Romani “Kulla e nëmur” i Myzafer Berberit

Kur shkëmbejmë “tepsitë” me miqtë
Romani “Kulla e nëmur” i Myzafer Berberit
(ese)

Nga Përparim Hysi

Titulli i kësaj eseje është pak i veçantë. Por, me të vërtetë, kështu ndodhi. Me autorin e romanit “Kulla e nëmur” u pamë për herë të parë. Për herë të parë, në një sofër me miq të nderuar: që të gjithë të penës. “Nuni” i gjithë këtij kumti kaq të bukur e kaq miqësor, ishte Poeti, prozatori dhe ish- gazetari i gazetës “Luftëtari”, Ibrahim Gani. Ibrahim Gani është miku im i mbi pesëdhjetëvjetëve. Ai festoi 85-vjetorin e lindjes dhe aty u takuam. Për t’ju “familjarizuar” edhe ju, me këtë takim kaq festiv, nuk e teproj, nëse lakoj edhe pjesëmarrësit e tjerë. Në krye të tavolinës qëndronte, fisnikja apo aliaz Doktorja e SHkencave Filologjike, zonja Myzejen Shapllo; më tutje, botuesi i “Nacional”, poeti me emër, Muj Buçpapa. Mandej, Dr. Myzafer Berberi, Flori Slatina, Profesor-doktor Ilinden Spasse dhe, më i “humburi nga të gjithë, unë. “Nikoqirja” që zbukuronte këtë takim, padyshim, ishte vajza e vetme e Ibrahimit, e mira si asnjë: LUIZA! Kur them e mira si asnjë, mos e mirrni si një ekzagjerim, por si një të vërtetë të paluajtshme. E kam njohur, kur Ibrahimi e mbante me një dorë, dhe, deri sot, që, pothuaj, i ka të martuar të dy djemtë: njërin jurist dhe tjetrin dentist.

* * *
Pikërisht, në këtë takim festiv ndodhi dhe njohja reciproke me Myzafer Berberin. Gjatë takimit i “kryqëzuam” shpatat për autorë të ndryshëm dhe, siç e çmoj, unë e Myzaferi i bëmë “shpatat gushë për gushë”. Tip impulsiv unë, por dhe ai nuk e hante “thatë” dhe, si për të nxjerr “inatin” karshi njëri-tjetrit, u takuam për së dyti (tani rrethi qe më i vogël): unë, Myzaferi, Ilindeni dhe mikja e përbashkët: Meri Lalaj. Aty Myzaferi më dhuroi romanin “Kulla e nëmur” dhe unë i dhurova dy libra me poezi dhe një me tregime. Ndërsa e lexoja romanin “Kulla e nëmur”, m’u ravijëzua një ngjarje nga fëmijëria. Më ra dhëmbi i parë dhe gjyshja ime e mirë, më tha:- Hidhe mbi çati dhe thuaj:- Na të argjendtë dhe kthema të florinjtë! Po. As më pak dhe as më shumë:Myzaferi ma ktheu të florinjtë. Se i tillë është romani “Kulla e nëmur”.

