Panairi I librit shqip ne Bronz

Pierre-Pandeli Simsia

Siç edhe ishte njoftuar, ditën e diel, më 23 Maj 2010, në Bronx, Nju Jork, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi aktivitetin e saj të rëndësishëm: “Dita e librit shqip”në formën e një panairi.

Mëngjesin e 23 Majit, u zgjova më herët nga ditët e tjera edhe pse kisha fjetur pak orë. Prisja shkrimtarin Tomë Paloka të vinte e të më merrte me makinën e tij.
Do udhëtonim gjatë nëpër udhët dhe lagjet e ndryshme të Nju Jork-ut, për të shkuar në orar në Bronx, tek “shtëpia” jonë e librit.
Toma do vinte tek unë për të më marrë, e pastaj do shkonim në shtëpinë ku banon shkrimtari ynë Fatos Kongoli dhe bashkëshortja e tij, Lili, për t’i sjellë në atë “shtëpi”
Shkrimtari Kongoli jeton midis Shqipërisë dhe Amerikës, sepse, dy fëmijët e tij të martuar, të cilët kanë marrë nënshtetësinë amerikane, jetojnë dhe punojnë në Nju Jork
E kam falenderuar dhe e falenderoj shkrimtarin Kongoli, që iu përgjigj me kënaqësi ftesës sime, për të qenë i pranishëm në atë aktivitet të rëndësishëm, mes bashkatdhetarëve të tij, mes miqsh e kolegë, duke e nderuar shoqatën me pjesëmarrjen e tij.
Gjatë rrugës, (meqenëse edhe kohën e kishim të mjaftueshme) edhe pse ishte hera e dytë që po bisedoja nga afër me shkrimtarin, e njoha me shoqatën, anëtarët, aktivitetet e ndryshme që ajo aktivizon…
I them se, midis anëtarëve në shoqatë, do takohesh edhe me një bashkqytetaren tënde nga Elbasani, poeten Iliriana Sulkuqi.
Sigurisht, u gëzua shumë. Buzëqeshi! “Iliriana ka qenë nxënësja ime në shkollën e mesme në Elbasan. Pastaj ajo iku në Tiranë, në shkollë… Kam shumë vite pa e parë…”
Dëgjoj tingullin e ziles së telefonit; ishte presidenti i shoqatës, Adnan Mehmeti. Kishte edhe ai merakun e tij për shkrimtarin…
Salla e madhe e takimit, e zbukuruar këndshëm si për festë, nën përkujdesjen e bashkatdhetares sonë të kudogjendur në aktivitete të ndryshme në komunitet, aktivisten e palodhur, Blerta Alikaj, që ofroi sallën për aktivitetin e rëndësishëm, u bë për disa orë, shtëpia e krijuesve shqiptaro-amerikanë dhe gjithë pjesëmarësve që erdhën për të nderuar dhe respektuar shoqatën, librin, krijuesit, për t’u takuar dhe çmallur me njëri tjetrin.
Në sfond të sallës ishte vendosur “Pema” “Të ribëjmë një botë prej shpirti”, punuar nga poetja Iliriana Sulkuqi, ku janë shënuar emrat e krijuesve shqiptaro-amerikanë, që nga Noli e Konica e deri në ditët e sotme dhe ata krijuesa letrarë që do të shtohen në të ardhmen.
Sipër saj, me gërma të mëdha ishin shkruar:
SH.SH.SH.A. MIRËSEVINI POETË DHE SHKRIMTARË TË NDERUAR
Në dy pjesët anësore të sallës, ishin vendosur tavolinat, ku do rrinin ulur krijuesit letrarë, duke ekspozuar edhe librat e tyre të botuar.
Në mes të sallës ishin karriget, ku do të uleshin pjesëmarrësit. Dhe, në një vend kryesor e të dukshëm, ishte edhe tavolina ku do rrinin ulur anëtarët e jurisë së konkursit: gazetari i mirënjohur në komunitet, Dalip Greca, Kritiku letrar, i talentuari, Ilir Seci, shkrimtari Pal Ndrecaj.
Presidenti i Shoqatës, Adnan Mehmeti, Kryetari i Shoqatës, Dalan Luzaj i ardhur nga Chicago, bashkë me Nënkryetarin e Shoqatës, Mëhill Velaj dhe anëtaren e kryesisë, Këze (Kozeta) Zylo, që kishin ardhur që në orët e para të mëngjesit, i shikonim gjithmonë në lëvizje, me merakun e tyre, që asaj feste të mos i mungonte asgjë. Dhe vërtet, ashtu ndodhi.
Shohim në sallë, ata që kishin ardhur më herët dhe ata që vinin njëri pas tjetrit: “Bijtë e Shqipes” nga Philadelphia, Kryetar i shoqatës “Bijte e Shqipes” Petrit Zanaj, Sekretari, Vlashi Fili, Llazar Vero, anetar i kryesise se shoqates, Aulona Goxhaj, poete dhe anëtare e re në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikaë, Ivzi Cipuri, anetar i kryesisë së Shoqatës “Bijte e Shqipes”.
Bashkë me ta, kishte ardhur edhe Dr.Ibrahim Gashi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare në Tiranë, i cili u ndodh për vizitë pranë vajzave të tij në Philadelphia dhe e Virginia.
Dr. Gashi, kishte shprehur dëshirën e tij për të marë pjesë në atë aktivitet të rëndësishëm, në ditën e librit shqip dhe, sigurisht, dëshira-kërkesë e tij u mirëprit nga presidenti i shoqatës dhe ne të gjithë bashkë.
Shkrimtari dhe regjisori i mirënjohur, Pëllumb Kulla, bashkëshortët, aktivistët e nderuar në komunitet, Rita dhe Adem Saliu, Tomë Paloka, Rozi Theohari, Shpresa Vranari, Guri Stefani, Raimonda Moisiu, Aulona Goxhaj, Sabie Dervishi, Genc Leka, Ramiz Gjini, Nexhat Imeraj, Eleonora dhe Kostandin Gjoka, Shpend Gjoçaj, Qazim Doda, Eduard Dilo, skenografi, Astrit Tota, Makfire Canolli, Luigj Çekaj, Ramiz Muja, Isuf Grajçejvci, Margita Markaj…
Takohemi, përqafohemi, shmallemi me njëri tjetrin, bisedojmë.
Midis pjesëmarrësve, dallojmë edhe Vilma Mehmeti, Bujar Fejzulli, Honela dhe Bruno Kumi, Jurges Çina, Mandi Vranari, …
Ishim të gjithë pjesëtarët e asaj familje të madhe që na kishte mbledhur atë të diel, për të gëzuar dhe festuar së bashku, ditën e librit.
Midis të pranishmëve, me entusiazëm u prit edhe ardhja e Konsulles së Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, zonja Admira Jorgji, shkrimtarit të mirënjohur, Fatos Kongoli dhe bashkëshortja e tij, Kryetari i VATRËS, Dr. Gjon Buçaj.

