TREGIMI I NJË TAKSISTI
TREGIMI I NJË TAKSISTI
Nga KATERINA LIM
Shumë mirë, zonjë. Sigurisht, do t’ju çoj në mbledhjen tuaj tamam në kohën e duhur. Kjo rrugë është më e mirë, ka më pak trafik, më pak makina. Do të na hajë vetëm gjysme ore, zonjë, kështu që mos u shqetësoni.
Çfarë thatë, zonjë? A ha, po, po, po bëj njëzet vjet që punoj si taksist, zonjë. Shumë kohë më parë Singapori nuk ka qene kështu – kaq i populluar, kaq i zhurmshëm. Ishte shumë më paqësor, s’kishte kaq taksistë, as kaq shumë vetura e autobusë.
Po, zonjë, mund të jetosh. Po pra. Ç’të bësh. Duhet të punosh shumë në do të kesh sukses në Singapor. Njerëzit si ne, pa shkollë, pa kapital për tregti, duhet të djersitin për të ushqyer gruan dhe fëmijët.
Po, zonjë, kam familje të madhe – tetë fëmijë, gjashtë djem e dy vajza. Familje e madhe! Ha! Ha! Nuk është mirë, zonjë. Në ato kohë, kush kujtohej të planifikonte familjen në Singapor? Njerëzit lindnin shumë, shumë fëmijë, çdo vit një fëmijë. Nuk ishte aspak gjë e mirë. Sot është ndryshe. Dy fëmijë, tre dhe mjaft, stop. S’të lë më qeveria jonë.
Por unë jam me fat, të gjithë fëmijët tani i kam të rritur. Katër nga djemtë e mi punojnë – njeri merret me tregti, dy janë nëpunës, njëri- mësues në shkollën fillore, tjetri në një shërbim kombëtar, njëri është akoma në shkollë të mesme , viti i dytë. Vajza më e madhe, ajo është njëzetë e ca, rri në shtëpi, ndihmon të ëmën. Jo, nuk është martuar akoma – Është shumë e turpshme dhe nuk ka qene dhe aq mirë me shëndet, por është vajzë e mirë, vajzë e bindur. Vajzat e tjera – oh, zonjë! Është shumë e vështirë për babanë kur vajza nuk bëhet e mirë dhe nuk dëgjon prindërit. Është tepër e trishtueshme, sikur të ka ndëshkuar zoti. Sot, të rinjtë nuk janë si ne kur ishim në moshën e tyre. Ne ishim të bindur. Kur prindërit na thoshin mos e bëj këtë, ne nuk e bënim kurrë. Ndryshe, kërciste dajaku. Babai më ka dajakosur, edhe kur isha i rritur, gati për t’u martuar, nuk ma ka ndarë drurin. Ai ka qene mjaftë i rreptë, dhe të jetë i rreptë, për prindin është diçka e mirë. Ndryshe djemtë dhe vajzat e reja bëhen të padobishëm. Nuk kanë dëshirë për të mësuar, ikin nga u do qejfi, shkojnë nëpër klube nate dhe marrin drogë, bëjnë dashurira. Je dakord me mua, zonjë? Sot të rinjtë u sjellin shumë andralla prindërve të tyre. Ja, zonjë, i sheh ata të rinjtë atje, jashtë asaj kafenesë? E kupton se ç ‘dua të them? Ata janë vetëm djem dhe vajza shkolle por veprojnë si një hordhi e madhe, prishin para, pinë duhan, vishen me modën e fundit, dhe bëjnë dashuri. Ah, zonjë, e di unë, e di. Si taksist që jam, i njoh mirë ata dhe zakonet e tyre. Ah, zonjë, thatë se jeni mësuese? Ju mbase nuk e dini se këto vajza shkolle, pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë vjeçare, shkojnë në mëngjes në shkollë me uniformën e tyre dhe pas mësimit ato nuk kthehen në shtëpi, ato kanë rroba të tjera në çantat e shkollës, shkojnë në banjë publike apo në hotele, ndërrohen dhe bëjnë makijazh në fytyrë. Prindërit e shkretë nuk dinë gjë kurrë. Ato u thonë mamave të tyre se kishin mbledhje në shkollë, u morën me sport apo me lojëra, jo kjo, jo po ajo por në të vërtetë argalisen gjëkundi dhe të bëjnë për budalla. Ah, zonjë, po shoh që u çudite, por unë i di, i di të gjitha hilet e tyre. I marr e i çoj me taksi. Ato shpesh presin në rrugicat ku luhet me birila, në kafenera apo në hotele, ato vërdallisen gjithandej, me miq, me lloj lloj miqsh, turistë amerikan, europian dhe kështu dëfrejnë e bëjnë shumë para. Zonjë, më beson apo jo kur të them se sa shumë para bëjnë ato? Dëgjomë mua. Mbrëmë, zonjë, një vajzë e re, shumë e simpatike dhe e zbukuruar, e veshur me rroba seksi, më tha ta çoja tek Shtëpia me Orkide- është vend i famshëm, zonjë, ndërtesë katër katëshe – dhe hapi kuletën të më paguante, dhe ç’të them! Bankënota amerikane – të gjitha dhjetë dollarëshe dhe nxori një të ma jepte duke më thënë se nuk donte kusur se s’kishte kohë. Dhe ja ku po të them, zonjë, çdo muaj unë marr më shumë para nga këto vajza të reja dhe nga miqtë e tyre amerikan apo europian se sa marr nga gjithë njerëzit e tjerë të cilët bëjnë pazar dhe thonë se nuk duan të lëvizin pa aparat që shënon kilometrat dhe rrinë e presin edhe për dhjetë cent kusur. Phu!! Disa nga ata më