Ura e paqes
Ada Aharoni (Izrael)
Ura e paqes
“Ata do të ulen njëri burrë ndën pjergullën e tij dhe tjetri ndën fikun e vet dhe askush nuk do t’i frikësojë”.
(Ungjilli i shenjtë 4,4)
“Ai ecën me paqen, shko bashkë me të”.
(Kuran’i, sure 48)
Motra ime arabe, le të ndërtojmë një urë mrekullie
me drurin tënd të fikut dhe me pjergullën time
përmbi dhimbjen që vlon nga beteja e Intifadës[1]
Salima, motra ime arabe, kur do të qeshim sërish
si dy gra, në vend që të vajtojmë te gurët e varreve të bijve tanë?
Mikja ime Salima, ti dhe unë mbi këtë urë mrekullie
nga kultura jote te kultura ime, nga kultura ime te e jotja
nën aromën e jaseminit të lulëzuar, të mbahemi përdore
duke pëshpëritur të fshehtat e dashurive tona, fëmijëve tanë, planeve
dhe për mallin tonë të thellë të pkufishëm për një qiell të ndritur
të lirë kurorëzuar me yje të paqtë vezullues.
Unë nuk dua të jem shtypësja jote, ti nuk do të jesh shtypësja ime,
apo roja jote e burgut, apo ti e imja nuk duam ta frikësojmë njëra tjetrën
ndën pjergullat tona dhe ndën drurët e fikut që lulëzojnë në horizontin
e argjendtë përmbi gjakun e fëmijëve tanë nga gurët, plumbat dhe raketat.
Kështu, motra ime arabe, le të ndërtojmë një urë shumë të fortë
të marrëveshjes të qëndrueshme të jaseminit, ku secila të rrijë
me foshnjën e saj ndën pjergullë dhe tjetra ndën drurin e fikut të saj
DHE ASKUSH NUK DO T’I FRIKËSOJË MË!
Përktheu nga anglishtja: Meri Lalaj
[1] Intifadat janë quajtur kryengritjet e palestinezëve kundër izraelitëve.
Komente