Tregimi më i bukur
Agim Bacelli
Tregimi më i bukur…
“Ka dy lloj njerzish në botë; mëndjehollët dhe këmbëshpejtët, shpesh fitojnë këmbëshpejtët.” Naum Prifti
Naum Prifti & Ernest Hemingway
Plaku dhe Deti” është novela e fundit e shkruar nga Ernest Heminguei në vitin 1951 në Kubë. Një tregim i përsosur i cili tregon forcën shpirtërore të njeriut të pamposhtur i cili është i gatshëm të përballojë me sakrifica të pafundme çdo lloj lufte.
Ky tregim do ti jepte Ernest Hemingueit Çmimin Nobël në letërsi dy vjet pas botimit të kësaj novele që u përkthye në tërë gjuhët e botës.
Kur lexova tregimin e Naum Priftit “Njeriu që ndiqte kuajt” para disa ditesh, u trondita nga paralelizmi shpirtëror i këtij tregimi me atë të Ernest Hemingueit që përmënda më sipër. Tregimi i Naumit perveç ngjashmërive të “binarëve” ku rrëshqet tregimi, gjithëçka tjetër e ka tepër të veçantë nga novela e Hemingueit. Bile mund te them se është shumë herë më i këndshëm dhe më i fuqishëm se “Plaku dhe Deti”! Sigurisht që ky është mendimi im privat.
Të dy personazhet; peshkatari i Hemingueit dhe Vlashi i Naumit luftojnë për bukën e gojës. Të dy bisedojnë shtruar e me dashuri me kafshët duke i trajtuar ato si njerëz. Të dy mposhtin tërë forcat e egëra të natyrës; njëri detin me dallgë e furtunë dhe tjetri pyllin me pengesat e shumta. Të dy kanë guxim dhe këmbëngulje të marri. Të dy mposhtin gjithëçka që u del në rrugën e tyre për t’ja arritur qëllimit. Të dy triumojnë duke shtënë në dorë, njëri peshkun e rrallë e nazeli dhe tjetri kalin e pakapshëm! Të dy ngelen pa gjë në fund pas aq sakrificash dhe mundimesh! Të dy jane modeli i sakrificës dhe krenarisë njerzore. Të dy janë njerëz real ku janë bazuar shkrimtarët dhe të dy janë bërë të famshem prej shkrimtareve. Të dy ju kanë dhënë shkrimtarëve shpërmblim e duhur duke i bërë ata shumë të njohur. (Nuk e di nëse Naum Prifti ka marrë ndonjë çmim për këtë tregim?)
Siç më tha vetë Naumi për personazhin e tij Vlashi, (Vasil Shorja-emëri i vërtetë) ka qënë njeri real në Divjakë.Naumi e njohu Vasilin kur Vasili ishte mbi 60 vjeç, i varfër e i harruar në një kasolle me rrogoz në Divjakën socialiste por për të mos e pësuar nga regjimi komunist, autorit ju desh ta zmbrapsi në kohë ngjarjen dhe ta shpjerë në kohën e regjimit zogist.
Miqtë e Vasilit ishin vetëm hardhucat dhe pasuria e tij ishin vetëm stikat e pishave me të cilat qëraste shkrimtarin kur i shkonte në shtëpi, si dhe ai kishte edhe një patok që i ruante shtëpinë.
Edhe Hemiguei e pati bërë mik peshkatarin plak Gregorio Fuentes i cili lindi në vitin 1897 dhe vdiq pas 104 vjetesh në vitin 2002. Njeriu i tre shekujve. Gregorio pinte 20 orë në ditë duhan me çibuk dhe rrinte i vetmuar në një kasolle me kashtë! Dukej sikur nuk do të vdiste kurrë por më në fund ju çfaq kanceri i mushkrive dhe brënda pak javëve ai mbaroi. Gregorio kurrë nuk e lexoi novelën e tij “Plaku dhe Deti” megjithëse i kishte mësuar shkrimtarit të madh shumë sekrete të gjuetisë së peshkut kur ishte në moshën mbi 60 vjeç.
Vitet e fundit të jetës Fuentes i kaloi në Santiago dhe Koxhimor ku pozonte për turistët e huaj të cilët i jepnin nga 10 deri 20 dollarë për ç’do foto të bërë me të.
Ideja e z. Naum për ti vënë një pllakë tek varri “Njeriut që ndiqte kuajt” është brilante. Kjo mund të bëhet edhe si një ndihmë për pasardhësit e Vasil Shores nëse janë akoma në Divjakë pasi jam i bindur se turiste të shumtë do të shkojnë ta vizitojnë atë varr, në mos sotë, nesër pa tjetër…Por ajo që është më kryesorja që unë e quaj një ide brilante, është dashuria dhe respekti i shkrimtarit për personazhet e tij realë.
