Zhuliana Jorganxhi

 

zhuliana Jorganxhi

zhuliana Jorganxhi

Brezi i ri sot, ka nevojë të ushqehet me të bukurën, të moralshmen…

Intervistë me Poeten Zhuliana Jorganxhi Nga Pierr P. Simsia

Kishte kaluar një periudhë e gjatë kohe, 21 vjetë, që nuk isha parë me miken, “motrën”, poeten tonë të talentuar, “Mbretëreshën” e Teksteve të Këngëve të Muzikës Shqiptare … Zhuliana Jorganxhi.
Shpesh herë ndjeja boshllëk në shpirt dhe, për të shuar sado pak mallin gjatë këtyre viteve që jetojmë në largësi nga njëri-tjetri, nga miqtë dhe shokët, të afërmit tanë edhe pse shpesh herë kam shpërndarë në forume të ndryshme në Internet tekstet e këngëve të krijuara nëpër vite nga poetja jonë, përsëri diçka më ngacmonte brenda shpirtit tim.
Doja të shkruaja për Zhulianën tonë, të madhen poete të talentuar me një karrierë të pasur krijuese dyzet vjeçare dhe për çudi, pena, vargjet, rreshtat më dukeshin pak, shumë pak, të vegjël, përpara talentit, shpirtit, vargut të saj të thjeshtë, të ëmbël, të fuqishëm, të dalë nga shpirti i saj i pasur poetik…………..
Ashtu e gjeta poeten tonë të qeshur, të dashur, në Triesten e bukur ku ajo jeton prej vitesh… Edhe pse vitet dhe mosha bëjnë të tyren, fisnikëria, thjeshtësia, dashuria për mikun dhe shokun, kultura e saj e lartë, trashëgim nga familja e saj, vazhdojnë të jenë pjesë e pandarë shoqëruese e jetës së poetes.
Vargu i saj poetik vazhdon akoma të dalë nga shpirti i saj dhe të rrjedhë lirshëm në buzët e saja.
Kujtuam vargje dhe tekste të pafundme këngësh të krijuara nëpër vite nga ajo dhe kolegët e saj.
E lindur dhe e rritur në një familje intelektuale artistësh, në një qytet, djep i Kulturës së Lashtë Shqiptarë, në Korçën e bukur dhe të ftohtë, në qytetin e serenatave dhe blireve, në qytetin e rrugicave të pastra të shtruara me kalldrëm, nuk kishte si të ndodhte ndryshe; edhe Zhuliana do të vazhdonte të ecte në udhën e ndritur dhe të bukur të artit.
Ajo, me krijimtarinë e saj të pasur letrare ka lënë emrin e saj të artë në Letërsinë Shqiptare, bashkë me poetë të tjerë të sukseshëm dhe të vlerësuar si: Agim Shehu, Xhevahir Spahiu, Fatos Harapi, Dionis Bubani, Lirim Deda, Sadik Bejko, Jorgo Papingji, i ndjeri Alqi Boshnjaku, .
Brezi i rinisë i viteve 70-të-80-të i kujtohet edhe sot emri i poetes Zhuliana Jorganxhi, këngët e bukura që Ajo na dhuroi për vite e vite me radhë. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, përsëri ato këngë e ruajnë thjeshtësinë, madhështinë, bukurinë, freskinë…, ashtu siç është edhe vetë shpirti i poetes sonë të madhe.
Me një karrierë të pasur krijuese mbi dyzetë vjeçare poetja Jorganxhi e suksesshme, e vlerësuar, e nderuar me çmime të ndryshme, ku numri i teksteve të këngëve është afërsisht 2000 (dymijë) e meriton të quhet “Mbretëresha e Teksteve të Muzikës Shqiptare”
Faleminderit poetja jonë Zhuliana Jorganxhi
Ju uroj jetë të gjatë, shëndet dhe lumturi, dritë dhe mbarësi të keni përherë.

Poetja e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi

Intervistë me Poeten Zhuliana Jorganxhi

Intervistoi
Pierre-Pandeli Simsia

1) Poete, si e gjetët veten tuaj në poezi, duke qenë se Ju vini nga familje artistësh, babai juaj, i ndjeri Gaqo Jorganxhi, këngëtar, Artist i Merituar dhe motra juaj Rozmari, këngëtare lirike, Mjeshtre Kori?

