëve miopë,, pretendon vulën e një qenësie të lashtë autoktone.
Une nuk e di nëse këto mbrekulli rezultuan në kryembrekullinë greke, Demokracinë, apo kjo shtroi shtratin e një zhvillimi të paparë të dijeve njerëzore. Karl Poperi, shkakun e mbrekullise athiniote, e kërkon te takimi i kulturave të ndryshme, te qarkullimi universal i vlerave. (Platoni dëshmon se që në vitin 399(p.e) në Athinë kish lulëzuar tregu i librit. Dhe nuk ka dyshin se kjo tregeti dijesh kish filluar me Pisistratin). Deshira e grekëve për librin, fillimisht një grup i vogël, që u quajtën helenë, nxiti shkrim leximin masiv. Libri, kjo zgjidhje gjeniale në qarkullimin e vlerave, lindi konceptin për shkrimtarin dhe lexuesin e mirëfilltë. Ky shtrat i ngritur kulturor u bë shkas që helenet(greket e mësuar) të ngrinin godinën e parë të demokracisë, që edhe sot, pas 2500 vjetësh mbetet aspiratë e mbarë njerëzimit. Studjuesit kanë të drejtë që këmbëngulin në qarkullimin e vlerave dhe rëndësinë e përkthimeve. “Ky fill të shpie lehtësisht nga Homeri te Dantja, nga Bibla te Karpentieri, nga Gilgameshi te Fausti…nga Eskili te O`Nili..”(f.16)…Ne nga Homeri rrjedhin që të gjithë…
BIZANTI, MBREKULLIA E ZHBËRË
Mendësia shqiptare në lidhje me Bizantin është e paplotë, në mos e gabuar. Ajo nuk e ka parë këtë si një nga kulturat madhështore në dijet njerëzore. Reduktimi i këtij qyteterimi vetëm në lidhje me ikonat kishtare, mozaikët e famshem anë e kënd Evropës, luftrat e brendëshme, përçarjet fetare, obskurantizmin etj, është vetëm një pjesë e pamjes, rrjedhimisht, këndvështrim i porovinces së tejme të tij, nga ku drita vinte e përthyer e nga ku, falë xhelozisë greke dominuese, raca ime shqiptare, fitoi shumë më pak se të tjerat. Ose aspak.
Sipas Ougust Bajit, 1000 vjetet e Bizantit(395-1453) me kulturën greke në epiqendër, janë epoka e një qyteterimi të paparë. Në thelb, gjithë këta shekuj u bënë edukatoret e botës perëndimore, zbuluan krejt botën shpirtërore të Lindjes, ndihmuan jo vetëm në mbarë Evropën, por edhe në Azi e Afrikë. Në kuptimin figurativ, Bizanti u bë pushtues i botës si Aleksandri i Madh dhe elementi grek, duke rilindur mbrekullinë e parë athiniote e romake, njëkohesisht, ndërtoi një supermaci fantaziste aristokrate me vezullime mbresëlënëse, pa i shpëtuar hegjemonizmit dhe diktatit lindor që, më pas do rritej i frikshëm dhe do bëhej shkak i rrëzimit të vevetes. Roli i perandorit u shndërrua në idhull me sovranitet absolut. Ai trashëgoi ,jo vetem imperiumin romak, por dhe despotizmin skajor të Lindjes. Kjo bëri dukshëm të pranueshëm luftën dhe intrigat për pushtet, atë luftë të hipjes e të zbritjes së dhjetra perandorëve, që nga shkëlqimi marramendës, falë aftësive të një Kostandini(me origjinë shqiptare), të një Justiniani (edhe ky me origjinë shqiptare), a të një Theodhosi, deri në greminat e dhjetra të tjereve që përfundonin me prerje kokash. Për dhjetë shekuj perandoria romake e Lindjes mbeti vatra kryesore e qyteterimit, që nuk e arriti askush. Njohja e kristianizmit ligjërisht dhe braktisja graduale e Romës, faktikisht e zëvendsuan qytetin e Remit e të Romulit me Kostandinopojën, fillimisht, pa e prishur ekuilibrin e botes kristiane. Kostandinopoja u bë qyteti më madhor , një qytet kështjellë rrethuar me tri shtresa muri (10 m. të lartë)e përbrenda me arkitekturën dhe urbanistikën më moderne të kohës. Atje u grumbullua e u përpunua ari i tre kontinenteve, aq sa shpesh me flori blihej paqja e kjo nxiti xhelozi të panumërta të grup popujve të fuqishëm e barbarë, njeri prej të cilëve, turku, do ta kthente në gërmadha.
