VATHËT E NËNËS

pirro loli

pirro loli

VATHËT E NËNËS
PIRRO LOLI

 

ESE
Nëna donte ta provonte atë çast që të dukej më e bukur, priti një jetë të tërë t’ia sillnin vathët që i kishin premtuar,
Por,…
Më në fund vendosi të ikte. Një dhimbje therëse i gjarpëroi nëpër veshë, e buzëqeshi hidhur. Pastaj mori frymw thellw dhe nuk ndjeu asgjë. Dhe iku. Diçka ndjellakeqe belbëzoi nëpër gojë. Hëna e mesnatës i ngriu në ballë. Dhe iku…
***
Kur para disa vitesh, në Athinë, lexova poezinë “Histori e pa rëndësishme”, provova një ndjenjë të çuditëshme e të vështirë për ta treguar; diçka e rëndë mu mblodh në gjoks e sa herë e kujtoja, një lëng i hidhur më digjte në fyt. Për shumë kohë nuk më hiqej nga mendja dhe vetja më dukej fajtore, fajtore… Akoma dhe sot pas vitesh, nuk e di, kush kish vdekur më përpara, nëna apo djali. As ai Poeti i huaj nuk e dinte. Titulli “Histori e parëndësishme” prvokonte të kundërtën, një mister sa të vërtetë, aq domethënës e misterioz, fshehur pas një detaji të vogël – gati gati si një kozmetikë e pathënë a e parëndësishme, që të shtrëngonte gjoksin. Histori e parëndësishme?! Detaji i vogël fare. Si maja e vogël e një ajsbergu, në detin e paanë… Atje, fundit të detit, shihja se dikush mbytej pa zë. … Nënat?! Djemtë? Dhe poetë, poetë që u çahej zemra e ulërinin në emër të njeriut.
Po nënat s’bëjnë zë. Ikin pa ahe, të heshtura. Si flutura…
Nuk isha i zoti tu pëgjigjesha pyetjeve veçse sa herë kujtohesha, diçka i shtoja asaj poezie aqsa, erdhi një kohë, që nuk i ndaja dot. cilat fjalë a vargje qenë të atij poeti të madh me emrin Jani Ricos e cilat të miat. Akoma më tej më mundonte e pabesueshmja: “për nënën time e kish shkruar Ricosi, atë poezi tw shkurtër, apo për nënën e tij!?” Si ishte e mundur, që një poet i huaj, i largët të dinte hollësira për vathët e nënës sime? Për një palë vathë të premtuar. Që ajo nuk i pa kurrë.
***
…Nëna ime nuk kishte shumë fotografi. Kishte dalë dy vjeç me familjen e saj dhe që atëherë dukej një foshnjë e bukur me fytyrë ëngjëllore. Fotografia e dytë ishte e moshës 16 vjeç. Dukej sikur një piktor antik e kishte zgjedhur si model, e kishte pikturuar me atë fytyrë ballëlartë, të larë me diell e pastaj sikur e kish shpërndarë nëpër të gjithë skulptorët antikë për ta gdhendur në mermer. Kam parë shumë skulptura nëpër muzeumet greke dhe, nuk e di, pse më fikësohej që nëpër to shikoja fytyrën e nënës. Qëndroja gjatë përpara busteve të mermerta dhe pyesja veten, Nëna ime është kjo apo e Ricosit?…
***
… Të nesërmen e asaj fotografie, gjashtëmbëdhjet vjeçarja mbante mend se një grua e dëgjuar e lagjes, që mbahej mend se i lante flokët me ujë trëndafili, e kishte afruar prpranë syve të saj, ia kishte përkedhelur faqet dhe i kish thënë “ Ti je bërë një vajzë e bukur. Po hap sytë se … e de, nuk desha të të them këtë, unë desha të më kujtosh për. ..e de, dua të t’i shpoj këta veshët e bukur që t’i kesh gati për vathë. Vathë të florinjtë të të mbijnë këtu si burbuqe luleje të vo-gë-la, akoma të pa çe-lu-ra…. Se që ta dish , moj bukuroshe e nënës, vathët e bukur të mbrojnë dhe nga syri i lig…Rrezja e diellit të bjerë ndër to, të thyhet, t’i çelë burbuqet e kur të shkosh udhëve edhe natën vathët të të bëjë “fap fap” si xixëllonjë…e syri i keq të shohë xixat, e të verbohet … Pastaj, e, de, e di, po re në burrë të mirë, nuk ta kam frikën…