Si e gjeta unë veten time në poezi? Vërtet jam lindur dhe rritur në një familje me tradita të hershme artistike, të cilat vijnë që nga stërgjyshi im nga babai, vazhduan pastaj tek xhaxhallarët e mi, njëri prej të cilëve Ice Jorganxhi ka qene flautist në “Bandën e Lirisë” që në vitin 1909 dhe më vonë ai së bashku me xhaxhain tjetër Aleksin kanë qenë anëtarë të bandës muzikore “Vatra”. Ati im, Gaqo Jorganxhi “Artist i Merituar” nuk iu nda këngës për 65 vjet deri sa mbylli sytë. Vëllai im i madh Rikardi është dirigjent simfonik dhe kompozitor. Motra siç thatë dhe ju më lart, Rozmaria është dirigjentja e parë shqiptare e korit dhe mexosoprano, që për gati 30 vjet ka kënduar në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë dhe më vonë këndoi për 10 vjet në Teatrin e Operës “Xhuzepe Verdi” në Trieste (1993-2003). E rritur pra, në këtë mjedis artitik s’kishte sesi që unë të mbetesha jashtë. Studiova 10 vjet pianoforte dhe pak kitarë, por në rininë time të hershme më erdhi frymëzimi poetik më trokiti në zemër dhe shpirt dhe unë u dhashë e gjitha pas poezisë. Për këtë them se, ka ndikuar shumë nëna ime Natali, e cila ishte një grua me kulturrë të gjerë, sepse kishte mbaruar gjimnazin grek. Ajo lexonte shumë gjer në pleqërinë e saj të thellë 85 vjeçare. Njihte shumë mirë gjithë autorët e letësisë së lashtë greke, filozofët dhe letërsinë e re greke dhe atë ndërkombëtare të përkthyer në këtë gjuhë dhe në gjuhën tonë

2) Cilës moshë tuajën i përket poezia juaj e parë që keni shkruar? Nëse ju kujtohet titulli dhe disa nga vargjet e saj.

Poezia e parë që kam shkruar ka qenë një lirikë dashurie “Mirëseerdhe dashuri!”. Natyrisht kjo ka qenë si të thuash nga belbëzimet e mia të para në rrugën e vështirë dhe të bukur të poezisë. Ajo së bashku me një poezi tjetër me titull “Përse?!” u botua në gazetën “Drita” më 28 qershor 1964 kur unë ende s’kisha mbushur të 18 vjetët.
Mbaj mend disa vargje të kësaj poezie:
Ti erdhe pa pyetur dhe me rrëmbim
Buçite fort. “Unë jam dashuria!”
Ti e gjete naiv shpirtin tim
Ndaj dhe m’i dehe gjithë ëndërrat e mia

3) Jeni autore e shumë teksteve të këngëve të Muzikës Shqiptare; në cilin festival kënge keni qenë pjesëmarrëse si autore teksti për herë të parë?

Për herë të parë kam marrë pjesë në festivalin e 8-të të këngës në Radio, se atëhere festivali jepej vetëm në Radio. Isha ende studente dhe kënga titullohej “Nëntori” me muzikë të veteranit të muzikës sonë dhe mikut të atit tim,“Artistit të Popullit” Gaqo Avrazi, e kënduar nga Ramiz Kovaçi “Artist i Popullit” dhe Zihni Dino. Ajo këngë fitoi atëhere çmimin e tretë.

4) Nga Festivali i 8-të i Këngës ju keni pasur një shkëputje prej pesë vjetësh, për t’u rikthyer përsëri në Fest. e 13-të me këngën fituese të çmimit të parë “Vajzat e fshatit tim”. Pse ajo shkëputje dhe ai rikthim?

Nuk them se jam shkëputur nga kënga, se kam marrë pjesë herëpashere nëpër anketat e muajit në Radio, por në atë periudhë unë kam punuar si gazetare pranë revistës “Shqiptarja e Re” dhe puna si gazetare më zinte shumë kohë, pasi më duhej të shkoja anembanë Shqipërisë. Nuk kam lënë qytet dhe fshat pa shkelur vetëm në Tropojë dhe Përmet nuk kam qenë.

5) Pa u shkëputur nga ai festival, pra i 13-ti; si ndodhi bashkëpunimi juaj me kompozitorin Enver Shëngjergji për të na dhënë atë këngë aq të bukur, të thjeshtë, që u pëlqye shumë dhe u popullorizua?