Moderatorja e programit, Këze (Kozeta) Zylo, hapi programin, duke falenderuar pjesëmarrësit. Pastaj ajo ia dha fjalën Presidentit të Shoqatës, Adnan Mehmeti.

Presidenti Mehmeti i bëri një përmbledhje punës tre vjeçare të shoqatës, aktivitetet e ndryshme që janë zhvilluar.
Më pas, Adnan Mehmeti përsëriti edhe njëherë, atë që është diskutuar shumë herë, ngritja e një qendre kulturore, brenda së cilës do të jetë edhe biblioteka me libra në gjuhën shqipe, duke u shprehur se: “Është koha për një mbështetje më të madhe morale dhe financiare”
Presidenti Mehmeti, falenderoi edhe ata, që u treguan të gatshëm të ndihmojnë shoqatën financiarisht, pa ndihmën e të cilëve, nuk do ishte bërë i mundur aktiviteti: Lekë Gojçaj, Vesa Bardhi nga agjensia “Vesa Travel”, Harry Bajraktari, Drenusha Dreshaj TV-ALB, Fejzi Sulejmani, Mark dhe Mëhill Përlleshi, Ismet Peruku, pronarët e restorantëve “Zymi” dhe “Two Star” të cilët ishin edhe pjesëmarrës në sallë

Më pas, fjalën e mori Kryetari i Shoqatës Dalan Luzaj.

Midis të tjerash, duke falenderuar themeluesin e shoqatës, poetin Gjekë Marinaj, kryetari Luzaj, iu drejtua krijuesve: “Duke hedhur në letër talentin, dëshirën dhe ëndrrën, ju hidhni edhe një pjesë të shpirtit tuaj dhe dilni para lexuesit sa për kënaqësi, aq edhe për gjykim, me jehonë dhe pa avokat mbrojtës…”.
Poetët, si gjithmonë dinë të flasin bukur, duke përdorur edhe metaforat.
Midis të tjerash, në mënyrë metaforike, poeti Luzaj tha: “Kisha një lug mjaltë. Me atë lugë mjaltë, doja të kënaqja gjithë Vlorën. E futa në një enë të madhe me ujë të pastër, që secili të pinte nga pak. Por, kisha gabuar, sepse asnjëri nga ata që piu nuk u kënaqën. Atëherë, kuptova që kisha gabuar, sepse atë lugë mjaltë edhe pse në sasi të vogël, duhej ta kisha servirur ashtu siç ishte”.
Ai rrëfim metaforik bëri që pjesëmarrësit ta duartrokisnin kryetarin Luzaj.