Bizanti ishte një qyteterim , produkt i kryqëzimit të kulturave, ndërtuar edhe mbi bazen e parimeve të asgjesimit të vetvetes, por ndikimet evropiane të Bizantit, kryesisht u dukën në fushën e artit. Nga shek.V deri XII, ai u bë jo vetëm kështjellë e kristianizmit, por edhe udhërrëfyes estetik i perëndimit. Pasojat më të ndritshme të Kostandinopojës do të ndiheshin në Itali e Francë, sidomos në Romë, Ravenë, Napoli, Venetik e Firencë. Mozaikët e famshëm të Ravenës, Shën Vitalit, Apolonit, ansamblet e paarritshme dekorative të mjeshtërve të Lindjes, frymëzimi tronditës i këtij arti që ndërtoi mauzoleumin e Gala Plaçidios, zbukurimi mahnitës i qindra kishve, Toriçeli me kryeveprat e bazileut, Venetiku me flakadanin aq misterioz të Shën Markut, monumentet e shumta në Romë, Palermo, Monreal, Cefalu, Grata Ferrata…etj. janë vetëm disa nga mbrekullitë artit bizantin. Pararilindasit e mëdhenj Cimabu, Ducio, Xhoto etj, kanë pirë në burimet e asaj kulture. Në parim, Perëndimi i detyrohet shumë mësuesit të vet dhe jo vetëm në art, por dhe si frymëzues i mendimit, kulturës unike, jurispopdencës justiniane. Ishte ky prioritet në shumë fusha që sollën edhe dominimin helen në krahina e popuj të shumtë mesdhetarë. Rilindja e më vonshme evropiane gjeti mbështetje të gjithanshme në humanizmin dhe erudicionin lindor. Filozofë, gjuhëtarë, profesorë të helenizmit, do kontribuonin në universitetin e Kostandinopojës, nga më të famshmit në fushën e dijes e të kulturës, që do ta ruante traditën e shkollave lindore, nga më të fuqishmet në botë, edhe në kohët e vona. Prej këtyre jehonave do të lindte mbrekullia tjetër, në Firencen latine këtë herë, që do të bëhej nderi i kontinentit evropian. Shkëlqimi i ri me “il dolçe stil nuova”, do të niste me Kavalkantin e do pasohej me gjenialitetet e Dantes e Petrarkës në poezi, me Bokaçion në prozë, me Xhoton në pikturë e Makiavelin në politikë…
* * *
Rënia e Bizantit(1453), sipas Dukasit, është një nga katastrofat e njerëzimit. E çuditshme nuk është vetëm barbarizmi i katërqind mijë trupave osmane, që e rrethuan dhe e shkatërruan metropolin e artë të Bizantit, por (?!) divergjencat me kishën perëndimore të Romës. Mbi këtë përçarje, të pabesët, të komanduar nga Muhameti i dytë, kryen mbi qytet masakra kanibaleske. Drama nuk është vetëm te shëmbja e pashmangshme, por ajo e mosbashkimit me Romën. Pikërisht kjo solli ngadhnjimin turk dhe rrukullisjen pa kthim të perandorisë… Perandori Kostandini XI u vra si ushtar dhe koka e tij u ngul në një shtyllë. Perla e botës, Shën Sofia, u mbush me kufoma e u kthye në kasaphanë, të gjithë funksionarët e lartë u masakruan, grekët e të gjitha moshave të lidhur me zinxhirë u dërguan si skllevër në Adrianopojë, kishat u kthyen në xhami, Krishti ra e thirrjet “allah, allah” si dallgë deti përmbytën brigjet e dy kontinenteve. Evropa shtangu nga tmerri dhe ashtu e ndarë diametralisht me të kundërta lindje-perëndim, nuk ishte e aftë të luante as gishtin ndaj krimit të përbindshëm që bënë barbarët ndaj vlerave të saj mijra vjeçare. Disfata e kristianizmit qe e llahtarshme e autori i shquar i saj, Dukasi, rënkon e drithërohet kur shkruan : “O Zot, përse na braktise kështu?! Dridhu diell, dhe ti ,o tokë.!. Dhe vajto rrënimin e kombit tonë, që Zoti ,me drejtësinë e tij, ka urdhëruar si ndëshkim për mëkatet tona.” (O.Bajl, “Perandoria e Bizantit”,f.270)
HIJET
Sa më të larta të jenë pallatet aq më të larta, të rënda e të terrta janë dhe hijet. Qytetërimet e mëdha ngërthehen në kontrakdita të pashmangshme deri sa vjen një kohë e rrëzohen. Shumica bijen nga vetvetja. Roma ra kur u bë më provinciale se provincat dhe Athina, gjithashtu. Të dyja mbrekullitë greke, e Athinës dhe e Kostandinopojës, ndërsa nuk mohohet influenca e trashëgimitë pozitive të së parës ndaj Bizantit, përbëjnë dhe një kundërshti të egër, papajtueshmërinë e përgjakshme të demokracisë së lashtë e paganizmit pagan me Kristianizmin orthodhoks. Këtë kundërshti do ta ruante të pakëputur vetëdija mijëvjeçare greke, duke u munduar, artificialisht, ta mbajë të parën si dekor, duke montuar monoteizmin kristian me politeizmin.