Rikthimi im në festivalin e këngës në Radiotelevizion u bë fare rastësisht. Zonja Liri Çeli, nëndrejtoreshë e Radios në atë kohë më ftoi në Radio dhe më tha se kompozitori Enver Shëngjergji kishte një këngë që kishte mbetur pa tekst. Unë u takova me kompozitorin në një nga studiot e Radios dhe sapo ai më luajti këngën e tij në piano unë kam krijuar shumë shpejt tekstin. As gjysëm ore s’na u desh për atë bashkëpunim. Kënga ishte e thjeshtë dhe shumë e bukur, e ngritur mbi fymën popullore. Pastaj mos të harrojmë interpretimin e shkëlqyer të së madhes Alida Hisku, që me zërin e saj bilbil rrëmbeu zemrat e gjithë artdashësve tanë. Atë këngë mbaj mend e këndoi dhe këngëtari tjetër Petrit Dobjani, që dhe ai i dha këngës një ngjyrë tjetër interpretimi. Pas fitimit të çmimit të parë me këtë këngë unë fillova punën si redaktore letrare pranë redaksisë së Krijimtarisë dhe Inçizimeve muzikore në Radiotelevizion.

6) Jeni bashkautore në shumë këngë me kompozitorë të ndryshëm si: Enver Shëngjergji, Agim Krajka, Kujtim Laro, Agim Prodani, Alfons Balliçi, Limoz Dizdari… Si ka qenë ai bashkëpunim, j’u kërkonin ata juve tekste këngësh, apo i zgjidhnit Ju vetë kompozitorët për t’u dhënë tekstet tuaja?

Asnjëherë nuk ka ndodhur të kem “zgjedhur” unë kompozitorin. Gjithmonë kanë ardhur kompozitorët tek unë. Unë kam bashkëpunuar me plejada të tëra kompozitorësh, numeri i të cilëve arrin gati 100. Gjithmonë kam punuar mbi muzikën e krijuar nga kompozitori.

7) Në Festivalin e 16-të të këngës në RTV. keni qenë bashkautore teksti me poetin Robert Shvarc në këngën “Gonxhe në Pemën e Lirisë”, ku edhe keni fituar çmimin e parë. Si ndodhi ai bashkëpunim midis dy poetëve të mirënjohur Jorganxhi-Shvarc?

Kam qenë dhe jam shumë e nderuar dhe e lumtur që kam bashkëpunuar me mikun tim të shtrenjtë dhe të ndritur, me poetin, princin e përkthimit Robert Shvarc. Ai kishte arritur të krijonte disa vargje nga strofa e parë dhe refreni dhe kërkoi si të thuash “ndihmën” time. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer, sepse muzika ishte krijuar nga i shumëtalentuari Limoz Dizdari “Artis i Merituar” dhe do këndohej nga e madhërishmja Vaçe Zela “Nderi i Kombit dhe këngëtarja atëhere e re Shpresa Spaho. Nuk e harroj atë bashkëpunim, se kemi punuar deri në orët e vona të natës dhe tekstin e kam mbaruar pastaj të nesërmen duke punuar në shkallët e Teatrit të Operës dhe Baletit, se nuk gjenim dot një dhomë të lirë… Pas tre ditësh ishte Festivali!

8) Në aktivitetet e ndryshme të këngës nëpër vite shumë herë këngët me tekstet e këngëve të krijuara nga Ju janë vlerësuar me çmimin e parë. Si jeni ndjerë pas atyre sukseseve?

Kam fituar shtatë çmime të para nëpër festivale dhe katër çmime të para në konceritn “Kur vjen Pranvera”, duke lënë mënjanë çmimet e para në festivalet nëpër rrethe, në ato për fëmijë dhe Koncertet e Majit. Natyrisht çdo sukses e kënaq artistin dhe i shton forca për të ardhmen.

9) Është folur, se disa tekste i kaloheshin autorësisë një tjetri poet. Juve ju ka ndodhur një gjë e tillë, nëse është e vërtetë kjo që them, pra teksi i shkruar nga Ju t’i ketë kaluar një tjetër autori.

