Poeti mistik Nexhat Peshkëpia

Nexhat Peshkepia

                   Nexhat Peshkepia

Anton Çefa

Një zë i veçantë në letërsinë tonë

Poeti mistik Nexhat Peshkëpia

 

Nexhat Peshkëpia lindi në Vlorë në vitin 1908, në një familje me tradita patriotike me origjinë nga Gjirokastra.

Mësimet fillore i bëri në qytetin e lindjes; të mesmet, në Lece (Itali); të lartat në Belgjikë. Mbasi kreu studimet, u  emërua mësues matematike e fizike në Shkollën Teknike të Tiranës.

Që në orët e para të pushtimit italian, u rendit në radhët e para të rezistencës kundër pushtuesit, dhe, me krijimin e Ballit Kombëtar, – alternativa politike që kishte në themel të veprimtarisë së saj nocionin e kombit, të çlirimit të trojeve etnike e të bashkimit kombëtar, – aderoi në këtë organizatë. U shqua për një punë të madhe agjitative me gojë dhe më shkrim. Si anëtar i Nënkomitetit të Shtypit të kësaj organizate, ai hartoi pjesën më të madhe të trakteve, që bënin thirrje për luftë kundër pushtuesve, demaskonin, më vonë, shkaktarët e luftës vëllavrasëse, sqaronin popullin për platformën e Ballit, trajtonin çështjet e Kosovës e të Çamërisë, etj.

Në prag të marrjes së pushtetit nga komunistët, u largua nga atdheu për të mos e parë më. Mërgoi  fillimisht në Itali e Francë dhe, në vitin 1953, në SHBA, ku iu përkushtua me mish e me shpirt luftës për çlirimin e atdheut nga diktatura e kuqe. Po atë vit, u zgjodh anëtar i  Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, që qe formuar në Paris më 1949 dhe kishte qendrën në Romë. Më 1954, u zgodh anëtar i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Robëruara të  Evropës (ACEN),  që kishte për qëllim çlirimin e popujve të shtypur të Evropës Lindore nga sundimi sovjetik dhe regjimet komuniste satelitë të tij.

Nga 1956 deri sa vdiq më 1970, qe kryeredaktor i gazetës “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë.

Shquhet si publicist e studiues letërsie dhe si poet. Ka botuar, në v. 1966, studimin “Fan Noli si poet dhe si poet përkthyes”, një studim me vlera të mëdha njohëse dhe edukative në fushën e kritikës letrare. Në vitin 1967, botoi një përmbledhje poezish lirike e prozash poetike lirike a “hartimesh letrare”, siç i quan ai, me titullin “Një zemër në mergim”. Veprimtarinë letrare e vazhdoi edhe mbas këtij botimi dhe kishte ndërmend të botonte edhe një libër tjetër dhe mund të punonte edhe më e më në këtë fushë, por vdekja ia shkurtoi jetën para kohe, në moshën 62-vjeçare.

 

*   *   *

“Një zemër në mërgim” është i ndarë në dy pjesë me nga disa cikle; përfshin 13 poezi lirike origjinale, njëra prej të cilave një epitalam në gjuhën italiane; 10 hartime poetike lirike origjinale; 2 imitime në prozë, me ndërrim personazhesh, respektivisht nga A. Mickiewicz-it dhe J. Kasprowicz-it; 7 përkthime në prozë (një nga Chevalier de Jaucourt, dy nga Felicite de Lamennais, tri nga Adam Mickiewicz dhe një përkthim nga një Anonim). Vepra ka një parathënie të huajtur nga “Hi dhe shpuzë” e Lumo Skendos, dy skica, gjithashtu, të huajtura nga Shefki Miraku dhe Miftar Spahija, si dhe një sonet të Arshi Pipës. Në fund, një pasthënie, sqarime për strukturën e librit, për disa hartime poetike origjinale dhe për përkthimet dhe një fjalorth.

Lirikat në poezi e prozë të  “Një zemër në mërgim” shquhen për frymën mistike që i përshkon, dukuri që i jep poetit një vend krejt të veçantë në lëtërsinë tonë; jo vetëm të bashkësisë sonë shqiptaro-amerikane, me aq shumë vjershërime e me aq pak poezi, por të letërsisë kombëtare, në përgjithësi.

Misticizmi i Peshkëpisë më tepër se një përsiatje filozofike mistike për Perëndinë, gjithësinë dhe njeriun në përgjithësi – çka është shtrati ku lavrohet filozofia dhe poezia mistike – është i lindur, i ushqyer, i frymëzuar nga një hise e kësaj gjithësie, që është atdheu i robëruar që vuan nën diktaturën komuniste dhe nga një njeri i caktuar: shqiptari i mërguar.