Që në kohën e mbretërimit të Teodosit të Madh(395), kur mbretiria e Romës u nda midis dy djemve të tij, Arkadit për të sunduar në Lindje dhe Honorit në Perëndim, në fakt, nisi të hendekësohej Lindja me Perëndimin, hendek që do të vinte gjithmonë duke u thelluar dhe duke mohuar dhe urat lidhëse që kishin përbërë shtyllat e perandorisë. Uniteti fetar i këtij qytetërimi ishte vetëm një iluzion e do përfundonte deri në shfaqje gjakatare të Perëndimit ndaj Lindjes. Dukuria e grindjeve fetare, përçarjet, do të percipitonin deri në luftra civile. Stërhollimet e sofizmit grek, obskurantizmi, fondamentalizmi orthodhoks i dogmave fetare, do ta grryenin perandorinë sistematikisht, do ulnin fuqinë mbrojtëse ndaj fiseve barbare aq të shumtë e të fuqishëm si gotët, ostrogotët hunët, visigotët deri tek sllavët dhe turqit. Bizanti, i ngopur me lavdi të tepëruar, me hundën e florinjtë gjithnjë përpjetë, i shkëputi lidhjet bazale me papatin duke u bërë një perandori e pavarur greko-lindore. Në fakt perëndimi i shkajti nga dora Bizantit. Nëpër shekuj kjo do ravijëzonte në horizontin lindor rritjen e Rusisë bizantine si shtet i fuqishëm, problem ky, që edhe pse perandoria otomane do ishte i vetmi pushtues potencial, Rusia, në sfondin e tejmë lindor, do ishte frikë dhe kërcënim i vazhdueshëm. Flirtimet e vazhdueshme të Rusisë me vende të veçanta evropiane, do shtonin përçarjet e do bënin që asnjëherë vendet evropiane të mos ishin në një mendje edhe ndaj armiqve të përbashkët. Bazileu II i dha motrën(Anën) princit rus Vladimir, me kusht që populli rus të pranonte krishtërimin orthodhoks. Rusia e pranoi këtë. Kjo përbën ngjarjen më të madhe të hegjemonizmit bizantin, por nxiti dhe xhelozitë ruse për të zënë vend qendror në Lindje.
Perandoria lindore do të regjistronte në historinë e saj edhe krime përçudnime të racës njerëzore, si prerje kokash, varje, tortura, gjymtime, të shoqëruara me dinakrira, tradhëti të tipit bizantin. Tipike në kohën e Justinianit II(dhe ky përfundoi kokëprerë) është urdhëri i bazileut të II, (1014), që pesëmbëdhjet mijë bullgarëve t’u nxirreshin sytë.(vetëm 150 prej tyre shpëtuan me një sy). Nga ky fakt lindi termi bullgarokton e kjo na kujton një farë Thanasi, tiran në Janinë, që para se t’i vriste shqiptarët, mbushte shporta me sy e me veshë të tyre e për meritë, u quajt shqiptarokton. Bizanti ra nga kundërshtitë e brendëshme. (Sic bien të gjitha qytetërimet, sic ra dhe komunizmi, nisur si shpëtim për popujt dhe katandisur si katastrofë njerëzore) Në sintezë , historia e tij u trondit nga 65 revolucione, nga 107 perandorë, abdiguan 65, të cilët u mbytën, u qorruan, u gjymtuan, u torturuan me tredhje, çarje barku e koka të prera.
