NDAJ TJETRIT
DUSHKO VETMO
(1914 – 1999)
NDAJ TJETRIT
Ndaj Teje pa pushim
un eci,
dhe në errësi të kërkoj.
Midis mjegullës të thërres
dhe dritën tënde pres,
o diell,
dhe këndoj
me zën e rruzullimit
etjen e pambarimit,
o agim
i shpirtit tim.
Tjetër tashmë nuk kam përveç dëshiri,
dëshirë të thellë,
nëpër mijëra unazash të rrjedhur
prej rrjedhave të kaluara
prej zemrave të bashkuara.
Dhe brenda këtu te gjiri
tani e mbledhur
Tjetrin lakmon me mua
njerëzia,
dhe noeritë e mia
pas valëvet i qiell
dhe revet pas m’i sjell.
Tjetrin kërkoj,
amëshorin;
tjetrin lakmoj,
të pasosmin.
Dhe ja durimin tim,
pamundjen time.
Nisja Ti je dhe Sosja e gjithësisë,
e sendevet buronjë
dhe e qenjevet pushim.
Por si dëshiri im
kufinj të tillë do të kapë?
Kush mund po mendjes sime
flatra dhe pendë t’i japë?
Ju që vështroni ritmin e Hyjnisë
nëpër dridhjet e hyjvet
dhe nëpër hijet e natës tinëzime
kërkoni;
ju që dëgjoni zhurmën e qetësisë
dhe fjalë e ushëtime
në shtrush hetoni
që gjethi i veshkur bën,
ju ma kallëzoni!
Është verë e bën vapë.
Pëshpëritjet
e gjetheve të lashta
i dëgjoj
edhe sot
porsi herët ata
në Dodonë
por gjuhën e hershme
tani
s’e kuptoj.
Sytë pas flakravet
janë marrë
që vapa dhe nxehti i verës
lëshojnë
përpjetë.
Para syvet dhe mendja dhe zemra kalojnë,
mbi gurin
me trup
unë qëndroj
dhe në humnerë të mendimeve
kallem.
Dhuratën e jetës ku e vura?
Çka bëra me të?
Komente