“Psherëtima e gjethes” dhe “faji” i shpirtit
“Psherëtima e gjethes” dhe “faji” i shpirtit
Aleksandër Çipa
Me një frymëmarrje organike poetike dhe me një ndjeshmëri tipikisht vetjake, në librin e vet “Psherëtima e gjethes”, autorja A. Kruti i jep mundësinë lexuesit të shijojë divinitetin e shpirtit të rrëfyer poetik, të një poeteje.
Nuk është fjala për një rrëfim klasik të çastpërjetimeve të rrjedhura në jetën e saj si qenie, por është mendimi për një lëndë poetike e cila është formësuar përmes pjesëzimit të saj në përditshmëri. Rasti i saj të vetëshfaqet, si formë e organizmit që romantikisht jeton çdo ditënatë të jetës fizike. Lexuesit të vet, ajo lehtësisht ia zhbën distancën e mosnjohjes, pasi ka arritur në poezinë e fundit të librit. Në mbërritje-fundfjalën e librit, lexuesi vetiu pëson një ndarje dhe fiton një njohje. Është njohja post-tekstuale me autoren, e cila përfaqëson në ditë të ashpra sociale shpirtin e dëlirë të zonjëzës mendjepeshuar.
Natyrisht, unë iu referova aktualitetit personal të njohjes me këto tekste, të cilat në shumësinë e tyre janë fragmente të lidhura të një jetëkohe njeriu. Një romantizëm i cili i bën sfidë refuzimit aktual, aq të shumëndeshur, në shijen masive për teka-format letrare. E thënë me gjuhën e shijimit të kësaj poezie, autorja Kruti të ofron jo vetëm mjeshtërinë e fjalës, por edhe tejqyrjen e përjetimit. Ajo është një impresioniste në fuqi për çdo ditë. Por ka një ethos të kurdoshfaqur, delikat dhe ndjellës.
Në një gjendjeformë të përhershme, me një shpirtndjeshmëri prej Eve, autorja në poezinë e vet shembull-shfaqet zonjë e përkorë dhe adhurimtare e shpirtit njerëzor. Diferencën dhe raportin me jetë-gjërat e ndërton vetë, jo me pragmatizëm,por me besnikërinë e ndërgjegjedashurisë. E tillë mbetet edhe në poezinë me titull ”Në fillim-fund, ti”. Kemi të bëjmë me një shpirtfemër që e larton shqisën dhe vetinë përjetuese, duke mbetur besnike e lëndinës së përhershme të poetizmit. Një aftësi safoiste e cila të befason në modestinë e vet, duke ngritur jo thyerje të forta mendimesh, por duke mbajtur nga poezia në poezi, ngrohtësinë e amësisë femërore. Cilësinë natyrale të kësaj ngrohtësie e pasuron përmes materies së përvojës dhe ndjesisë shpirtërore. Në këtë aspekt, libri “Psherëtima e gjethes” ofron rastin adhurues të nënës që për krijesën e vet sublimohet në atë masë sa e vërteta është njëherësh hyjnore dhe, anasjelltas. Në shumë poezi dhe vargje të këtij libri kjo ngjizje është evidente, është surprizuese dhe përbën një model tipik për krejt antologjinë e sotme të poezisë cilësore të botuar shqiptare. Në këtë veti dhe për kësi cilësish autoriale, përmes librit “Psherëtima e gjethes” të mbetet në vlerësim dhe përshtypje, e rrallë si në rastin e vet, kjo autore. “Se brenda meje pushtoj pa kufi liri-hapësira”.
Autorja, në këtë libër, është në procesin refleksionues me jetën vetjake dhe atë rrethuese. Kjo pashmangshmëri universale krijuese, te fjalë-poezia e A.Krutit mbart dimensionin dhe veçanësinë vetjake. Kjo është meritë e verifikueshme prej çdo lexuesi. Për këtë shkak dhe për arsyen themelore të peshës specifike të fjalëthënies, A.Kruti është poete e vëmendjetërheqjes. “Jeta ime…Kurthi im!Shtrat i ëndrrave pa mbarim.”
Diku një poet i quajtur Dhori Thanasi shkruan:”…Të duash është pak / të kujdesesh është shumë”. Këtë provë të pazhbëshme A.Kruti e dëshmon në poezitë e rrjedhura prej raport-përjetimeve me birin e vet, me atin dhe njerëzit e afinitetit vetjak. Kjo është cilësi spikatëse e autores, pra është cilësia e njeridashjes, si një element potencial dhe virtyt vetjak, i cili jo vetëm në princip, por në forcën e verbit të rrjedhur e bën autoren, krijuesen që dashurinë për vetveten i mbart dhe i mban, si një korpus të përbashkët me atë të dashurisë për njeriun.
Në këtë libër, me një prurje tipike safoiste, ka vargje që të tingëllojnë apo lënë shijen e psikogrameve. Këtë konstatim prej kohësh nuk kam mundur ta gjej në libra të tjerë autoresh shqiptare. Për shkak të shumëfishimit të përjetimit, imazheve, ngacmueshmërisë së lartë, mbresëlënies, për arsye të vlerave të tjera të papohuara prej meje në këtë shënim, ky libër mbart lëndën e përhershme tekstuale, të vlershme për vlerësimin e autores. Anila Kruti me poezinë e vet është jo në raport pengmbajtjeje, por në relacion binjakëzimi dhe shpirtzanie. Për shkak të kësaj ndërlidhjeje, ajo na jep mundësinë të drejtbesojmë “mëkatësinë” e shpirtit të vet ndaj faljes, prekjes, lëndimit dhe përkushtimit deri… në “psherëtimë të gjethes”.
Gazeta Shqip…1 maj 2011
Komente