“Njeriu që ndiqte kuajt”, Tregimi m’i mirë…
Njeriu që s’dinte të ecte por të vraponte…
Nëse do që të jesh i shëndetshëm, vrapo! Nëse do që të jesh i bukur, vrapo! Nëse do që të ngelesh përherë i ri, vrapo!
Është vrapi i Vlashit pas kalit në Pyllin e Divjakës që më kujtoi këtë thënie, dhe vërtetë, Vlashi (Vasil Shorja) u bë i pavdekshëm në tregimin e Naum Priftit, “Njeriu që ndiqte kuajt” pikërisht sepse vraponte.
Për vrapin ka shumë thënie që nga lashtësia deri më sot dhe të gjitha e përcaktojnë vrapin si medicina më e mirë për të patur një trup e shpirt të ri.
Kur themi, kush vrapon shkon më lart, kemi thënë një kuptim fillozofik mbi jetën pasi është vërtetuar se shpejtësia zgjat jetën.
Këtë tregim nuk e kisha lexuar ndonjëherë, kisha parë filmin “Pylli i Lirisë” që bazohet në këtë tregim por që nuk më ka lënë këto mbresa të fuqishme që më la tregimi. Për mua ky tregim është tregimi më i mirë shqiptar i shkruar ndonjëherë.
Tregimi disi i çuditshëm ka në qëndër një njeri hallexhi që nuk dinte të ecte por vetëm të vraponte.
Nëse Shqipëria do të kishte të zhvilluara si duhet sportet në atë kohë, Lushja dhe Shqipëria nuk do ta linin t’u shkonte kot një marathonist i rrallë si Vasil Shorja, sa edhe bota do të mburrej me të.
Motoja e Vasilit (Vlashit) ka qënë, “Një punë nuk quhet e kryerë derisa ajo të mbarojë!” Prandaj ai nuk dorëzohej kurrë derisa ta mbaronte atë që kërkonte të bënte. Ai nuk e njihte disfatën që njohin shumë njerëz. Disfatë për të ka qënë vetëm realizimi i qëllimit të tij në kohë e vënd të gabuar!
Vlashi ishte nga ata njerëz që mendojnë, “Unë vërtetë nuk e di përse vrapoj dhe çfar ndjek por, nëse kjo mund të më shpjerë në disfatë, disfatë do të jetë takimi me atë që ndjek në shtratin e disfatës!”
Një ditë shkrimtari e ndali Vasilin (Vlashin) dhe i tha, “Ju do të rroni gjatë edhe sikur të rroni sa të tjerët pasi ju gjërat i kapni më shpejt se të tjerët. Për njësinë e kohës ju keni ecur sa për 100 vetë!”
Vasili ja ktheu, “Edhe ti nuk do të ngelsh pas meje pasi ti më ndjek mua!”
Shkenca ka vërtetuar se me rritjen e shpejtësisë zvogëlohet rrjedha e kohës, (shpejtësia dhe koha janë në përpjestim të zhdrejtë me njëra tjetrën) vjen një moment që shpejtësia arrin shpejtësinë e dritës, atëhere koha ndalon, dhe kur kalohet kjo shpejtësi, koha rrjedh në kah të kundërt, shkon mbrapsht!
Gara e panatyrëshme midis njeriut dhe kalit
« Ju mund të vraponi me qentë e mëdhenj që nuk lehin ose të qëndroni në koliben e qenëve që dinë vetëm të lehin! » Naum Prifti
“Mposhtja që kërkoj të të bej ty o kalë nuk është egoja ime por është prova e forcave të mija madhore pasi Natyra më ka bërë mua më të fuqishmin e gjithëçkaje dhe ty të ka bërë të më shërbesh mua. Le ta provojmë sesa e vërtetë është kjo gjë.” Mendon njeriu i pamposhtur dhe rend që kalin zevzek ta mposhtë.
Kështu fillon gara e pazakontë në vrap; një njeri me një kalë! Vlashi e ka ditur shumë mirë se është më i fuqishmi i pyllit prandaj dhe nuk do të dorëzohej.
Gara e pazakontë, në tregim, fillon kaq natyrshëm dhe shtruar sa të duket se edhe ti që lexon tregimin je duke vrapuar ta kapësh atë kalë! Kështu që Naum Prifti na ve të gjithëve, ne lexuesëve, të vrapojmë pas kalit me emerin Hallat dhe të ndjejmë të njëjtat emocione që ndjen dhe Vlashi i tij.