Duke qenë redaktore letrare natyrisht që kam falur vargje dhe pse jo edhe tekste, të cilat kanë marrë çmime nganjëherë dhe të para. Por, nuk dua t’i përmend autorët sepse janë miqtë e mi të mirë.

10) Për shumë vite keni punuar Redaktore Letrare në Radio Tirana. Dihet, të punoje në atë kohë në Radio ishte një punë me shumë përgjegjësi, sepse çdo gjë udhëzohej dhe komandohej nga partia pushtet. Mund të na thoni diçka, ndonjë kujtim rreth atyre viteve si redaktore letrare?

Mbi brezin tim u ushtrua një trysni e tmerrshme, që e kishte emrin çensurë. Por, më e tmerrshme se kjo ishte autoçensura që kërkonte ta deformonte shpirtin e artistit. Derisa tekstet i nënshtroheshin një kontrolli si ai i organizatave të partisë të Rtvsh, Komitetit Qendror në Sektorin e shtypit, Kryeministrisë, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Ministrisë së Kulturës, Komitetit të Partisë së rrethit, komitetit të Rajonit të partisë që i përkiste Rtvsh, mendoni se ç’hiqja unë si redaktore letrare. Prish e ndreq gjithë ditën deri në orët e vona të natës, duke punuar për muaj të tërë deri 12 orë në ditë! Nisej teksti për lulediellin, bëhej pastaj për vjelëset e pambukut dhe përfundonte për një brigadë në hidrocentralin e Komanit!…
11) Si i kujton sot poetja Zhuliana punën e ngjeshur si redaktore letrare në prag të çdo festivali kënge të çdo fundviti?
Vërtet ka qenë një cfilitje për mua, por megjithatë ajo punë më ka dhënë kaq miq të mirë kompozitorë dhe poetë sa unë atë punë s’do ta ndërroja me asnjë!

12) Në fundin e viteve 80-të keni pasur një bashkëpunim të shkëlqyer dhe të suksesshëm me nipin tuaj, kompozitorin Gjergj Leka, këngë të cilat u vlerësuan me çmime të ndryshme dhe që sot e ruajnë freskinë e atyre viteve. Na thoni diçka, ju lutem, rreth atyre kujtimeve të atyre viteve.

Gjergji i përkiste atij brezi që solli një frymë të re dhe shumë të bukur në muzikë. Me Gjergjin ishte dhe Ardit Gjebrea, Valentin Veizi, Edmon Zhulali,Shpëtim Saraçi etj. Fryma që ata sollën ishte një fllad në muzikën e atyre viteve. Ata sikur e parathanë atë që do të ndodhte në dhjetor të 1990.
Gjergjin e kisha si të thuash rritur vetë. Kishte krijuar këngën e parë që 11 vjeç. Kur Gjergji ishte 12-13 vjeç fitoi çmimin e parë në Anketën e Muajit. Ai më kishte si të thuash në shtëpi dhe rastiste që i vinte frymëzimi në mesnatës dhe rrinim punonim gjer në të gdhirë për tekstin. Kënga “Në duart e nënës” u krijua shumë shpejt. Gjergji kishte krijuar muzikën dhe më tha: “Dua këtë këngë t’ja kushtoj Mamit (motrës sime Rozmarisë), se ti e di unë ia kam ngrënë shpirtin me “prapësitë” e mia qysh kur kam qenë fëmijë.” Se Gjergji ka qenë gjithmonë një rebel dhe më duket se ashtu ka mbetur. Kështu u krijua ai tekst, por aty s’është vetëm Gjergji që flet, jam dhe unë, ne të gjithë fëmijët e nënave tona, se nuk bësoj që ka fëmijë mos t’ja ketë thyer qoftë dhe njëherë zemrën nënës së tij. Ndaj unë shkrova vargjet. “dhe veten qortova të zënë në gabime, zemrën kur ta theva, o e shtrenjta ime!” Ta dini sa letra kanë ardhur në atë kohë në redaksi, me mijëra dhe nga njerëz të moshave të ndryshme! Ajo u interpretua në mënyrë të shkëlqyer dhe plot ndjenjë nga këngëtari i mirënjohur Bashkim Alibali.Po kështu dhe kënga “Bashkëmoshatarëve”, që dhe kjo fitoi çmimin e parë në koncertin “Kur vjen Pranvera” ishte ideja e Gjergjit. Ishte koha kur në kufi vriteshin të rinjtë shqiptarë. Natyrisht ne nuk mund të dilnim hapur në atë kohë, por mjaftojnë vargjet “Më thotë gjaku mos harro moshatarët që nga plumbat bijen, është ky gjak o trëndafil lirie…” Edhe kjo këngë u këndua shkëlqyeshëm, plot pasion nga këngëtarja e mirënjohur Parashqevi Simaku.
Me Gjergjin kam punuar për shumë këngë. Mund të bëhen 20 dhe më shumë, se siç iu thashë ai me kishte në shtëpi. Por, si me Gjergjin dhe me moshatarët e tij si Arditi, Shpëtimi etj unë kam ndjerë një kënaqësi të veçantë dhe vargjet më dilnin shpejt dhe nga shpirti. Ishin dhe janë vërtet të talentuar.