Gremina e Bizantit nisi kur turqit selxhukë pushtuan Azinë e Vogël (1010) e kur më 1076 depërtuan në Jeruzalem dhe përdhosën vendet e shenjta. Perandoria nuk ishte e zonja ta mbronte krishtërimin kundër islamit sepse ishte e përçarë pikpamjesh diametrlisht të kundërta, aq sa, si dhe turku, perëndimi u lëshua kundër Lindjes, me preteksin e pushtimit të vendeve të shenjta, duke shfryrë të gjithë urrejtjen e mbledhur kundër Bizantit, me thirrjet emocionale “Zoti na kërkon”. Nga 1100-a, dallgë dallgë deri më 1450, me katër kryqëzata gjakatare , në fakt, Evropa ndëshkoi barbarisht Azinë. Gremina kish nisur më parë brenda vetvetes me gabime trashanike në unitetin Lindje –Perëndim, deri në aktin final(kryqëzata e tretë, prill, 1204), kur forcat e perëndimit pushtuan Bizantin, duke e bastisur e përdhunuar forcërisht, aq sa, me të drejtë shumë analistë thonë se, dita e vdekjes së Perandorisë, nuk është 1453-i nga turqit, por rrënimi i Kostandinopojës nga latinët.
DOMINIMI KULTUROR
Dominimi kulturor është kështjella më solide e një race, fisi, kombi apo shteti, jo vetëm kur sundon si qytetërim, por edhe në pozitën e të pushtuarit si viktimë. Qytetërimi nuk është vetëm zhvillim ekonomik, që edhe mund të rrënohet nga pushtuesi, por është dhe mendësi, kulturë, gjuhë e kultivuar, letërsi, art, arkitekturë, libra, këngë, valle, veshje. E këto nuk i rrëzon dot as shpata e plumbi e zjarri. Këtu grekët, falë gjuhës së tyre të shkruar, kanë qenë prioritarë e jo më kot, romakët thanë se kur pushtuan Athinën(në kuptimin kulturor), njëkohësisht ishin të pushtuar prej saj. Grekët, më saktë filologjia greke, dominuan në mendimin filozofik, shkencor dhe artistik, dhe jo babilonasit e lashtë që, gjithashtu, kishin arritje dhe vëzhgime me interes, sepse, mbi të gjitha atje mungonte regjimi politik demokratik, si dukuria më progresiste e prodhimit dhe e shpërndarjes. Metafora greke në sferën e kulturës e mundi metaforën mesopotame. Partenoni grek, simboli i kësaj kulture, është plot dritë dhe me atë arkitekturë fantastike, çliron ndjenjën qiellore të lirisë. Kjo e bën të pakrahasueshëm me piramidat e Lindjes, që, megjithse, arkitekturë e çuditshme dhe enigmatike, e ngushtojnë shpirtin e njeriut, sepse arti i tyre simbolizon tiraninë e keopsëve dhe shehlerëve të botës arabe. Liria athiniote pranonte kudo diskutimin dhe kundërshtimin alternativ, si burim zhvillimi në të gjitha fushat.
* * *
Demokracia lindi jo në Greqinë gadishullore, por në ishuj, në qytetet bregdetare të Azisë së Vogël, në Milet, Efest etj., ku u fuqizua tregëtia e ku qytetërimi grek ra në piktakime me qytetërime të tjerë, aq sa portat e Mesdheut u bënë një botë kozmopolite, ngushtësisht e kryqëzuar me kultura të tjera. Greqia dijti të thithte gjithçka progresiste e vazhdimisht plotësonte vetveten.(Thalesi, psh., shkencëtari i zbulimeve të mëdha shkencore ishte nga Mileti, po gjithë bota e di grek. (Edhe në kohën e Bizantit, më të shquarit perandorë, kanë qenë jo grekë, por falë dominimit helen, u bënë më grekë se grekët kulturalisht. Si Aleksandri i Madh. E kjo nuk flet për dobësi të tyre). Greqia gadishullore, më stoike ndaj gjakut të përzier, gjithashtu ka meritën e madhe, madje dominuese, sepse trashëgoi, thithi, mbrojti e zhvilloi më tej qytetërimin e kryqëzimeve duke marrë gjithçka progresiste për ta bërë të vetën, por dhe djep kulture për të gjithë. Eshtë mbresëlënës psh, kryqëzimi i kulturës helene me atë hebraike sidomos në Aleksandri, qyet madhështor, ngopur që në fillesa me helenizëm.
