PESË GURË PLUS NJË

pirro loli

                 Pirro Loli

PESË GURË PLUS NJË

Nga Pirro Loli

Më kapën në turmë kur po largohesha drejt jugut. Kishin armë të shkurtra automatike karaqaf e për këdo që i kundërshtonte e vinin gishtin në këmbëz. Kishin thika nëpër duar që i hapnin si sustë e tehu i tyre lëshohej në ajër si klithmë. Më hipën forcërisht në një “xhip”lufte, më lidhën duart nga pas e gojën ma mbyllën me një letërngjitëse të fortë që më shtërngonte tmerrësisht nofullën. Nuk mbaj mënd sa orë udhëtova nëpër muzg. Përfundova në një çadër ushtarake që kish vetëm një krevat, Me sa dukej ishte e ndonjë oficeri madhor. Më lidhën pas krevatit nga një këmbë si qen. Oficeri ishte një trupmadh nja dyzet vjeç, vetulltrashë e me syze të errta. Pas pak, dy militarë i sollën darkën, një paketë të madhe me lloj llj ushqimesh dhe një shishe shampanjë. Dukej i urtë e kur më hodhi një sy nga koka në këmbë , buzëqeshi i lumtur sikur kish fituar gjithë botën. Më zgjidhi duart që më ishin mpirë, më hoqi ngitësen nga goja, por jo litarin që më kishte lidhur pas këmbëzës së krevatit. Do hamë bashkë ,tha, kam porositur për dy. Diçka doja t’i thoshja ,por ndieva se më kishte humbur zëri. Më rrëmbeu nga flokët e më puthi. Ndieva në buzë buzët e egra të kafshës. Mbylli derën e çadrës me zinxhir e tha se kjo do jetë nata jonë. Ndezi dhe dy qirinj të trashë si orthodhoks i bindur në Krisht, bëri dhe kryqin. Hapi shishen e shampanjës , piu dy gllënga e ma zgjati dhe mua. Ujë, ujë, pëshpërita. Ujë pijnë derrat, tha, njerëzit pijnë verë. Më futi grykën e shishes forcërisht në gojë e ma ktheu. Nga etja thitha pak e sikur m’u njom shpirti. U ul pranë një komodine dhe hante e pinte me qejf. Herë herë zgjatej, më kapte nga flokët, më afronte nga vetja dhe më puthte. Kish vetulla të trasha dhe një dhëmb prej floriri, dhëmbin e majtë, të qenit. Flokët i kish të zinj, të shkurtër qimepërpjetë, qafën të trashë me ca qime të bardha si të ujkut.
Filloi të më çvishte. Mblodha forcat dhe e shtyva. Qeshi. Dëgjo, tha, po kundërshtove, do të të ther. Therëm , i thashë, therëm, do ta di për nder. M’u vërsul. Kish duar të hekurta e unë si një foshnjë mjerane lidhur pas krevatit si qen. Më ngrinte peshë, më puthte si i marrë, më shtërngonte sikur donte të ma nxirrte shpirtin e më përplasi në krevat..Koha kish ngjrirë. Në atë çadër lluksoze digjeshin dhe qanin me lotë të nxehtë dy qirinj
* * *
Pas mezit të natës ca hijena të zeza ushtarësh që m’u dukën se qenë ata të “xhipit” luftarak, më rrëmbyen në duar. U kishte telefonuar oficeri “im”. Ejani, merreni ! Është e egër shumë, po ka një seks të shijshëm…Ata ishin katër dhe çadra e tyre kishte katër krevatë. Kutërbonte graso, djersë këmbësh dhe alkol. Nuk mbaj mend asgjë nga ajo çadër. Koha ishte këputur mbi mua kufomën. Si në një tym të rëndë agonie, dëgjova atë të fundit në radhë që tha : Tani duhet ta vrasim, e marr unë përsipër, tha që do t’ia përdredh kokën dhe do ta hedh në përrua ta hanë sorrat…
O Zot I Madh, pse sisët e mija nuk u bënë koka kobrash për ta ?! Pesë gurë mbi kufomën time. Përjetësisht mbi mua. Të rëndë, të rënd,gurë ferri që lëshonin jargë dhe pështyma. Ë ? Kuj t’i them të m’i presin gjinjtë, seksin, mitrën si dëshmitarët më modernë të kësaj lufte ?
* * *
Ai mëngjes kishte hedhur shi të dendur me b;orë e frynte erë dimri. Befas kishte plasur lufta pranë çadrave e ai oficeri “im” kishte dhënë alarmin për dalje nga rrethimi. Militarët lëviznin si hijena, merrnin ç’të mundnin me ngut dhe largoheshin. Kuptova që mua më kishin lënë pa më vrarë me plumb me thikë apo me përdredhje koke. U nisa në drejtim të kundërt të tyre e bëra tutje duke u zvarrisur si gjarpër. Drizat e shkurret e kafshët e egra më hapën udhë e u gjenda rrëpirave të një përroi të thellë. Dridhesha si purtekë e mbi mua binte borë e lagur. Nuk di sa u enda kështu, por ecja, ecja pa e ditur për ku.Zvarrisesha me këmbë e me duar, grisur e gjakosur gjëmbash e drizash e gjarpëri do kish ngordhur ,por unë nuk ngordha. Rashë në një fshat të vogël e një plakë më hapi derën. Serbe qe. Desh të më jipte bukë e ujë, por iu luta vetëm për ca tesha. Më dha nga të vetat. Më hodhi dhe një bufan të vjetër. Desh të më mbante. E përqafova, i putha dorën dhe ika. Më përcolli deri te dera e bëri kryqin që zoti të jetë me mua.
* * *
Nuk isha e zonja të vrisja veten. Ndoshta më von do të gjeja ndonjë mënyrë të përshtatshme… Më von do mësoja se disa vajza e gra që kishin pësuar fatin tim, kishin shpëtuar duke u vetvrarë. Raca ime e kish më të rëndë përdhunimin se sa vrasjen. Mësova se njera prej tyre kishte mundur të kthehej në shtëpinë e vet. Babai, nëna e burri, kur ua kishte treguar të vërtetën, kishin grisur faqet dhe kishin heshtur tre ditë si gurë varresh. Babait i kish shpëtuar fjala” më mirë ta kishin vrarë” e ajo,në mëngjes, kish marrë rrugën e qe hedhur nga shkëmbi. Të vetët e kishin gjetur dhe kishin bërë zakonet e vdekjes si ta kishin trimëreshë. E vetëm pas kësaj familja e saj kishte guxuar ta shihte botën sy më sy.
…Do kemi luftë, më tha Drini, burri, i miri im e duhet të ruhemi mos na zërë ndonjë fëmijë. Shiti dhe traktorin gjëmëmadhi të përballonte vitin e tretë të bursës sime e më tha se pas lufte do blejmë një traktor të ri me goma… Më fal , i dashur, harromë, harromni të gjithë ju familjarët e mi !Tani jeta ime është bërë e pakuptimshme,e pazbërthyeshme, e padepërtueshme dhe s’ka Zot e djall të më japë udhë.

