NJË SKANDAL KULTUROLOGJIK

HANS JOACHIM LANKSCH

HANS JOACHIM LANKSCH

NJË SKANDAL KULTUROLOGJIK

HANS JOACHIM LANKSCH

Simbas njoftimit të disa gazetave, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sezonin e sivjetshëm
artistik e çel me nji koncert me titull paksa bombastik “Tinguj për Përjetësinë”, kushtue “të gjithë
atyre figurave të shquara të artit që vitin e kaluar u ndanë nga jeta.” Lista e figurave të shqueme të
artit që nderohen me koncertin në fjalë âsht kjo: Ibrahim Kodra, Vath Koreshi, Ibrahim Rugova,
Kel Kodheli, Pjetër Arbnori, Dhora Leka, Qamil Buxheli, Dionis Bubani, Luigj Gurakuqi,
Xhemal Laci, Haxhi Dalipi, Aleko Prodani, Dritan Çela dhe Adhurim Lako. Paçin dritë ata.
Çdokujt i vjen keq për humbjen e tyne. Në gazeta të ndryshme, ata quhen personalitete të kulturës
shqiptare, emra që në artin shqiptar kanë lënë vulën e tyre të pashlyeshme etj. Me të drejtë quhen
kështu.
Te gazeta “PANORAMA” lexojmë: “Një vit më parë, jo pak por gjashtëmbëdhjetë
artistë u ndanë nga jeta. Dhe si për ironi, të gjithë në një periudhë shumë të shkurtër kohore,
pothuajse brenda dy muajve të fillim pranverës.” Mirëpo, si për ironi të hidhët, duket se
askujt s’i ra ndër sy që më 17 shkurt të vjetit të kaluem shue së rrahuni zemra e poetit Frederik
Rreshpja. Mospërfshimja e tij në radhën e figurave të shqueme të artit âsht nji skandal i pashoq.
Organizatorët e koncertit me titull bombastik, siç duket, thjesht e paskan “harrue” nji prej poetëve
mâ të mirë të letërsisë shqiptare.
Vërtet, Frederik Rreshpja nuk ka kenë ajo që mund të quhet “personalitet” a “emër” që
mund të prezantohej nëpër spektakle të tipit “eveniment kombëtar” a “eveniment ndërkombëtar”,
as nuk âsht i përkthyem si ndoshta tjetërkush në mâ shumë gjuhë sesa i ka kjo botë e jonë. Nuk
ka kenë nji “personalitet” reprezentativ dhe reprezentabil si disa të tjerë, të gjallë, që trumbëtohen
pandërpré në faqet e medias shqiptare. Frederik Rreshpja ka kenë nji bohemien. Nji shpirt njeriu i
mirë sa buka dhe nji poet i rangut europian.
Në antologjinë “Transcript” që gjindet në internet, poezia e Frederik Rreshpes âsht përkthye
në gjuhët gjermane, frënge dhe angleze në rubrikën e ruejtësve të dimensionit europian në
letërsinë e Shqipnisë, bashkë me poetët Zef Zorba, Martin Camaj, Kasëm Trebeshina, Mihal
Hanxhari dhe Primo Shllaku.
Për fat të keq dhe shumë të trishtueshëm, vendlindja e poetit të madh Frederik Rreshpjes
nuk din me ia bâ homazhet e duhuna e të meritueme, gjâ që âsht – e themi edhe nji herë – nji
skandal i pashoq.

Leave a Reply