Ky kryqëzim progresist do të krijonte neoplatonizmin dhe krejt vizionin filozofik të krishtërimit. Ishte një marrveshje e lashtë midis fjalës dhe botës, logosit dhe logjikës, ku mendimi do të synonte majat e dijes njerëzore.
Kultura të pushton edhe kur je pushtues. Supermacia qëndron në arsenalin e armëve shpirtërore, gjuhës së kultivuar, artit, kulturës, shkollës, fesë. Kështjellat e kulturës greke edhe kur u zvenitën e u mbuluan me tymra lufte, nuk ranë kurrë edhe nëpër tatëpjeta historike, kur qindra herë u pushtuan nga invazione, ushtëri barbarësh, perandori militare, që pas linin shkatërrime e gërmadha, e natyrisht, monumente të përmbysur. Grekët, megjithse historikisht pakicë relative, dominonin kulturalisht edhe të pushtuar sepse ishin të sprovuar që në fillesa në të gjitha fushat e jetës. Ata, edhe kur i shërbenin pushtuesit, persit apo turkut, deri në kameleonizëm, shpirtërisht i përçmonin ata si barbarë. Që ta shtypësh e ta shfarosësh gjuhën dhe kulturën e një populli duhet të dominosh mbi gjuhën dhe kulturën e viktimiës. Edhe kur u shkatërrua Bizanti nën kthetrat e turqve, të pabesët, u detyruan ta pranonin greqishten si gjuhë të dytë zyrtare. Grekët (skllevër, tashmë) do fitonin konçesione të shumta, ku do të ruhej esenca e kulturës greke e prej së cilës, do të përfitonte vetë tirania osmane. Bizanti bashkonte e hante kufijtë në metropolet e Evropës, Azisë e Afrikës me helenizmin kristian, me jehonat gjithnjë të gjalla të Athinës, Aleksandrisë, Kostandinopojës, ishujve etj. Nënshartesa e lashtë, Mbrekullia e Athinës, shekulli i artë i Perikliut, megjithse kishte rënë, gati njëmijë vjet para Krishtit, do rezistonte si trung diellor nënshartesor me ndikime të një lavdie të merituar. Kjo nënshartesë, shartuar tashmë me kulturën e orientit, do bëhej pjesë përbërëse e psiqiës së shumë popujve evropianë, do përhapej edhe si hegjemoni kulturore e së bashku me trashëgiminë romake, do t’i vinte vulën identitetit kristian të Evropës mbarë, e një vulë plotësisht të merituar artit bazal botëror. Bizanti s’mund të fshihej nga kujtesa e popujve, jo vetëm grek e lindorë, veçanërisht për arritjet në fushën e artit. Pati epoka, sidomos nën mbretërimin e dinastisë maqedhone, që u bënë vatra të kulturës më të lartë botërore, që të kujton Rilindjen e mëpastajme. Pati perandorë si Bazili I ose Leoni VI, që jo vetëm e admironin artin dhe diturinë, por qenë edhe vetë poetë, filozofë, teologë e kështu krijuan hapësira të gjera për letërsinë e artin. Bumi i botimeve enciklopedike e periodike, programet e universiteteve, me epiqendër klasikët e lashtë grekë, angazhuan mijra krijues, poetë historianë, oratorë, filozofë që dhe sot përbëjnë proteinat e dijes dhe artit modern.
