NA DUHET NJE SPIUN PER MINISTRIN

NAUM PRIFTI

“E keqja të gjen vetë, ndërsa të mirën edhe kur e kërkon, mezi e gjen,” thoshte gjyshi im. M’u kujtua kjo fjalë e urtë pas takimit që pata me Basri Bedatin. Jo, po e korrigjoj veten, pas takimit që pati Basriu me mua. Që prej asaj dite më duket se e keqja më ka futur në shtjellën e saj e po më sjell vërdallë e s’e di si do të dal prej saj, kur do të dal dhe a do të dal. Kjo ndodhi fill pas shkarkimit të ministrit tonë Visarjon Hana nga detyra.
Plenumi i fundit i partisë i flakëriti në fytyrë kritika të forta Visarjonit dhe oshëtima e ciklonit, sikurse ishte e natyrshme, së pari u përplas në dikasterin tonë. Disa parashikuan se karriera e Visarjonit mori fund, se nuk do të ishte pjesëtar i kabinetit qeveritar, se pritej të vinte ministri i ri. Këtë përfundim ata e nxirrnin në analogji me rastet përkatëse të historisë së partisë. Pandehmat e tyre disa i besuan, disa jo, e midis atyre që s’besonin isha edhe unë, mbasi kritikat për njerëz e çështje të ndryshme tani janë praktikë e jetës sonë. Një javë më pas, dyshimet i shkartisi dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor “mbi disa ndryshime në qeveri” që konfirmonte zyrtarisht shkarkimin e Visarjon Hanës si ministër i arsimit për paaftësi dhe njëkohësisht emërimin e Aranit Tartarit në atë post.
Motivim më artificial, madje absurd, as mund të shpiket. A mund të quhet i paaftë një ministër që ka drejtuar dikasterin pesëmbëdhjet vjet me radhë? Shpjegimin e përciptë e gëlltitnin naivët, ata që nuk e njihnin, por jo ne nëpunësit e ministrisë që kishin marrë pjesë kushedi në sa ceremoni dekorimi me urdhëra e medalje me motivacione superlative për aftësi drejtuese, përkushtim dhe besnikëri ndaj marksizmit. Çdo njeri me dy fije mend në krye, arsyeton se zbulimi i paaftësisë pas pesëmbëdhjetë vitesh nuk ka kuptim, madje as nuk i nderon ata që e drejtojnë këtë shtet. Arsye të tjera deciduan shkarkimin e tij, të cilat ata i fshehin, ose nuk duan t’i thonë dhe unë kot vras mendjen ta gjej shkakun e vërtetë.
Ç’jam unë? Një copë instruktor, një nga 54 nëpunësit e rëndomtë që ka ministria jonë. Nuk jam as filozof, as sociolog, as historian, veç më pëlqen të kridhem në mendime dhe të analizoj dukuritë e jetës sonë. Më shpesh e shoh veten time të gjykuar, se sa gjyqtar. Ata më akuzojnë për mendimet që kam dhe as duan t’i dëgjojnë arsyetimet e mia, po ndërkohë edhe unë kam kënaqësi ta gjykoj partinë, shtetin tim për veprimet e gabuara, ose për ato vendime që nuk më pëlqejnë. Jam në opozitë me konceptet e partisë, me vendimet e saj shtrënguese, me mashtrimet se këto masat e viteve të fundit gjasme i shërbejnë revolucionit. Nuk kam pikë respekti për ideologët tanë që e kthyen varfërinë në kult. Le t’i mbajnë për të zgjuar, le ta zotërojnë marksizmin në majë të gishtave, po për mua kushdo që mendon se varfërimi e lidh popullin më ngushtë me partinë, ngren më lart ndëgjegjen e tij politike, e ka gabim gjithë ditën e gjithë natën. A mund të gëzohet njeriu kur e lënë cullak dhe e zhveshin nga çdo pasuri? Le të marrim në shqyrtim tufëzimin e detyruar të bagëtive personale nga hauret e fshatarëve. Për mua ishte krim t’u hiqje nga goja fëmijëve qumështin e dhallin ku ngjyenin kafshatën e bukës dhe paturpësi ta quaje veprimin revolucionar. Tufëzimi u justifikua se do të shtoheshin aq e kaq krahë pune, se do të rritej prodhimi, por në fakt as prodhimi u shtua, as gjendja u përmirësua. Më dhemb shpirti kur i shoh fshatarët tiranas të zbresin në qytet për të blerë një pllakë bukë, tek rrinë si gjynahqarë te dyert e shitoreve të bukës, se shitëset kanë urdhër të mos u shesin bukë atyre. A nuk kanë sy në ballë udhëheqësit tanë ta shohin këtë skenë mjerane? E para, nuk është normale që bujku të blejë bukë në qytet dhe e dyta a nuk ishin këta fshatarë që i mbajtën partizanët me bukë në shtëpitë e tyre gjatë luftës, pa u kërkuar asnjë kacidhe? Derisa fshatarët blejnë bukë e gjizë në qytet, propaganda rreh ujë në havan për mirëqënien e tyre.