13) Kënga “Në duart e nënës”, për të cilën folët, u këndua në Koncertin e Pranverës në Prill 1985. Pa kaluar shumë kohë, në Festivalin e Dhjetorit të po atij viti, Ju së bashku me Gjergjin na sollët këngën tjetër të shkëlqyer “Për ty baba”, vargjet e së cilës fillojnë: “Ndodhi sot, që nga dridhja e dorës tënde, të këndoj baba/ ajo dorë, sa herë më fali ledhatim, o i mirë baba…/
Ka edhe kjo këngë ndonjë kujtim të saj, siç folët më sipër për këngën “Në duart e nënës”?

Këtë herë idenë na i dha kunati im, babai i Gjergjit, Kostandini. “Për babain, tha ai nuk është kënduar ndonjëherë, kurse nënës i kanë kënduar shpesh, sikur të krijonit një këngë për ne baballarët këtë herë…”, na tha ai dhe unë me Gjergjin ia filluam punës. Ai krijoi në fillim strofën. Unë kisha krijuar pak më parë një poezi për atin tim, të cilin e kisha botuar në gazetën “Drita”. Mbi vargjet e saj ndërtova strofën, por rastisi që në 2 nëntor 1985, ati im ra sëmurë nga një grip dhe kënga ende nuk ishte mbaruar. Gjergjit çuditërisht nuk po gjente dot refrenin që ai dëshëronte. Erdhi takoi atin tim dhe u trishtua sepse shëndeti i tij kishte fillua të rëndohej. Pashë Gjergjin të përlotej. Im atë e donte atë shumë, sepse ishte nipi i tij i parë dhe mbi të gjitha ishte ai që po vazhdonte traditën muzikore të familjes sonë dhe Gjergji ishte i lidhur ngushtë me të. Sa herë kishte marrë nga ai motive të ndryshme popullore ose qytetare! Edhe im atë gëzohej kur shikonte që Gjergji po bënte emër si muzikant i talentuar.
I thashë babait atë ditë, se Gjergji po krijonte një këngë për të dhe si tani më kujtohet këshillla që i dha: “E dua të jetë këngë e shtruar, melodioze , jo nga ato me xhik-xhik, do me thënë ritmike.”
Të nesërmen Gjergji kishte arritur të krijonte refrenin. Ai refren mbante dhimbje. Pas tri ditësh, duke u gdhirë 10 nëntor 1985, ati im mbylli sytë përgjithëmonë. Kënga doli në festivalin e atij viti, por fatkeqësisht ati im nuk arriti ta dëgjonte dhe ky është një nga pengjet e mia për të. Me gjithë atë them se kam hequr një peng me atë këngë. Sa herë e dëgjoj të kënduar me aq ndjenjë nga Bashkim Alibali përlotem. Në tekstin e asaj këngë, si dhe tek ai “Në duart e nënës” kam vënë shpirtin tim prej bije, kam shprehur dashurinë dhe respektin tim të përjetshëm për ata prindër, që për mua kanë qenë dhe janë si ëngjëj mbarojtës.
Oh, sa të dua, s’e thotë dot asnjë fjalë,
Në çdo rrudhë mbi ballë,
Në çdo thinjë të bardhë
Dhe meraku për mua rri.
Me hapin tënd un’ hodha hapn’ e parë,
Kur më dhe një qortim,
Ndjeva thellë një pendim,
O, shtrenjti im!
Të kam në zemër dhe larg kur jemi
Mall’i madh për ty baba më djeg si zjarr
Çdo ditë më pranë të gjithë të kemi
Fjalën tënde të urtë dëgjoj baba, o i shtrenjtë baba! Etj.