***
Ajo u rrit , u martua, bëri fëmijë. Por vathë nuk mbajti kurrë. Herë pas here do thoshte, motrës sime(jo mua djalit të madh) historinë e veshëve, të vathëve të florinjtë…, Nuk thoshte kurrë që vathët nuk ia kishin sjellë, por do kujtonte fjalët e asaj plake që lahej me ujë trëndafili…
Një mbremje unë, djali i madh, i paskesha thënë:
-Nënë , tani me duhet të iki, por…
-Mban shumë ajo shkolla jote, bir?
– Mban, nënë, mban, pastaj pas shkollës dhe puna, por,..
– Unë do të të pres, bir, do të të pres dhe 100 vjet.
– Një ditë do të kthehem, nënë e ke për ta parë – do të të sjell vathë floriri, të gjatë, të gjatë, sa të të prekin këto supet e lartë. Unë dua që ti të dukesh e bukur, të mbetesh e re dhe e lumtur…(Me siguri dhe Jani Ricos kështu i ka premtuar nënës së tij.)
Nëna bëri një buzëqeshje të largët. Fshiu me kurris të dorës një kokërr loti në qerpik e tha – Mjafton që ti të kthehesh, o bir, mjafton –
…Vitet shkonin. Djali mbaroi shkollën, filloi punë në qytet, u martua, bëri fëmijë. E vathët nuk po i sillte.
Nëna po plakej. Gjithmonë thoshte me vete t’i dërgonte një fjalë djalit që vathët të mos t’ia blinte aq të gjatë. Të mos harxhohej aq shumë. Se unë nuk jam më para, se po tëkurrem e zvogëlohem e supet po më kanë rënë… Po këtë nuk ia shkruante as kur mbushte dy faqe letër. Gjithmonë nuk harronte të pyeste për shëndetin, nusen e fëmijtë. Dhe në fund të çdo letre nuk harronte të përsëriste: Malli pët të vegjëlit po më mbyt, po më mbyt…Nëna sa vinte e kërrusej. Vo-gë-lo-hej. Supet po i preknin veshët. Vathët nuk i duheshin më aq të gjatë… Po si t’i shkruaj, si ? Lëkura po i vyshkej. E mpakej e rrufisej vetiut. Faqet po i vyshkeshin. Mishrat po i lëshoheshin. Rrudhat e kishin zaptuar e si shtiza të holla i kishin rrethuar sytë … Vrimat e veshëve qenë mbyllur, po dukeshin shenjat…e, kur ajo kujtohej për vathët, puliste sytë, nuk thoshte që veshët e mia nuk panë kurrë vath, por me mburrje kujtonte se këto shenja i kam kujtim nga filan plakë që dëshironte të më shikonte me vathë të varur këtu. E zinte mishin e varur të veshit me dorë e thosh se vrimat duken sikur kanë vënë pak tul, por për vathë nuk mbyllen; ja, po t’i ngacmosh pak me një gjilpërë , këtu te shenjat, vrimat hapen lehtë fare, të gatëshme për të shkuar vathë…
Pastaj,
Pastaj, pas njëqind vjetësh pritjeje, erdhën ca ditë që dukej se lëkura e trupit e kish firasur mishin, rrudhat ia kishin marrë plotësisht fytyrën, e në ballin e gjerë i qe ulur një hënë e plotë. Hënë mesnate larë me flori.
Një ditë vrimat e veshëve i u hapën befas deri poshtë, iu çanë si nga një peshë e rëndë …
***
Atëherë e kuptoi se i biri kishte vdekur…
Nuk e di kush kish vdekur, ai poeti i madh, apo unë; Kish vdekur nëna e tij apo imja…
Imja, imja, belbëzova – kish ikur ajo. E bukura. E mira. Kish ikur në heshtje. Me një hënë mesnate në ballë larë me flori. Pa ahe. Pa dhimbje. Pa klithma . Si flutur.

Leave a Reply