Gjithsesi, sado që misticizmi i Peshkëpisë vjen në letërsinë tonë në vazhdë të mistisizmit naimjan, dhe ndryshon qenësisht nga ai, përndritjet vezulluese të flakës së “Qiriut” luhaten dhe jehona e këngës së “Fyellit” të Naimit dëgjohet në mesazhet e vargjeve të frymëzuara nga dashuria për atdheun dhe një gjakim sublim për t’i shërbyer atij deri në përkushtimin mistik vetëflijues merr frymë thellë në to. Është poeti mistik që “këputtet” si “teli i llambës së varur”. (“Psalmi i të dahurit të lirë”, f. 24.).

 

Në “Baladë ilire” (f. 22), poeti i drejtohet atdheut:

 

“Sëmundja ime ka lodhur mjekët.

Oh, o i im ! Ti je gjëja dhe shkaku

i çdo shqetësimi, i çdo trishtimi,

i çdo heshtjeje, i çdo mendimi,

Gjëja dha shkaku i këtij ligjërimi.”

 

Si poetët mistikë persianë të rrymës letrare sufiste të shekujve X, XI dhe më vonë, Peshkëpia përdor dendur simbolet, fjalë e sintagma të ngulitura, të pandryshuara, që përfaqësojnë koncepte a objekte konkrete. Kështu: “Oh, o i im (shprehje eliptike për “Oh, o i dashuri i im”), në vargjet më sipër, dhe: “I dashuri” në vargjet që pasojnë simbolizojnë atdheun.

 

“Zoti im e di që nëqoftëse zemrën ma ka pushtuar i dashuri,

përmbi çdo mendim qëndron Ai vetë, Zoti im.

Të dashurin e kanë zhveshur dhe lidhur shtrënguar. E kanë

hedhur në bodrumin më të thellë të kështjellës së rrethuar.

I dashuri ndodhet i ndryrë në kështjellën e rrethuar

nga shtatë muret e trasha.

Zoti im do t’urdhërojë të nisem. Do të nisem, brezin ngjeshur trish, për të përmbysur thronin nga u shqiptua urdhëri,

për të prerë dorën që përdori çelësin si kyç.”

(“Psalmi i të dashurit të lirë” f. 24.)

 

Dashurinë dhe mallin për atdheun e largët i përshkon një frymë dëshprimi për fatin e rëndë, po edhe një frymë hyjnore, e ndjerë me kënaqësi dhe dhimbje. Nën peshën e reflekseve të kujtimeve të atdheut të largët, përjetohet nga poeti një ekstazë lumturie me nota të madhërishme: “Lënda e shpirti që përbëjnë qenien time janë kredhur tani në një lloj lumturie. Duket se në këtë shpirt është shuar çdo gjakim shqetësues, në këtë lëndë është shuar çdo  epsh.” (“Malli i Atdheut”, f. 8-9.)

Përpjekjet për ta inkuadruar në një klasifikim didaskalik teoriko-letrar nuk japin ndonjë përfundim konkret, siç do ta donte, më së shumti, studimi i krijimtarisë letrare dhe kritika.

Ky zë i veçantë mistiku ka një formë të veten shprehjeje, shpesh të njëmendësuar  me një  rigorozitet të skajshëm, së cilës i shërben një stil i qartë e i përcaktuar, me lëmuetësinë e një klasiku dhe një gjuhë e zgjedhur me kujdes; e pastër dhe e pasur.

Mendimin teorik të Peshkëpisë për procesin krijues në hullinë e artit poetik, e përshkon një vlerësim tepër i lartë. “Në përpjekjen (më vjen të thom, në përpëlitjen) e tij dramatike për çlirim, një poet krijon” – ka shkruar Nexhati. E tilllë mund të përcaktohet edhe poezia e tij: një përpjekje e pareshtur dramatike, që buron nga mërgimi i detyruar dhe nga padrejtësia e fatit të atdheut.

Elementin poetik, ai e quan “një element që nuk përcaktohet, që s’mund të përkufizohet me fjalë, që është universal, që prek jo çdo njeri, por qenien njerëzore dua të thom, … element që kthen një dhimbje personale të kufizuar në një dhimbje të ndjerë nga gjithësia, …element që na rrëmben shpirtin, që na ndrydh zemrën,…që kthehet në një dhëmbje depërtuese në çdo zemër, në çdo shpirt, në t’imin, në tëndin, në t’atijin.”;  “një cilësi misterioze artistike…”, që nuk ka të bëjë me artin e përpunimit të vargut.

Vlerësimet e Peshkëpisë për artin poetik bëjnë dëshmi të njohjes së thellë të poezisë, të aftësive të tij intelektuale dhe ndjenjësore në përceptimin e poezisë gjatë leximit dhe në kulturën e shijet e tij estetike.

