Noli si perkthyes
Noli si perkthyes
Nga Prof.Dr. Diana Kristo
Gjatë kohës që shkruaja disertacionin “Shekspiri në gojën e Nolit”, pata rastin e mrekullueshëm të shfrytëzoja atë pjesë të bibliotekës së Hirësisë së Tij që i ishte falur bibliotekës shkencore të Universitetit të Tiranës. Menjëherë më tërhoqën vëmendjen shënimet e Imzot Nolit në anë të faqeve të librave. U përqendrova në ato shënime që kishin të bënin me veprat e përkthyera, të gjitha shënime zbërthyese, analiza të shkurtëra por të thella të fjalëve dhe ekuivalencave kuptimore. Kjo ka qene dhe një nga mësimet më të vlefshme me një domethënie të madhe: në do te largohesh nga përkthimi i varfër fjalë për fjalë, zbërthe dhe hyr në botën e brendshme të tekstit, bëhu e ndjeshme ndaj nuancave më të imta gjuhësore e kulturore sepse pa këtë njohuri, nuk mund të arrish të kuptosh idiomatikën që përbën edhe themelet e ngrehinës së një gjuhe.Kjo nga njera anë, njohuritë e thella të përftuara nga leximet e shumta në të dyja gjuhët dhe në nëntë gjuhë të tjera, qëmtimi i fjalëve të shqipes me fletoren e shënimeve në dorë në bisedat me plakat e Bostonit më anë tjetër, ka bërë që Noli të na dhurojë disa nga përkthimet perla të gjuhës shqipe.
Si përkthyes, Noli e filloi veprimtarinë e tij qysh më 1903 në Athinë, në moshën 21 vjeçare me dramën “Armiku i Popullit” të Ibsenit. Por vetëm më 1915 e shikojmë të hyjë me sukses të madh në fushën e përkthimit të letërsisë artistike, ku kishte debutuar qysh më parë me përkthimin e disa pjesëve të shkurtra të Molierit, Stendalit, etj. Atë vit ai botoi një nga kryeveprat e Shekspirit “Othellon” për të cilën thotë se ka punuar “nëntë muaj” duke shtuar, “mburrem vetëm që munda ta përkthej”. Një vit më vonë botoi poemën “Skëndërbeu” të Henry Woodsworth Longfellow.
Më 1926, kur Noli ndodhej në Gjermani, dalin nga shtypi gjashtë përkthimet madhore të kryeveprave botërore si Hamleti, Jul Qezari, Makbethi, Armiku i Popullit, Zonja Ingra e Ostrotit, Rubaiat, të cilat përfshijnë pothuaj të gjitha përkthimet e tij artistike me përjashtim të Don Kishotit që u botua më 1932-33.
Me ardhjen e tij në Amerikë, Noli i vihet punës për përkthimin nga greqishtja të serisë së librave kishtare dhe këtë e bën në dy drejtime: nga greqishtja në shqip për brezin e vjetër të shqiptarëve dhe nga greqishtja në anglisht për brezin e ri, i cili kishte filluar të mos e kuptonte gjuhën amtare.
Po ta gjykojmë nga koha që u ka kushtuar përkthimeve, dhe nga sasia e punës së kryer, Noli është më prodhimtar në këtë fushë se në të gjitha fushat e tjera. Volumi i përgjithshëm i punës së përkthimit që ka bërë ai, arrin në 7800 faqe nga të cilat 6000 faqe janë përkthime fetare dhe 1860 përkthime artistike.
Pa dyshim që përkthimet që i kanë dhënë Nolit një famë të veçantë në letrat shqipe janë ato të letërsisë artistike. Guximi i tij për të përkthyer kryevepra të letërsisë botërore theu skepticizmin dhe pesimizmin e të gjithë atyre që mendonin se gjuha jonë ishte e varfër, e pazhvilluar dhe nuk mund të përqasej me gjuhët e lëvruara evropiane. Merita e tij nuk ishte vetëm në përzgjedhjen e ajkës së letërsisë botërore por dhe në përçimin e bukurive estetike të tyre të shprehura këto me mjeshtëri të rrallë artistike në gjuhën tonë.