* * *
Zbrita në nj rrugë asfalti. I nxorra dorën një autobuzi që shkruante “Beograd”, hipa. Kisha qënë vetëm një herë te tezja ime. E mbaja mend lagjen por jo rrugën ,as numurin. Ajo ishte martuar me një serb nga I ati e kroat nga e ëma, por fisi ynë nuk e kish për zemër as atë e as të shoqin e të tilla martesa ndër ne ishin shumë të rralla. Më pritën mirë.U tmerruan me gjëndjen time. ”të paska vajtur syri në mes të faqes ,moj bijë , ç’të ka ndodhur, mos na është vrarë ndokush ?” Jam vrarë unë , thashë e u tregova…Tezja qau e më mori në gjoks e mishin e faqes e vuri në thoj, dhe heshti, heshti , pa gjetur dot një fjalë..
Do më pranoni ?
Posi , moj bijë ,ç’është ajo fjalë?
Nuk munda të kthehesha në shtëpi ?
Këtu je në shtëpinë tënde.
Nuk do ta kini të lehtë të mbani një kufomë..
Mos më lëndo, bijë..Po pa na thuaj si u shpëtove nga thonjtë ?…
* * *
Ndërsa ligji i natyrës mërmëriste e gjallonte në mua, i verbër , por i fuqishëm, sikur s’kishte ndodhur asgjë. M’u prenë periodat e një ditë ndjeva në bark ca lëvizje të çrregullta, sikur lëvizte këmbët djalli. U tremba e qava e gjithë natën m’u qas i gjallë filmi i zi i asaj nate. Ja thashë dhe Tezes e ajo u mundua të më qetësonte. Mos u tremb, bija ime, gjithçka do ta kalojmë së bashku. Po si, moj nënë ta lind e ta rrit fëmijën e një bishe ?!Po , bijë, po. Zoti na vë në provë edhe ty edhe mua. Fëmija është i pafajshëm, është gjaku yt e ndoshta një ditë do bëhet edhe dashuria jote ku mund të mbështetesh. Do ta kem gur në qafë, nënë, gur. Jo ,mos, mos se Zoti të dëgjon e,e ..e gjithnjë ka më keq…..