14) Kur diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit të jetës së saj, Ju së bashku me Gjergjin na sollët këngën “Ne bijtë e Lirisë”, e cila u bë himn në atë kohë , madje pothuajse i gjithë populli në atë kohë revoltën e tij kundër diktaturës e shoqëronte me atë këngë… Na flisni pak ju lutem.

Përsëri ishte Gjergji ai që më dha idenë për këtë këngë, që unë e quaj nga më të bukurat që ai ka krijuar. Gjergji lexonte shumë poezinë që botohej dhe shumë këngë i ka krijuar mbi poezitë e Ismail Kadaresë, Alen Boske, Zhak Prever etj. Por, këtë herë ai vjen një mbrëmje dhe më thotë, se këngën e ka gati dhe dëshronte një tekst ku të flitej mbi luftën e rinisë për liri dhe demokraci nëpër botë. Ishte shkurt i vitit 1990. Diçka kishte filluar dhe tek ne. Gjergji ishte student në Institutin e Arteve dhe aty rinia zjente…Ne s’mund të dilnim fare hapur, se ndryshe rrezikohej kënga dhe ne të dy…Tekstin e bëmë përsëri shumë shpejt. Kënga pothuaj se ishte gati.Si zakonisht ua treguam dhe prindërve të Gjergjit, të cilët si për Gjergjin dhe për mua kanë qenë dhe mbeten “kritikët”më të mirë të krijimtarisë sonë. Babai i tij, kunati im, Kostandin Leka, që është jo thjesht një dashamirës i hershëm i muzikës klasike dhe atë të lehtë, por edhe një studiues i tyre i apasionuar, na bëri një vërrejtje të drejtë: Ta vinim fjalën liri edhe në gjuhën gjermane dhe megjithëse ishte ora 11 e natës mori në telefon një mikun e tij, që dinte gjermanisht dhe ne vendosëm fjalën liri edhe në gjuhën gjermane (frajhajt). Gjithashtu ai dha mendimin që kënga të mbaronte me përsëritjen e refrenit. Kur kënga u paraqit në komision, filluan vërrejtjet. Dikush tha se Zhuliana me Gjergjin kanë bërë “Hymn” Kavajës. Në ato ditë kishin filluar “trazirat” në këtë qytet…Ishin duke na i ndërruar fare tekstin dhe Gjergji tha, se ai e hiqte këngën po t’i ndërrohej teksti. Atëhere për “të shpëtuar” këngën unë bëra disa ndryshime të vogla: Aty ku bëhej aludimi për vendin tonë fjala “Dikush” u zëvendësua me “diku” Kënga u interpretua shumë bukur dhe me pasion nga Frederik Ndoci i madh. Suksesi i saj u ndje më vonë në dhjetor kur në sheshin “Demokracia” buçiste kjo këngë para dhe pas çdo mitingu të studentëve.

15) Në një periudhë të gjatë dyzet vjeçare të krijimtarisë suaj poetike, sa mendoni se duhet të jetë numri i teksteve të këngëve të krijuara nga Ju?

Sa për numërin e këngëve të them të drejtën nuk kam bërë ndonjë “inventar”, por afërsisht për kaq e kaq vite sa kam krijuar bëhen afërsisht 2000 tekste. Janë anketat muzikore të muajit (18 vjet), festivalet e funddhjetorit, festivalet nëpër rrethe, festivalet e fëmijëve, koncertet e majit ( vetëm tek këto për secilin unë mund të kem krijuar nga 15-20 tekste çdo herë), koncertet “Kur vjen Pranvera” dhe “Këngët e stinës”, bashkëpunimi me kompozitorët kosovarë si Pranvera Badivuku, Mejdi Bajri, Reshat Randobrava, Estradat e ndryshme te vendit etj.

16) Poete, pse u larguat nga Shqipëria?

Kam jetuar në familjen e motrës sime për vite me rradhë dhe kur ajo u riatdhesua në Trieste të Italisë (gjyshja e Gjergjit nga i ati, Jolanda Arxhentin Leka, ishte italiane) unë erdha si vizitore në fillim këtu në Trieste, por u ndjeva shumë mirë këtu dhe kjo ishte arsyeja që lashë vendin tim të shtrenjtë. Lidhjet me të i kam të ngushta deri më sot. Kam marrë pjesë nëpër festivalet e fundvitit dhe në aktivitete të ndryshme si festivali i “Këngës Magjike”, “100 këngë të shekullit” etj. Kam lënë aty një jetë dhe kjo s’është pak, ndaj jam përherë e lidhur me vendin tim.