Pak njerëz arrijnë të kuptojnë se çfarë pune bën përkthyesi, të kuptojnë gjithë atë gjimnastikë të vështirë mendore, përqendrim, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një sintaksë e idiomatikë të komplikuar. Madje disa shkojnë aq larg sa thonë se përkthyesi nuk krijon asgjë të re.
Por kjo nuk mund të thuhet kurrsesi për Imzot Nolin. Noli ka shpirt krijues, ai vë në punë fantazinë e tij të pasur pa pasur frikë se i largohet origjinalit vetëm e vetëm që të rikrijojë atmosferën emocionale të tij e për këtë arsye, vende vende ai paraqitet më shumë si një bashkëautor se sa si përkthyes. Pikërisht në këto rikrijime, që teoricienët mund t’i dënojnë si largime nga origjinali, qoftë te Shekspiri, Kajami a Poja, janë kulme të artit tonë poetik. Jo më kot Jokli ka thënë se përkthimet e Rubajave të sjella në ship nga Noli vijnë të dytat pas atyre të përkthyera nga Fitzxheraldi. Për ta ilustruar këtë ide, po sjell një shembull nga Sheksipiri e pikërisht 4 vargje nga Hamleti të përkthyer në dy variante nga dy kolosët e letrave tona, Imzot Nolit dhe të madhit Konica:
Doubt thou the stars are fire
Doubt that the sun doth move
Doubt truth to be a liar
But never doubt I love
Duke ndjekur metodën franceze të përkthimit të poezisë në prozë, Konica na jep këtë version, i cili me disa ndryshime të lehta leksikore i qëndron besnik përmbajtjes por jo formës:
“Ki dyshim se yjtë janë zjarr; ki dyshin se dielli tundet; ki dyshim se e vërteta është gënjeshtër; por kurrë mos ki dyshim se të dua”.
Noli nuk ka zgjedhur rrugën e thjeshtë, atë të transliterimit të fjalëve, por rikrijimin poetik, në të cilin arti i autorit është kryqëzuar me atë të përkthyesit dhe ka dhënë një hibrid të mrekullueshëm, një perlë të poezisë shqipe:
Thuaj yjtë s’janë zjarr
Thuaj dielli u shua
Thuaj jeta është varr
Po mos thuaj që s’të dua.
Mjeshtëria artistike që spikat si në shqipërimin e lirikave shekspiriane, në epigramet satirike të Khajamit e të Servantesit, ashtu dhe në pathosin e Longfellout dhe melankolinë e thellë të Posë, pati ndikimin e vet në mjeshtrat e mëvonë të vargut e sidomos në përkthyesit e e mirënjohur të Shekspirit: Skënder Luarasi, Vedat Kokona e Alqi Kristo.
Adhurimi për veprën noliane nuk ka qenë e rastësishme për mua. Ajo u mbrujt qysh në vitet e feminize e më vonë kur dëgjoja tregimet e babait, Alqi Kristo, për takimin e tij me Nolin më 1946, e midis të tjerave se si Imzot Noli I kishte korrigjuar me dorën e tij disa faqe të përkthimit të “Romeo e Zhuljetës”, duke e udhëzuar: “Merri këto dy vargje dhe bluaji në mendje gjithë kohës, por kujdes most ë të shtypë makina, se unë desh e kam pësuar nja dy herë”.
Megjithëse kanë kaluar 80 vjet nga krijimtaria përkthimore e Nolit, ajo na vjen po aq e thjeshtë dhe e këndshme, harmonike e ritmike. E, siç shqipëron ai Rubaiat:
“Kur unë e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdojë Bota e pavdekur”
e Otellos, Makbethit, Jul Qezarit e Don Kishotit që mendojnë e filozofojnë shqip, që luftojnë e bëjnë paqë, e prapë luftojnë e bëjnë paqe prapë, shqip, duke u sjellë kënaqësi estetike e emocione brezave që do të vijnë.
Dërgoi për “FotjonArt”, At Arthur Liolini,më 11 Qershor 2006
Komente