* * *
Në një vështrim të përgjithshëm, pa frikë mund të them për të: në romanin e Myzaferit ka poezi. Siç duket, them unë, autori ka patur parasysh atë thënien aq me vlerë të Bodlerit që thotë diku:” Shkrimtari dhe në prozë duhet të jetë poet”. Nuk ka roman (aq sa kam lexuar unë, natyrisht) që të mbërthen dhe nuk të lë ta lëshosh nga dora. Ndodh, pa zënë e tregojnë se një djalë i thërriste babait të tij:
-Baba kam zënë një hajdut. Ta mbaj apo ta lëshoj?
-Mbaje,- sokëlliu i ati.
-Mbaje- mbaje,- zu të qahej i biri. E mbaj unë, po nuk më lëshon ai.
Provoni ta lexoni dhe do më jepni të drejtë.
* * *
Mbresat e mia pas leximit të romanit janë të shumta. Autori si”arkitra” të romanit ka vënë gjakmarrjen. Këtë fenomen kaq dramatik që vret dhe sot kësaj dite duke na vënë mbi ballë një damkë alla- mesjetë. Duke e gjykuar nga tema që trajton në roman, përsëri më vjen një aluzion tjetër. Pjesa ime racionale e ndërgjegjes zë dhe ngacmohet me pyetje retorike,si:- ç’e shtyu autorin drejt kësaj teme? Ai është në pension dhe fare mirë mund të relaksohet e argëtohet si qindra e qindra moshatarë të tij? Por Myzafer Berberi jo vetëm e ka trajtuar me shumë poezi romanin, por duket sikur është futur as më pak dhe as më shumë, po mu nën lëkurën e personazheve të tij. Duke qenë vital, me penën e tij, ai e ka humbur indentitetin e vet dhe nuk është më Myzafer, jo që jo, por as që është më nga Pogradeci. Ai është “Veriori” që e flet të folmen e Veriut si një vendali i mirëfilltë. Kjo e folme i jep kolorit romanit dhe lexuesi befasohet. Duke qenë vital, ai më kujton shumë mirë atë thënien me vlerë akisome të Dantes që” idiferentëve” ua kish lënë vendin mu në anët më të errta dhe, sa për “Verior”, ai më kujton të Përndershmin At Zef Pllumbi. Një folklorist mund të shkruaj një libër të veçantë për doket e ritet e Veriut vetëm duke lexuar romanin dhe, të njëjtën gjë, e kam hasur tek “Rrno për me tregue”. Mirë i ndjeri dhe i Përshëndritshmi françeskan që ishte nga ato treva dhe kishte meshuar Veriut, por si ka mundur ky, pogradecari, që të bëhet kaq verior?
* * *
Sado që ngjarjet në roman, historikisht, janë larg shekullit tonë, por kambanat janë për ata që kanë veshë: plaga e gjakmarrjes rrjedh, mjerisht, deri në ditët tona. Duke sjellë pasazhe të kësaj drame që zhvillohet në Veri, autori di që të ndërhyjë dhe para lexuesit,zhvillohet dhe evidentohet thënia:- Trimi e fal gjakun. Nuk je trim,se merr hakën, por kur e fal hasmin. Ka faqe të tëra ku në “kuvend të burrave” vendosen fate njerëzish dhe, për një çast, nuk ke se si mos ndjekësh me ankth këtë dramë kaq të dhimbshme.
Në paraqitjen e personazheve, autori ka durimin e një piktori apo të një skulptori. Ka personazhë të tillë që të mbeten në mendje. Dashurohesh pas tyre dhe jeton me gjithë momentet e jetës. Herë dramatizohesh dhe “sakatohesh” (sidomos nga vrasjet e kobshme), por dhe gëzohesh, kur fillon romantizmi apo dhe ndonjë baladë e vërtetë dashurie.
Në opinionin tim, murgu GJORG ( ai fiton atributin: GJORGU I Mirë), më kujton Atë Serzhin e Tolstoit dhe, sa për atë baladën me Leandrën, do të thosha, sa dallojnë ato baladat që kemi lexuar nga autorë të huaj. Një vend nderi në galerinë e personazheve të romanit, pa dyshim, zë Sutë Shkurtaj, ajo “burrnesha” që kish tagrën për të thënë fjalën e saj në “Kuvëndin e burrave”. Kjo, Sutë Shkurta, sikur është motra “siameze” e Tringës apo ca më tutje, e Norës së Kelmendit.
* * *
Personazhet e një libri të mbeten në kujtesë dhe nuk çlirohesh lehtë prej tyre. Nuk kam se si “çlirohem” as nga Age Gjergji dhe as nga Uk Toma. Në gjykimin tim, këta perosnazhë i ka skalitur si të gjallë, por duke e shtrirë mendimin tim dhe më tej, them: unë kurrë nuk do t’ia bëja “pis” ballin Uk Tomës. Një flirt me Dalinën aq të mirë, mua më mbushi me emocione të dhimbshme, të cilat, mandej u pasuan me atë dramë aq të dhimbshme. E, sa për Leonorën, siç mendoj unë: boll e kish atë “flirt” me uratën. Ma “vrave” Uk Tomën, Myzafer! Ma bëre “pis” dhe, sa vë re, të paktën në ndërgjegjen time, kam pësuar atë “sindromën” që ndodh me personazhet e Shekspirit: edhe kur bëjnë të këqija, nuk urrehen plotësisht. Kështu ndodhi dhe me mua. Natyrisht, është merita e autori. E sa për AGE GJERGJIN, jam gati të shkoj e t’i puth pllakën e varrit.
* * *
Ndoshta jam i gabuar, por në gjykimin tim, në roman ka personazhë që duket sikur vinë nga një planet tjetër. Kjo ndodh se autori është erudit. Këtë “harron” apo e bën enkas, është punë e tij. Por ardhja e profesor Hanit dhe doktorit gjerman, vendosen jo në një fshat, por në një “auditor akademik”. As priftëresha dhe as prifti, në gjykimin tim nuk kanë atë”formim”, par exelencë, që mund të dialogojnë me alabanologun e dëgjuar dhe doktorin specialist. Ky është roman dhe autori ka të drejtën e tij të pakonstetushme nga askush, që t’u japë personazheve të tij ato atribute që zgjedh vet, por, për mua qoftë dhe si lexues, mjedisi aq artistik( me piktura të piktorëve me emër në botë) sikur është paksa i “kërkuar” në cilindo fshat shqiptar, sado që të ardhurit (prifti e priftëresha) qenë të shkolluar. “Konvalashenca” e tyre për shkaqe shëndetësore nuk mund të zgjaste aq.
* * *
Përdorimi i të dy dialekteve në roman tingëllon fare harmonik dhe më kujton vetëm “Gjahun e malësorëve” të Kristoforidhit që e shkroi veprën e tij enkas për të dy dialektet. Autori ka vepruar sipas thënies: sipas vendit, kuvendi. Dhe e ka bërë si askush tjetër.
Së fundi, autori i ka shkuar deri në infinit “Kullës së nëmur” si një realitet që ai, siç duket, nuk ka dashur ta shmang. Duke “vrarë” UK Tomën, “shëmbi” dhe kullën.
NJëlloj fundi, paksa fatal që unë do ta kisha shpëtuar.
Sidoqoftë, këto janë mendime të një lexuesi dhe aq.
E uroj autorin shumë miqësisht:- Të falnderoj për këtë roman kaq me vlerë ku ke investuar jo vetëm erudicionin si krijues, por, sikur ke vënë shpirtin në të.

Tiranë,18 janar 2016

Leave a Reply