17) Mendoni se jeni e harruar nga Shteti i sotëm Shqiptar?

Një çast m’u duk se më harroi ai shtet, kur në vitin 2001 më nxorri në pension me një pagesë minimale. Më vonë mësova nga shtypi se më ishte akorduar “Pension Special”, por deri më sot ky pension nuk më ka ardhur…Pse?! Nuk e di.

18) Gjergj Leka, pas një qendrimi disa vjeçar në Itali morri vendimin dhe u kthye në atdhe. Mendoni se vendimi i tij duhet të jetë një shkëndijë për t’u ndezur edhe për shumë artistë të tjerë të larguar nga Shqipëria që të kthehen?

Gjergji ka rigjetur përsëri veten në Shqipëri dhe pas organizimit artistik të variantit të parë të “StarAkademisë”, tani po përgatit një serial koncertesh me titullin “Kthehem të dielën” në TVSH. Shpresoj dhe i uroj suksese! Ka shumë artistë, që si Gjergji janë kthyer e po bëjnë punën të mira. Uroj që arti dhe muzika të ngrihen lart në vendin tonë dhe kthimi i artistëve patjetër që do t’i shërbejë kësaj. Vendi ynë ka nevojë për kulturë që t’i paraprijë përparimit të tij.

19) Keni lidhje me poetët dhe krijuesit shqiptarë anembanë kudo ndodhen?

Lidhja me krijuesit e diasporës sonë më ka dhënë gjithmonë kënaqësi. Kam redaktuar disa libra si të autorëve Vitore Stefa Leka, Eleni Stefa, Merita Bajraktari, ArditaJatru, Valter Lazeri, Mina Papajorgji etj. Kam punuar tekstet e këngëve për CD e të madhes Alida Hisku etj.

20) I dëgjon poetja Jorganxhi këngët e sotme shqiptare dhe çfarë mendon për tekstet e tyre që e kanë tejmbushur tregun e sotëm shqiptar?

Kur këto tekste i kanë punuar njerëz që e dashurojnë poezinë dhe janë poetë atëhere them se teksti qëndron dhe jep mesazh, por kur teksti bije në banalitet them se është shkruar nga grafomanë që ç’edukojnë brezin e ri, i cili ka nevojë të ushqehet me të bukurën, të moralshmen, që ta bëjë të bukur shpirtërisht.

21) Keni ndonjë mesazh për poetët e sotëm dhe veçanërisht ata që dëshirojnë të krijojnë vargje për t’u bërë këngë?

Nuk dua të marr pozën e “këshilltares” ose “moralizueses”, gjë që s’më ka pëlqyer dhe s’e kam bërë kurrë, por them se, duhet që vargjet të dalin nga shpirti, të kërkohet fjala e bukur dhe mjeshtra të penës Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë. Kemi shëmbuj të shkëlqyer të poezisë popullore dhe të poetëve tanë të të gjithë kohërave. Vargu del i bukur kur ai del nga një shpirt i bukur.

Ne bijtë e Lirisë
(Kënduar nga Frederik Ndoci, fituese e Koncertit të Pranverës 1990)

Jo, ti mos më pyet, pse derdh lot?
Në takim diku nuk shkoi dashuria.
Rininë vranë, Romeon rivranë,
Rininë vranë, Zhulietën rivranë
Mbi mërinë e dimë do fitoj’
Do fitoj’ dashuria.

Syt’ e bukur kudo i ka rinia,
Por ja dikush kërkon t’ia verboj’
Ajo vetëm me dy gishtat ngritur lart
Me at’ heshtjen që kumbon në botë
Kërkon demokraci.

Liri! Zjarr i zemrës
Liri! Gjuhe e nënës
O liri! Krahu i ëndrës
Në çdo gjuhe të kuptojmë

Liberta, Liberte,Libëti, Frajhajt
Liberta, Libëte, Libëti, O Liri.

Jemi ne o moj botë
Bijtë e bukur të Lirisë.
Ndaj dhe s’duam që të shohim
Nëpër botë dhunë dhe lot.