E di mirë. Ata të mijtë më kërkojnë. Gazetat janë mbushur me listat e të humburve. Atje është dhe emri im. Mosha dhe gjatësia e kockave sipas specialistëve. Emri im është dhe në listat e OKB, në të humburit natyrisht. Burri im, Drini ka dërguar në një gazetë dhe fotografinë time veshur nuse ditën e martesës para një viti. Unë e di .Një grusht eshtrash për rracën time kanë më tepër vlerë se unë e gjalla e përdhunuar. Eshtrat edhe të shpërndara këtu atje, mblidhen e nderohen e mbulohen me baltë të ndershme, me zë e me heshtje të ndershme. E, kur mbulohen dhe shkruhet dhe emri mbi gurvarr familja ndjehet e çliruar nga mankthi e nga turpi. Unë quhem e përdhosur në jetë të jetëve e unë jam baltë e përdhosur mbi shpinën e të gjithë farefisit…Po unë akoma nuk jam një grusht eshtrash shtrirë e shpërndarë gjithandej. Dhe nuk mund të hesht siç heshtin eshtrat…

Shpresoja që ky gur ivogël në trupin tim të më vriste mua ose vetveten…Duart imbërtheva fort në hekurat e krevatit e kisha vendosur të mos nxirrja zë. Përpëlitesha, dridhesha e djersët më kullonin. Diku rashë e humba në një hon. Ishte ithellë, ithellë po një pickim gjëlpëre në krah më pruri në vete. Thirr, motër, bërtit nëse të vjen për të bërtitur.. Ashtu, bravo! Shtërzimet i ke normale.. Bravo, një rast i rrallë që nëna nuk nxjerr zë. I vdekuri nuk ka zë,thashë e kafshova buzët deri në gjak.Më në fund diçka e madhe, e rëndë si gur m’u shkëput nga barku dhe ndieva një lehtësim të çuditshëm. Djalë !,bërtiti mamia…Pas disa orësh tezja tha se duhet ta vija foshnjën në gji,se kisha bërë një fëmijë të shëndoshë e bardhosh.. Si i ka vetullat nënë ?Vetullat ?! Po dhëmbin e florinjtë e ka ? Atë të majtin, të qenit,e ka?! Ç’flet, bija ime, ç’flet kështu përçart ?!..Tezja ma afroi në gjoks.Ishte një kollopan i vogël,por i rëndë si gur, gur flokëzi me faqe të kuqërremta, me gushë të mishtëme, gur me sy të mbyllur që lëvizte duart në ajër.Pa shih, ke bërë një djalë si pëllumb.. Pse qan ? Ndieva gjokset të shtërnguara.Si nuk kanë turp gjinjtë e mi ?! Gurkollopani hapi gojën dhe zhyti nofullat në mua si llupës. E ndieva rrjedhjen e çuditshme tek rrithte e ashtu me një dhimbje të lehtë, të patregueshme gurgulloi qumështi në fytin e të voglit. Ishte i pari akt pajtimi me fatin tim që nga nata e filmimit të zi. A ka vetulla ky gur ? Vetulla të trasha desha të them. A e ka atë dhëmbin e qenit të florinjtë ? Tezja nuk e di këtë dëshirën time e më merr për të lajthitur. Ndërsa unë , natën në gjumë, më duket se e shoh atë dhëmb, më duket se i ka çarë faqen dhe ika kërcyer si dhëmb derri i egër…Ky dhëmb do më tregojë dhe rrugën time. Ky dhëmb dëshmitar i një gjaku të pavullnetshëm do më çojë kudo, ndoshta rreth e rrotull botës, deri sa ta gjej; e do ta kërkoj në kryeministi, në mbrojtje a sigurim, në gardë a në polici, dhe akt pas akti do bëj planet e mia, edhe sikur ta gjej dhe ai…, dhe sikur të mos pranojë, ..dhe sikur të…unë do ta kërkoj mbrekullinë…unë akoma nuk e di ç’do të ndodhë…po bota duhet të trembet nga unë se të vdekurit janë të frikshëm dhe ngihen nga varri si fantazma…

Leave a Reply