 

Nga vepra letrare e Peshkëpisë:

 

Selvija

 

A thue din lulja çka ndijmë për te ?

            Heshtojmë ! Ajo krye-ulun andrron

            Li vadhet që la.

  1. Camaj: “Lirika mes dy moteve”

 

Askush s’e di

Pse kjo selvi që, dikur e hajthme,

Si shembëll shtati merrej

E vajzave të lezme të vendit tonë,

Sot,

E zhveshur nga vetitë krenare:

– Dru i lartë dhe i drejtë,

I mermë, gjithmonë i blertë –

Qëndron e kërrusur,

Me degët e thata, pa rrëshinë.

Vetëm tri fatitë e dinë

Që s’janë reshjet, rungallat, stuhitë,

Por

E shpërngulur përtej deteve,

Rrënjët nuk mëndin lëndinën që e leu:

Është e huaj limfa,

Është i huaj dheu!

 

Kundër logjikës

Dy jetët

 

Njeriu i urtë vështron pas; pa ecur arrin.

            Lao-Tse, mistik kinez; shek.VI përpara Krishtit.

 

Secili prej nesh  rron dy jetë: njëra  është e dukëshme

Dhe tjetra e padukëshme.

Jeta e dukëshme është ajo që rrojmë në shoqëri.

Jeta e padukëshme është ajo që rrojmë në vetmi.

Do me thënë:

Jeta në shoqëri është “e sotmja”, jeta në vetmi  është “e djeshmja.”

Këtë na e thha i urti:

I urti në vetmi kërkon të gjejë të vërtetën duke u kthyer në “të djeshmën.”

Dhe  “e djeshmja” i del e shtrembët.

“Të sotmen” nuk e dimë. “E sotmja” do të duket kur ajo të bëhet  “e djeshme.”

Prandai i urti kërkon të vërtetën sëprapthi.

Ai  struket në vetmi dhe del nga “e sotmja” për t’u kredhur në “të djeshmen”.”

Mësuesi i të urtit: “E djeshmja.”

*   *   *

I riu shpejton të thotë:

“Fjalë pa logjikë. Si mund të gjëndet e vërteta sëprapthi?

Si mund të gjëndet e drejta me anën e një gjëje që është e shtrëmbët:

Me anën e “së djeshmes” ?”

Ashtu arësyeton ai, i lumturi, i riu që s’ka “të djeshme.”

 

Fluturimi

 

–           Lamtumirë, tha dhelpra. Ja sekreti im. Ai është shumë i thjeshtë: vetëm me zemër mund të shihet mirë. Për sytë thelbi është i padukshëm.

 

Nexhat Peshkepia

Nexhat Peshkepia

  1. De Saint-Exupery: Le petit Prince. (Princi i vogël).

 

O ti që përqëndrohe

Dhe shtrydh mendjen

Për t’i krijuar flatrat poemës,

Si s’ke kuptuar

Që metrika, ritmi, rima,

Prozodia e tjerë,

Janë sqima,

Stoli loje, qelqurina pa vlerë?

Gjersa

S’ke derdhur xhevahiret e zemrës

Që të vezullojnë vargjet e zbeta,

Si mund të dridhëzohet shema

Që të labërgohen troketë

E të marrë fluturimin poema?

 

Pa titull

 

Duke fshikur barin e kopshtit, dëgjova që po afrohej: “Nuk më njeh?” më pyeti.

U ktheva, e kundrova dhe thashë: “S’mund të vë asnjë emër mbi fytyrën tënde.”

“Unë jam hidhërimi i parë i jetës tënde në rini.”

Sytë e saj ndritnin si një pikë vese mëngjesi, dhe heshtëm të dy, gjersa thashë:

“E ke shterur gjithë peshën e lotëve?”

Ajo buzëqeshi pa u përgjegjur, dhe kuptova atëherë se lotët e saj kishin patur kohë të mësonin gjuhën e buzëqeshjes.

“N’atë kohë ti thoshje se do të më mbaje në zemër si një thesar të çmuar dhe për gjithnjë hidhërimin.”

U trubullova dhe thashë: “Ashtu është, po vjetët kanë kaluar dhe harresa s’mungoi dhe erdhi me kohë.”

E zura nga dora: “Edhe ti ke ndryshuar” shtova.

“Çdo gjë që dikur ka qenë dhëmbje, tani është bërë qetësi.”

 

Shënim: tri krijimet e para janë marrë nga “Zemër në mërgim”, e fundit nga libri përkujtimor botuar pas vdekjes së poetit: “Nexhat Peshkëpia 1908 – 1970”.

 

 

Leave a Reply