Gjatë ndjekjes që “i bejmë” kalit ne mësojmë shumë gjëra për Pyllin e Divjakës që shtrihet midis dy lumenjëve Shkumbin dhe Seman, të cilin, disa prej nesh, kurrë nuk e kemi shkelur. Aty ne njohim drurët dhe shkurret me emërat e tyre që rriten atje si manaferrat, trëndafilat e egër, lofatat, mërsinat, frashërin, murrizin, bruken, vidhin, sheqin, etj. Po ashtu aty ne njohim dhe kafshët e zbutura por që janë egërsuar ngase rrojnë në liri të plotë.
Nuk duhet të harrojme as qenin e tij besnik Arapin i cili e ndiqte besnikërisht të zotin duke i shërbyer me tërë forcat për kapjen e kalit. Ata kalojnë në ranishte dhe moçalishte të thara ku nuk mbin asgjë tjetër veçse “kripthi” ose siç njihet ndryshe kripza e detit.
Valshi duke qënë banor i pyllit e di shumë mirë se ku kullosin kafshët dhe çuditet kur e shikon Hallatin në një zonë që ai kurrë nuk shkon!
– Të gjeta o bukurosh, – i tha me zë të lartë e pastaj si ta qortonte, shtoi: – Ç’ke dashur gjer këtu anës detit? Ti sikur rrije andej nga Murrizat e Brukës.
Vlashi (dhe ne bashkë me Vlashin e ndjekim atë kalë elegant që vrapon si kaproll dhe s’ka si të mos themi, “Sa bukur që ecën!”
Vlashi nuk i ndahet për asnjë çast me mendimin që ta lodhë! Ai mendon që ta lodhë kalin dhe kurrë nuk mendon se mund të lodhet edhe vetë! Kjo është tërë bukura e forcës njerzore që mposht çdo forcë tjetër e që Naum Prifti na i jep artistikisht kaq bukur.
“Duhet ta lodh. Po s’u lodh, ai nuk kapet!” – mendoi Vlashi duke ecur pas kalit në ranishten e hapur. Në krahun e djathtë tani kishte detin dhe bregun e mbushur me lëmizhde e alga të thata. -Rëra do t’ia grijë thundrat njëlloj si guri zmeril, ndaj besoj se ai do ta ndërrojë rrugën. Kalë i zgjuar. E kuptoi që po e ndjek dhe kërkon të largohet sa më tepër. Tani nga frika e qenit, atij nuk i vete mendja të fshihet. Po edhe sikur të fshihej, unë do ta gjeja pas gjurmëve edhe pa Arapin. Shih, po ecën më kup, galop…Mbaj vesh ti, ky vrapi në rërë do ta lodhë, se nuk është mësuar të ecë mbi të.”
Njohës i shkëlqyer i huqeve të kalit dhe terrenit ku ai vrapon galopthi, Naumi na bën ta dashurojmë këtë kalë dhe të rrojmë me shqetësimin e tij për të mos e kapur kalin e lirë nga njëra anë, ashtu siç rrojmë edhe me shqetësimin tjetër te Vlashit për ta kapur atë! Mjeshtëria e tij e artit të të shkruarit na bën të ndjejmë gjithçka dhe të vihemi shpesh në dyzime e në kundërshti të çuditshme!
“Kalë i zgjuar, tha Vlashi, e kuptoi se rëra po ia grinte thundrat dhe iu mënjanua.”
Gara vazhdon. Vlashi vërtetë ka nevojë të madhe për para pasi gruaja e tij e sëmurë kërkon një doktor dhe kali i kapur ja sjell këto para që kërkon doktori por ai, njëkohësisht ndjen keqardhje kur e sheh kalin të vuajë dhe ropatet për ti shpëtuar robërisë! Halli e bën të vendosur qëllimin e tij dhe kështu ai vrapon pa pushim prapa kalit, pa u ligeshtuar, pa u demoralizuar, pa hequr dorë për ta kapur.
“E ke kot që më mundon kështu, se unë s’të ndahem. S’e njeh ti kokën time. Prandaj më mirë qëndro të të kap dhe pastaj të dy shkojmë në fshat.”
Kur kali hyn pa dashur në lerë, Vlashi shqetësohet shumë se mos kalit i ndodh gjë e keqe dhe gëzohet si fëmijë kur kali i shpëton tinës baltore duke mos u gezur që ta kapi atë në fatkeqësinë e vet!
Ndjekesi i kujave kërkon ta ruajë kalin shëndoshë e mirë dhe me në fund i drejtohet me kodin e lashtë të marrveshjes njeri-kalë që është një “Deeeeee!”
“Kali e dëgjoi thirrjen e lashtë dhe për çudi qëndroi.” Pastaj Vlashi i dha urdher qenit, “Arap, mos e lër të ikë!”
Një marveshje kjo e mrekullushme midis njeriut, kalit dhe qenit.
Kali i zgjuar i shpëtoi përsëri, atëhere ndjeksi filloi të flasë në gjuhë të panjohur! Siç duket shau pabesinë e kalit me të cilin duhej patjetër të merrej vesh.
