PUTHJA E PARË
RAJMONDA HYSI
Tetori erdhi prap…Gjethet po bien
Nuk janë të vyshkur por ngjyer me ar
Ato të heshtura, përdhe pa frymë bien
Po …mbajnë dicka nga puthja ime e parë
Ishte tetor dhe qe një pemë flokëverdhë
“Mbyll sytë …hape gojën” tha Ai
Thashë – një mollë do jetë a karamele
Kur… në buzë më ranë buzët e tij
Nuk kish fryt më të ëmbël , jo, në botë
Për sytë e mi të shtangur, të hutuar
Ai si Guinpleni qeshte … Mos nga qielli
Po vinin këto gjethe të rrëzuara?
“Janë gjethet e mia …s’kisha tjetër
T’u dhuroja se ju dua shumë”
Sikur po fliste kurorëza e pemës
Si gjethet dridheshim, ai dhe unë
Të nesërmen unë doja puthje prapë
Puthje të ngrohta, të ëmbla, të shpejta, dëndur
I doja nën atë pemë , nën ato gjethe
I doja dhe fshehur njerëzve, dhe në ëndërr
O dashuri që u ndërron ngjyrën e syve
Atyre që me vete i ke marrë
Dhe një plakushi nis i gëlon rinia
Sa nga parajsa i t’i vijë puthje e parë
I lutem tetoreve mos ma kanë parë
Puthjen e parë të endet dikund…
Pema e largët është ftohur me mua
Se kam ikur aq larg…pa anë e fund
Sa herë vjen tetori, në dritare
Pyes me lotë në sy zogjtë shtegëtarë
Pyes erën …I them “të fal margaritarë?
Ma sill edhe një herë puthjen e parë!”
Po zogjtë as era nuk më sjellin gjë
Kushedi dikush hallatkë bën më të
Me të shënjtën time – oh, puthjen e parë
Që cdo tetor më përlotë në dritare
Hartford CtUSA.Shtator 2007
Komente