Konsullja e Shqipërisë në Nju Jork, znj. Admira Jorgji, përshëndeti Shoqatën e Shkrimtarëve dhe aktivitetin, për të cilin kishim ardhur. Në fjalën e saj, midis të tjerash, ajo premtoi, që institucioni që ajo përfaqëson, do të jetë më pranë shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. ..
Aktivitetin e Shoqatës e përshëndeti edhe Kryetari i VATRËS Dr. Gjon Buçaj.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i VATRËS shprehu gëzimin dhe kënaqësinë pse gjendej midis krijuesve shqiptarë.
“Ashtu sikurse VATRA u shërbeu njerëzve të mëdhenj të penës, Noli, Konica, ashtu do t’ju shërbejë edhe juve” tha midis të tjerash, Dr. Buçaj.
Befasuese dhe emocionuese për të gjithë të pranishmit, ishte edhe pjesëmarrja në takim e një vajze amerikane nga Cansas City, Cara Lefevre, e cilas përshëndeti pjesëmarrësit në gjuhën shqipe.
Enigmës së të gjithë të pranishmëve, se si një amerikane e fliste aq pastër gjuhën tonë të bukur shqipe, e spjegoi vetë Cara: “Unë kam parë një film të shkurtër dokumentar për Shqipërinë. Pastaj, vendosa ta shikoja Shqipërinë nga afër. Dhe, kur mbërrita atje, vetëm një javë m’u desh që të bija në dashuri me vendin tuaj”. Pas atij udhëtimi të shkurtër, u ktheva në Kansas City për të përfunduar kolegjin. Pastaj shkova dhe qëndrova në Tiranë edhe tre muaj të tjerë, të cilat i konsiderova si shumë të dobishëm, sepse kam dhënë mësime anglisht, ku në të njëjtën kohë fillova mësimin e gjuhës shqipe. Ishte një gjë e bukur, sepse ata që më rrethonin, këmbëngulnin, që unë të flisja vetëm shqip”. foli amerikania Cara në gjuhën shqipe.
Amerikania Cara tregoi edhe se si u miqësua me shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, duke falenderuar presidentin Adnan Mehmeti, që u bë urë lidhje mes saj dhe shoqatës.
Edhe shkrimtari Fatos Kongoli, shprehu kënaqësinë që gjendej midis bashkatdhetarëve, kolegëve të tij, madje e quajti befasi të këndshme, që ndodhej në një panair libri.
Midis të tjerash, shkrimtari Kongoli solli pjesë kujtimesh nga e kaluara e tij me ata, që po i shihte në atë sallë.
Ai foli për ish nxënësen e tij, Iliriana Sulkuqi, që rastësia e solli ta shihte pas shumë vitesh.
Gjithashtu ai foli edhe për njohjen e tij të parë me Ramiz Gjinin, i cili, në fillimvitet 90-të, kur Kongoli punonte në gazetën “Rilindja Demokratike” dhe kur Gjini kishte trokitur në redaksi, për të botuar një tregim të shkurtër, shkruar me shkrim dore. Kur i lexova tregimin, e them me plot bindje, që ai tregim ishte një perlë e prozës së shkurtër. Ia kam botuar menjëherë në gazetë, duke e shoqëruar me një shënim, ku i kërkoja lexuesit ta mbante mend mirë emrin e këtij autori”
Kongoli solli kujtime të bukura dhe të paharuara edhe me shkrimtarin e mirënjohur, Pëllumb Kulla.
Mëhill Velaj, në çdo aktivitet që zhvillon shoqata dhe komuniteti ynë, njihet si mjeshtër i drejtimit të programeve.
Me humorin e tij të hollë, që e shoqëron në çdo bisedë, ai e bën atmosferën gazmore dhe të këndshme, duke fituar edhe duartrokitjet e pjesëmarrësve.
Për një çast, humori i tij, sikur i iku nga shprehja e fytyrës së tij, kur ai përmendi njeriun e urtë, anëtarin e shoqatës sonë, mikun, kolegun, krijuesin Gjeto Turmalaj, i cili nuk ndodhej atë ditë në sallë, sepse prej disa muajsh, Turmalaj gjendet i shtruar në spital pas një operacioni, që, siç e përmendi edhe Mëhilli vetë dhe që e dëshirojmë të gjithë ne, i urojmë shërim të shpejtë dhe të dalë sa më shpejt nga spitali Gjeto Turmalaj.