Vrapimi ti tij pas Hallatit dukej si një vrap që nuk do të perfundonte kurrë dhe këtë gjë Prifti na e jep me anën e një krahësimi të bukur e simbolik, “Ndërsa Vlashi vraponte, dielli ecte nëpërmjet pemëve, dukej e zhdukej si fytyrë e qeshur fëmije, kureshtar të shihte si do të përfundonte kjo garë e rrallë mes njeriut e kalit. Ecte kali, njeriu, qeni dhe dielli.” Dimë qe djelli nuk ndal kurrë rrugën e tij drejt perëndimit dhe, shkrimtari fut në vrap bashkë me djellin edhe Vlashin me Arapin e tij që edhe ata duken se nuk do të ndalen kurrë!
Kur e shikon kalin e lodhur, të etur dhe të uritur, fillon një keqardhje e cila jepet kaq me ndjenjë në këtë pasazhin më poshtë, “- Të mori (etja dhe) uria, o bir?, – e pyeti Vlashi.- Nuk të lë të kullosësh se pastaj s’të zë dot… S’kam ç’bëj, duhet të të kap…”
Ndërsa Vlashi me Arapin vraponin pas Hallatit, pylli dembel dukej sikur çuditej me këta tre të marrë që në piskun e vapës nuk dinin të pushonin nën hije!
“Zogjtë ishin tulatur prej vapës, pyllin dukej sikur e kishin pushtuar gjinkallat. Ngjante sikur në çdo pemë ndodheshin me qindra gjinkalla dembele që bënin fresk me krahët e tyre si luspa. Dielli digjte dhe hijet e pemëve ishin shkurtuar. Nga lëvoret e pishave rrëshira e verdhë kullonte me sumbulla dylli viskoze, ndërsa fletët mishtore të mërsinave lëshonin erë mjalti në ajrin e ngrohur.”
Dembelizmi në pyll, në piskun e vapës, jepet kaq bukur me një zhapik që i trembur nga vrapi i të treve lëviz me përtesë. Vlashi i drejtohet atij për ta qetsuar, “Nuk të nget njeri ty.”
Kali dhe Vlashi nuk dukeshin se po i dorzoheshi të dy lodhjes. Ndërsa kali kërkonte të rrëmbente një gojë bar apo të lëpinte një njollë ujë, Vlashi bënte të njëjtën gjë në vrapim e sipër, “…Duke vrapuar këpuste me dhëmbë manaferra që të shuante sadopak urinë (dhe etjen).”
Në këtë garë të çuditëshme dukej se asnjë nuk do të dorezohej por ja që më në fund dorzohet vetëm kali. I lodhur sa më s’ka, sapo këmbët e tij prekën një baltovinë ai vendosi të dorzohet. Nuk kishte më fuqi ti shqiste këmbët nga ajo baltë e flamosur.
“Dhe ai ndenji atje, duke iu nënshtruar së panjohurës, si parardhësit e tij të largët, kur ndienë së pari dorën e njeriut mbi kurrizin e tyre leshtor. Kali turfulloi dhe hingëlliu gjatë e ankueshëm, kur dora e Vlashit i preku lejlen.”
Dashuria e Vlashit për kalin e bëri edhe më të bindur dorzimin e pa kusht të kësaj gare nga ana e kalit.
“Mos ki frikë, o bir, mos ki frikë, – e qetësoi Vlashi duke i shkuar dorën mbi kurriz. Kali ndjeu ledhatimin e dorës dhe u tulat i nënshtruar.” Pastaj Ndjekësi i çuditshem i dha më parë të hajë e të pijë kalit të vet dhe më pas mendoi për vete. Ata u shlodhën bashkë si miq, e më pas u nisën drejt fshatit.
Kur pa mashtrimin e dyqanxhiut, Vlashi i kërkoi të falur kalit dhe mbi ato pak para që do mërrte, çmoi më shumë lirinë e kalit e cila do të qe dhe liria e tij.
Duke e riparë kalin të lirë mendoi, “Sa bukur që ecën!”
Autori na shpie mjeshtërisht në mendimet rebele të Vlashit i cili në ato çaste mori frymë thellë i kënaqur sikur të ishte liruar ai nga skllaveria dhe jo kali. Në fakt kur njeriu kërkon të jetë i lirë atë s’mund ta pengojë dot asgjë.
Lirimi i kalit nga ana e Vlashit vërtetoi se liria e vërtetë individuale mund të ekzistojë edhe pa sigurimin ekonomik por jo pa pamvarsinë e veprimit, na mëson autori Naum Prifti ne fund të tregimit shumë të bukur, “Njeriu që ndiqte kuajt”.
Gusht 2007
Sa i bukur eshte ky film