Liberta, Liberte,Libëti, Fridom
Liberta, Libëte, Libëti, O Liri.

Në duart e nënës.
(Kënduar nga Bashkim Alibali, fituese e Koncertit të Pranverës 1985)

Në duart e tua u rrita o nënë,
Në netët pagjumë pikoi drit’ e hënës.
Dhe veten qortova të zënë në gabime
Zemrën kur t’a theva, o e shtrenjta ime.

Vij nga rrugë e gjatë
Ti më pret e para,
T’i puth ato duar
Mbushur plot me mall.

Në çdo rrudhën tënde, në çdo flok’ të bardh’
Unë shoh fëmijërin’, hapin tim të par’.
Dhe nga unë fëmija kërkove në jetë
Të rritem i mbarë për k’të tokë të shtrenjtë.

Bashkëmoshatarëve.
(Kënduar nga Parashqevi Simaku, fituese e Koncertit të Pranverës 1986)

Ja, buzëmbrëmje ësht’ tani
Un’ me ty jam përsëri
Ç’lumturi.

Po, në një moshë pranvere jan’
Globit tonë anemban’
Me mijëra zemra bashkmoshatar’.

Ja, rra një shok diku atje
Globi ndjen t’i happen plag’
Dhe qielli skuqet nga gjaku i tyre
Si një flamur i madh.

Më thot’ gjaku, mos harro!
Moshatarët që nga plumbat bien
Është gjaku trëndafil Lirie
Dritë shprese për atdhe kush ngrihet
Në botë

Drejt së ardhmes ti vrapo,
Se zjarr ke zemrën,
Flamur ke këngën,
Bashkohen zemrat si vargmal
Iu ndrin një ideal.

Jo, globi s’fle i qetë sot,
Kontinentet ndizen zjarr,
Është zemra jonë me ty, moshatar.

Ja, rra një shok diku atje
Globi ndjen t’i happen plag’
Dhe qielli skuqet nga gjaku i tyre
Si një flamur i madh.

Më thot’ gjaku, mos harro!
Moshatarët që nga plumbat bien
Është gjaku trëndafil Lirie
Dritë shprese për atdhe kush ngrihet
Në botë

Drejt së ardhmes ti vrapo,
Se zjarr ke zemrën,
Flamur ke këngën,
Bashkohen zemrat si vargmal
Iu ndrin një ideal.

O o o o o mos harro!

Djalli i bardhë
(Kënduar nga Alida Hisku dhe djali i saj Albini)

Nënë e shtrenjtë të shkruaj tani,
Kur vdekja mbi mua krahët po shtrin,
Ti je dashuria që kurrë s’më braktis
Por djalli i bardhë në humner’ më gremis.

O bir i nënës të kam dritë në sy,
Si mund, më thuaj, të rrojë unë pa ty?
Si unë mijëra nëna mallkimin e madh
Rrëzojë si një mal mbi djallin e bardhë.

Ti drogë, ti helm, ti djall i bardhë
Mallkuar përjetë kush ty të shpërndan
Ti jetën e vret dhe botën e plak
Rrëmben ti rininë në lulen e saj.

Nënë e shtrenjtë, të lutem më fal,
Vdekjen do desha dhe unë ta ndal.
Por hyra padashur në ferrin e tyre
Kush hyn aty nënë, lehtë nuk del.

O bir para nënës, a ka më faj?
Të ikësh nga jeta kështu para saj?
Ndaj zemra mallkimin rrufe e lëshon
Kush ty, n’atë ferr një ditë të rrëzoj?

Ti drogë o helm, o djallë i bardhë,
Mallkuar përjetë kush ty të shpërndan.
Ti jetën e vret dhe botën e plak,
Rrëmben ti rininë në lulen e saj.

O nënë e shtrenjtë, të them lamtumirë!
Kush vjen pas meje do t’kisha dëshirë,
Fytyrën e vdekjes të shohë në çdo drogë
Mbi të të pështyjë e të mallkojë.

O Zot! Dëgjo nënat kudo nëpër botë,
Ky zëri i tyre mban dhimbje dhe lotë,
Se droga vret jetën dhe botën e plak
Rrëmben sot rininë në lulen e saj.

FotjonArt” , 28 Gusht 2007

Leave a Reply