* * *
( Me dominimin kulturor mundohem të justifikoj edhe asimilimin e arvanitëve tepërtej Greqisë. Të ardhur para qindra vjetësh nga Iliria dhe Epiri, por dhe të mirëthirrur si ushtarë e bujq, ata u bënë nikoqirë nëpër troje të buta e vazhdimisht luftëtarë të zot. Në një hapësirë kohe të gjatë ata krijuan edhe dominime, dhe, falë një mercenarizmi e renegatizmi shqiptar aventuror, i pranuan privilegjet, por gradualisht erdhën duke u asimiluar nga dominimi i kulturës vendase. Rezistenca e gjatë në gjuhë, zakone, këngë e valle e veshje, në jetën shpirtërore e matriale, vërtet tregon një racë vitale, por tashmë përbën vetëm një rudiment. Veç së tjerash tregon edhe atë, se nuk ka kurrfarë rëndësie origjina e farës, qoftë kjo edhe elitare, por mbi çdo lloj specjeje detirminojnë kushtet e jetesës, toka, ajri e dielli, e kultivimi i interesave të qenijes dhe ekzistencës. Metropoli kulturor grek, i thithi pakicat, jo duke i zhdukur, por duke i bërë si veten, duke u besuar edhe poste të rëndësishme në shtet, presidentë, kryeministra e ministra, e shefa të rëndësishëm në ekonomi, ushtëri, kulturë e art. E , po t’i lëmë mënjanë “patriotizmat” tona, e “të drejtat njërëzore e universale të pakicave mbushur plot me spekulime” që propagandon, jo pa hipokrizi Evropa, ligjësia e dominimeve ekzistenciale, bëhet e pranueshme dhe faktike. Pjesa njësohet me të tërën në një bashkësi harmonike duke i kapërcyer ngërçet historike të identitetit e origjinës. Pjesa jep e merr me të tërën e, në fakt, ndikon, fuqishëm në të, por në fund është e detyruar të asimilohet. Kështu ka ndodhur kudo. Paçka se kjo ardhata arbëreshe, ndoshta ka meritën se më shumë ka dhënë se ka marrë, deri në njësim me të tërën, e tani, duke zgjedhur heshtjen. Ose një qenie vitale nën hirin genocidist…
* * *
Reflekse të demokracisë athiniote u ruajtën edhe në gollet historike, kur kjo u bë fiktive, ose si e të tjerëve në Ballkan e më tej. Kushtet historike, kryqëzimi i erërave të fuqishme të Lindjes e të Perëndimit, do ta zbehnin dritën greke dhe, kur retë e terrta, do të tërhiqeshin, do të linin bloza të përhershme në qiell. Shekulli IXX-të, kur do të krijoheshin kombet, sidomos në Ballkan, do ta mbërthenin çdo vend me ngërçin e identitetit, në dëm të identitetit të të tjerëve. Mendoj se nacionalizmi apo ksenofobia, nuk është vetëm pasojë e dehjeve të vjetra prioritare për Greqinë, as i forcës dhe i pretendimeve sllave në veri të gadishullit, por dhe refleks i nacionalizmit dhe ksenofobisë evropiane, sidomos, franceze, angleze, austrohungareze, ruse etj., që në mënyra të ndryshme do flirtonin kur me një e kur me tjetrin vënd ballkanik, gjithnjë në dëm të vendeve të tjera. Nacionalizmi i të voglit është më i egër. Dhe unë kam më frikë ksenofobinë time se të të tjerëve ndaj meje. Partenogjeneza e kombit, me të drejta “historike” mbi historinë dhe kufinjtë e të tjerëve, ka sjëllë , jo vetëm falsifikime në histori , por në Ballkan, ka prodhuar urrejtje reciproke dhe konflikte permanente. Ky është shtrati i megalomanëve të vegjël, që ka lindur ide hegjemoniste të pabaza e lakmi të parealizuara, e jo një herë është bërë shkak i konfrontimeve ushtarake. Pikërisht këtë duhet të harrojnë tashmë të gjithë popujt e Ballkanit. E kjo harresë është dhe shfaqje e qytetërimit ballkanik ose e gadishullit më poetik të Evropës.
* * *
…E sidoqoftë, maja e çdo qytetërimi, përcaktohet nga maja ku e shpie artin dhe poezinë. Poetët dhe artistët bëhen ndërgjegje njerëzore, ndaj e kemi lehtë të themi se Homeri, Eskili, Sofokliu… , Ricosi, Seferi, Elioti e dhjetra të tjerë, janë tejpërtej e gjithë Greqia. Ndërgjegje e trazuar dhe përgjegjësi, krenari për rrezet e diellit dhe dallgët e detit(kulturor) të kombit të tyre, por dhe dhimbje, dhimbje e thellë, e pse jo dhe turpi, që shoqëron tatëpjetat e qytetërimeve…
Ne nga Homeri rrjedhim që të gjithë…
lolipiro1945@gmail.com
Komente