Përpiqem ta ruaj pavarësinë time si “homo sapiens,” ndërsa personalitetin… oh, e di, atë e ka ngrënë dreqi me kohë. Nuk jam as trutharë, as i krisur që t’ia besoj dikujt mendimet që gjallojnë në kokën time. Mos vallë jam hipokrit? Jo, fajin e ka tjetër kush, “ata” që më detyrojnë t’i fsheh mendimet. Ndërkohë e di mirë që nuk jam i vetëm, se mendime të tilla e ndofta më ekstremiste se të miat kanë edhe të tjerët, pavarësisht se nuk i thonë as me zë të lartë, as nëpër buzë. Vite e vite me radhë prej nesh kërkohej solidarizim për çdo nismë që merrnin “ata,” dhe ne pavarësisht se e shihnim me neveri, si shtrëngim burgjish, e miratonim, e duartrokisnim. Si rezultat i trysnisë për solidarizim formal, sot jemi shoqëria më e përkryer konformiste që ka njohur historia. Këtë lloj nënshtrimi formal teoricienët tanë marksistë e përkufizojnë si unitet monolit, çka është eufemizmë e kohës. A nuk e dinë ata, sa njerëz dënohen në vit me burgime për agjitasion e propagandë kundër pushtetit, a për veprimtari armiqësore? U pëlqen të vetëgënjehen me fjalët e tyre, çka i ngjet një debili që dehet me ujë. Fatkeqësia e një populli fillon atëherë kur udhëheqësit gënjejnë veten, pavarësisht doktrinës apo sistemit që zbatojnë. Veçse ngulmimi i vazhdueshëm për të na indoktrinuar, a për të na shpëlarë trurin, dha rezultate krejt të kundërta nga ato që synonin ata; si rezultat shtoi dyshimet tona dhe na pajisi me guaskë ideale mimetizimi.
S’kam si ta ndiej veten qytetar të lirë derisa më mohohet liria e mendimit. Jo, u shpreha gabim, më mungon liria e shfaqjes së mendimeve, se aftësinë për të menduar, për fat të mirë, nuk kanë mundur të na e heqin. Truri i njeriut, mrekullia më e madhe e natyrës, e evolucionit, rezervuari i kujtesës së brezave, me procese të ngatërruara biokimike, ua kalon një milion herë edhe kompjuterëve më të përsosur. Ata kanë shpejtësi fantastike llogaritëse, por jo imagjinatë, parafytyrim abstrakt dhe sigurisht as ndjenja. A keni parë ndonjë kompjuter të qajë, të hidhërohet nga humbjet a të gëzohet nga sukseset? Unë i besoj telepatisë, madje edhe valëve të mendjes, të cilat janë forca më misterioze e më e fuqishme e natyrës. Zaten gjenitë dallohen nga njerëzit e zakonshëm nga aftësia imagjinuese e krijuese e trurit, jo nga gjymtyrët, as nga përmasat e trupit, as madhësia e kafkës. Nuk besoj të kenë ardhur njerëz jashtëtokësore me UFO e anije ndërplanetare, por jam i bindur se mendimi ka fuqi të jashtëzakonshme të çajë hapësirat galaktike.
Ndërkohë që kam vërejtje për sistemin politik, i shërbej një regjimi që nuk e dua për të ushqyer veten dhe familjen. Duket paradoksale, por s’ka opsione të tjera. Privatizmi u zhbi për jetë e mot dhe sot të gjitha punët janë shtetërore, ose të varura nga shteti.

* * *

Ministër i Arsimit u emërua Aranit Tartari, ish sekretar partie në një rreth të vogël, i panjohur dhe i padëgjuar për ndonjë kontribut në fushën e arsimit a të kulturës. Pse u kap me grep Araniti disa qindra kilometra larg kryeqytetit, derisa Universiteti i Tiranës ka profesorë, estetë e pedagogë të nderuar? Nuk dija si ta shpjegoja ngritjen e karrocierëve apo të sharrëtareve në rangjet më të larta, ndërsa tani më duket se e gjeta. Nuk vlen as zgjuarësia, as aftësia, mbasi ministrat janë ndërlidhësa, “officier de liasion” thënë ndryshe, rrip transmisioni ndërmjet dikasterit dhe udhëheqjes. Pra edhe po të jetë rryp, me kuptimin që i japin tiranasit kësaj fjale, puna kryhet njëlloj.
