PËRJETËSIA
I
Jam sot,
Si vjet,
Si mot,
Si përgjithënjë.
Në trupin jam
Në zemr’ e shpirtin t’ënd.
Kur jam në trupin t’ënd,
Jam domosdo
Dhe jashtë trupit t’ënd prej vetvetiu:
Në pemën jam, që shije ty të jep,
Në fluturën, që krahat ti j-a çik,
Në lulen jam, që erën ti j-a merr.
Që brënda trupit desha t’a bashkoj
Dhe veten t’ime-atje përjashta ti:
Dhe hapa shteg-bashkimi nëpër trup:
Atë të gojës, plot margaritar,
Atë të dorës, ndritur si zëmbak,
Atë të hundës, drejt posi qiri.
Pra ti shijon një pemë-embëlsi,
Ti çik me dorë fluturën-stoli,
Ti merr me gas një erë-fshehtësi:
Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,
Bashkohesh brënda me përjashtësi,
Bashkohesh jashta me përbrëndësi,
Bashkohesh fellë me përjetësi.
II
Jam sot si vjet,
Jam mot si përgjithnjë.
Në trup,
Në zemër jam,
Në shpirtin t’ënd.
Kur jam në zemër t’ënde,
Jam vetiu
Dhe jashtë zemrës s’ate domosdo:
Nër pyje jam, që syri t’i vështron,
Nër këngë jam, që veshi t’i dëgjon.
Që brënda zemrës desha t’a bashkoj
Dhe veten t’ime-atje përjashta saj:
Dhe hapa shteg-bashkimi nëpër të:
Atë të syrit, plot me shkrepëtim,
Atë të veshit, plot me tingëllim.
Pra ti shëkon një pamje-bukuri,
Pra ti dëgjon një këngë-llaftari,
Pra zemra ndjen një ndjenjë-fshehtësi.
Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,
Bashkohesh brenda me përjashtësi,
Bashkohesh jashta me përbrëndësi,
Bashkohesh, tretesh me përjetësi.
III
Jam sot,
Jam vjet,
Jam mot,
Jam përgjithnjë.
Në trup,
Në zemër,
Jam në shpirtin t’ënd.
Kur jam në shpirtin t’ënd,
Jam domosdo
Dhe jashtë shpirtit t’ënd prej vetvetiu:
Në mal, që mëndjen ty t’a çqetëson,
Në hon, që mëndjen ty t’a turbullon,
Në det, që mëndjen ty t’a llaftaron,
Në qjell, që mëndjen ty t’a qjellëson,
Në djellë, mëndjen që t’a djellëson,
Në botë, mëndjen që t’a botëson.
Që brënda shpirtit desha t’a bashkoj
Dhe veten t’imë-atje përjashta ti:
Dhe hapa shteg bashkimi nëpër shpirt:
Shteg të mendimit, plot me dlirtësi,
Ah! të mendimit plot me errësi…
Pra ti kupton ah! ti s’kupton tashi,
Një mal-e-hon-e-det-ah! llaftari,
Një qjell-e-djellë-e-botë-ah! fshehtësi.
Nër shteg-bashkimi, që ti s’di sesi,
Bashkohesh brënda me përjashtësi,
Bashkohesh jashta me përbrëndësi,
Bashkohesh-ritesh-me-përjetësi.
Komente