Ramiz Muja, anëtar i shoqatës, i fali shoqatës pllakatën me emblemën e saj, punuar në dru.
Ajo ditë mbresëlënëse, nuk mund të kalonte edhe pa ngjyrat poetike.
Aktori i mirënjohur, Shaban Lajçi, recitoi me ndjenjë dhe emocion, vargje nga “Lahuta e Malcisë” adaptuar nga Shaqir Krasniqi.
Vargjet shoqëroheshin në tingujt e lahutës. Gjithashtu recitoi edhe Shpend Gjoçaj.
E “zonja” e shtëpisë, aktivistja e mirënjohur, Blerta Alikaj, pasi përshëndeti aktivitetin, duke u uruar edhe mirëseardhjen të pranishmëve, foli për aktivitetin e saj, në sallën edhe ku u mbajt ai aktivitet.
Emocionant ishte edhe çasti, kur juria do shpallte edhe fituesit e konkursit letrar në gjini të ndryshme.
Anëtari i jurisë Pal Ndrecaj, i bëri një përmbledhje gjithë prurjeve letrare në konkurs.
Çdo çmimi letrar i ishte bashkangjitur edhe nga një zarf, brenda të cilit ndodhej një çek 500 dollarësh, për çdo fitues të konkursit.
Mëhill Velaj lexoi pesë emrat fitues të konkursit “Pena e Artë”.
Për librin më të mirë në poezi, u vlerësua me çmimin “Pena e Artë” Iliriana Sulkuqi, për librat “Po plas” dhe “Qirinjtë e Galaktikës.
Çmimin Sulkuqit, ia dorëzoi shkrimtari Fatos Kongoli.
Për librin më të mirë me tregime, u vlerësua me çmimin “Pena e Artë” Fatjon Pajo, për librin “Shpagimi”
Meqenëse autori Pajo, nuk mund të vinte dot nga Chicago, çmimin e morri Dalan Luzaj, për t’ia dhënë Fatjonit, meqenëse banojnë në të njëjtin qytet.
Për librin më të mirë në publiçistikë, u vlerësua me çmimin “Pena e Artë” Uk Lushi, për librin “Shqiptaro-Amerikanët e UÇK-së” kronikë e Batalionit “Atlantiku”
Meqenëse autori, për arësye shëndetësore, nuk ishte i pranishëm, presidenti Adnan Mehmeti, ia dorëzoi çmimin e Uk Lushit, Lekë Gojçaj-t për t’ia dhënë atij.
Për librin më të mirë në gjininë e romanit, u vlerësua Pierre-Pandeli Simsia, me romanin “Një dashuri e vrarë”
Çmimin Simsisë, ia dorëzoi Konsullja e Shqipërisë në Nju Jork, znj. Admira Jorgji.
Zarfin me çekun 500 dollarë, Pierre-Pandeli Simsia ia dhuroi shoqatës së shkrimtarëve për nevojat e saja, ose për njerëzit në nevojë.
Ndërsa Iliriana Sulkuqi, çekun 500 dollarë, gjysmën e shumës ia dhuroi shoqatës së shkrimtarëve dhe gjysmën tjetër shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Përkthyesit rumun Marius Dobresku u vlerësua gjithashtu me çmimin “Pena e Artë” për përkthimin nga gjuha shqipe në gjuhën rumune të vëllimit me tregime “Atdheu prej dëbore” të autorit Ramiz Gjini.
Në mungesë të përkthyesit Dobresku, çmimin e mori Ramiz Gjini për t’ia dhënë atij.
Çmimi iu dorëzua nga Kryetari i VATRËS, Dr. Buçaj.
Nënkryetari i Shoqatës, Mëhill Velaj, njohu të pranishmit edhe me anëtarët e rin krijuesa, që i shtohen shoqatës sonë: Makfire Canolli, Pal Ndrecaj, Margita Markaj, Isuf Grajçevci.
Në fund të takimit, anëtarët e shoqatës zgjodhën edhe kryesinë e re.
Poeti Mëhill Velaj, propozoi për kryetar të shoqatës, të rizgjidhet Dalan Luzaj, i cili u votua nga të gjithë.
Pastaj vetë kryetari Luzaj, zgjodhi tre emrat për kryesinë e re.
Iliriana Sulkuqi nënkryetare.
Mëhill Velaj dhe Kostaq Duka, sekretarë të shoqatës.
Pas mbledhjes gjithë të pranishmit shkuan në restorantin ROZAFA për të drekuar.
Kështu u ndamë të gëzuar nga ajo ditë e bukur, e paharuar dhe mbresëlënëse, për t’u mbledhur prap në aktivitetet e tjera të shoqatës dhe të komunitetit.
Takimi u përcoll nga mediat lokale dhe nga TV 21.

“FotjonArt”, 28 maj 2010

Leave a Reply