luajnë mendsh me të vërtetë. Ndërsa këto vajza dhe dashnorët e tyre nuk bëjnë pazar, ato thjesht paguajnë, paguajnë dhe bëjnë kaq shumë dashuri në taksi dhe nuk e marrin vesh se ti vjen vërdallë kot dhe ua ngjesh në kilometra! Mund të them, zonjë, se shumë nga ato nuk e çajnë kokën se sa paguajnë për taksinë. Ndodh kështu: pas orës një të drekës tarifat e taksive dyfishohen dhe unë preferoj të punoj në këtë kohë, sepse natyrisht, ka më shumë para. Unë shkoj e pres para Hotelit Elroi, Oborrit Tung apo Shtëpisë me Orkide dhe jam mjaftë i sigurte zonje, se do të kem goxha punë. Të shtunën e fundit, zonjë, nuk bëj shaka, vetëm në një ditë të vetme bëra njëqindepesëdhjetë dollarë! Ca nga këto i bëra nga shërbimet. Disa nga turistët nuk dinë se ku të shkojnë e unë u tregoj se ku, e për këtë marrë para të tjera. Ah, zonjë, po t’ua them të gjitha, këto histori nuk kanë fund. Por po u them këtë, zonjë. Në se keni vajzë dhe ajo i thotë të ëmës se sot kam një mbledhje në shkollë dhe nuk do të vij në shtëpi, ti mos i thuaj po, po, por duhet të ikësh e ta kërkosh se ku është, ku ka shkuar, me kë ka shkuar dhe ke për ta marrë vesh. Këtyre të rinjve sot nuk është për t’u zënë besë si neve në kohën tonë. Oh, zonjë, t’i them këto se kam vajzë vet –oh, zonjë, një vajzë që e dua shumë dhe është aq e mirë e mëson jashtë mase. Unë i shoh provimet ku mësuesi i shkruan vetëm ‘shumë mirë’, ‘shkëlqyeshëm’, e kështu me radhë. Oh, zonjë, ajo është fëmija im i zgjedhur dhe unë e pyes se çfarë dëshiron të bëhet pasi të mbarojë shkollën e mesme, e ajo më thotë se ka dëshirë të vazhdojë universitetin. Asnjeri nga fëmijët e mi nuk mundi të shkonte në universitet, por kjo, kjo është shumë e shkathët dhe inteligjente, jo se e mburr, zonjë por kështu thonë edhe mësuesit e saj. Ajo studion në shtëpi, ndihmon edhe të ëmën, por ndonjëherë përton pak dhe thotë se mësuesi i ka kërkuar të shkojë përsëri në shkollë, mbas dite, për të kryer ushtrime ekstra, trajnime ekstra, në lëndën që është e dobët, në matematikë, zonjë. Kështu që e i jap leje të kthehet përsëri në shkollë dhe ndonjëherë vjen vonë në mbrëmje, bënë mësimet e shkon të flejë gjumë. Pastaj një ditë, oh zonjë, u mërzita si asnjëherë tjetër – një ditë, po ngisja taksinë time dhe duke ecur, hej! Më zuri syri një vajzë që mu duk si vajza ime, ishte me vajza të tjera dhe me ca europian përpara një kafeneje, por mendova se nuk kishte si të ishte ajo, ajo është në shkollë dhe kjo këtu është e veshur mirë, ka bërë edhe tualet, paska sjellje të paturpshme dhe nuk i ngjan aspak vajzës sime. Pastaj hynë brenda në kafe, dhe zemra ime u bë shumë shumë – si mund ta përshkruash, zonjë, zemra ime u bë si “susah hati” (si e tharë) dhe thashë me vete se do t’i qepesha e do t’ia zbuloja mashtrimin e saj dredharak. Tamam ditën tjetër ajo ishte përsëri atje, ndalova taksinë, zonjë, ta dish si u bëra. Iu hodha përsipër bijës sime bastarde mistrece dhe e kapa për krahësh e për zverku, e qëllova me shpulla e ajo filloi të ulërasë, por mua nuk më bëhej vonë. Pastaj e tërhoqa zvarrë drejtë taksisë dhe e çova në shtëpi, aty e rraha përsëri mirë e mirë sa e bëra për dreq. Gruaja ime dhe disa fqinjë ma hoqën nga duart, dhe po të mos ma kishin hequr, jam i sigurtë se do ta kisha vrarë atë vajzë. Për tri ditë e mbylla në dhomën e saj, dhe më vinte turp t’i tregoja të vërtetën mësuesit të saj, por i thashë se ishte e sëmurë dhe iu luta t’i justifikonte mungesat. Oh, zonjë, si do të ishit ndjerë në vendin tim? E bëri veten leckë, kur babai i saj bredh me taksi gjithë ditën për të fituar para për ta çuar atë në universitet.
Si i thonë kësaj pune, zonjë? Po, po, tani është çdo gjë në rregull, faleminderit. Përveçse kur vete në shkollë ajo nuk ikën më nga shtëpia, dhe gjithmonë i them së ëmës ta kontrollojë, të kontrollojë çdo gjë që bënë ajo, dhe shokët e saj – ç’lloj njerëzish janë ata. Oh, zonjë, këta të rinjtë e sotëm, sa problematik që janë…Çfarë, zonjë? Si thatë? Ah, jo! Më vjen keq, zonjë, nuk mund t’ju pres sa të mbaroni mbledhjen. Duhet të iki shpejtë, ju lutem të më falni. E kam me ngut, zonjë. Duhet të nxitojë për tek hotel Elroi – atje ka shumë të rinj për t’u peshkuar. Më vjen shumë keq, zonjë, dhe shumë, shumë faleminderit.
Përktheu: Ruzhdi Totaj
Komente