Parvjet, rastësisht kabina ime në plazhin e Durrësit qëlloi ngjitur me atë të Aranitit. Ai kishte ardhur me të shoqen, me vajzën e vetme dhe me nënën nga një rreth i largët dhe kësisoj u njohëm. Shoqëria jonë nisi në rërë dhe po atje u shkri pa lënë gjurmë, se nuk na lidhte as puna, as interesi. Më nuk u pamë, as kur ai vinte në Tiranë për punët e tij, as kur shkoja unë me shërbim në D. Me sa më kujtohet atë kohë ai ishte drejtor i shkollës së mesme. Për habinë time ministri i ri u kujtua të pyeste nëse punoja akoma në dikaster dhe kur i thanë po, kërkoi të më takonte. Shkova në kabinetin e tij, e urova për detyrën e re dhe aq u desh që kolegët e mi të më kundronin si mikun e tij. E reja u përhap me shpejtësi, sa dhe unë fillova ta shihja veten si të sajdisur, të privilegjuar. Flatrime të kota të nëpunësit të vogël. Mirëpo tani gjykoj se pikërisht fjalët se unë isha miku i tij, i dhanë shkak Basri Bedatit të më afrohej më shumë.
Këto ditë ish shoku im i shkollës së mesme Basri Bedati, operativ në ministrinë e jashtme, a të brendshme, nuk e di mirë, i shpeshtoi vizitat në korridoret e ministrisë. Besova se donte të siguronte ndonjë fakultet të preferuar për djalin a vajzën e vet, në. Në mos për vete, për ndonjë mik, sepse Basriu i njeh shefat dhe hyn kudo. Takohu me njërin, folë e qesh me tjetrin, dukej sikur shpërndante gaz e humor. Hynte pa druajtje edhe në zyrën time, duke hapur biseda të kota, duke kujtuar episode të tejshkuara, se si kishim dalë njëherë pa lejë nga muri i konviktit, se si na kapi kujdestari dhe na dënoi dy javë pa liridalje. Mbase ia mbyste kot, ose më ngatërronte me ndonjë tjetër, se nuk më kujtohej ndonjë episod i tillë pas tridhjet vjetësh. Me sa mbaj mend, në shkollën e mesme ishim disi të veçuar, ai me shokët e tij dhe unë me të mitë. Pas nëntë muajsh Basriu ngeli në të gjitha lëndët, me përjashtim të edukatës fizike. Nuk kishte as zell, as dëshirë të mësonte. Rrugët tona të jetës u ndanë përfundimisht. Ai u kthye në vendlindje, ndërsa unë vazhdova shkollën. Më vonë, fare rastësisht dëgjuam se Basriu qe veshur polic, çka na u duk sa komike, aq dhe befasuese se nuk na e rrokte mendja ta shihnim ndonjë prej shokëve tanë polic. Ne, si të rinj, ishim në armiqësi të përjetshme me engjëjt e ruajtjes së rregullit, prandaj e urrenim atë uniformë. Pa kaluar shumë kohë Basriu u harrua, madje u fshi krejt nga kujtesa jonë.
Njëzet vjet më vonë e takova papritur në mes të Tiranës, te sheshi Skenderbej. Qe veshur shik. Kostum bojë mjalti me riga, kravatë bezhë me lule, këmishë e bardhë me jakë blu të fortë, ndërsa te këmbët i shkëlqenin këpucët lustrafine. Dukej sikur kishte dalë nga ndonjë paradë mode, nga ato që shihnim në programet e huaja televizive. Pamjen prej bandilli ia prishnin disi vetëm flokët, të cilët qëndronin të rebeluar në drejtime të ndryshme ashtu si në rininë e tij. Sjellja dhe mënyra se si fliste, më dhanë të kuptoja se gëzonte një farë pozite.
– Ku punon tani? – e pyeta.
Buzët u ndanë duke treguar dy kurora dhëmbësh të bardhë, ndërsa sytë i feksnin nga kënaqësia.
– Sapo jam kthyer nga New Yorku me lejë, – më kumtoi pa e hequr buzëqeshjen triumfuese nga fytyra.
– Nga New Yorku? – S’kisha si të mos befasohesha. Të më kishte thënë nga Prenjasi a nga a nga Mokra, do të më ish dukur më e pranueshme.
– Prej disa vitesh punoj pranë Misionit tonë në OKB, – vazhdoi kumtimin Basriu.
Ua! Ua! Basriu diplomat i karrierës? Ngelësi përfaqësonte shtetin tonë duke u takuar me diplomatët e Lindjes, Perëndimit dhe të Botës së Tretë? Çudirat e jetës sonë, mendova. Ministri ngryset ministër e gdhihet çoban, ndërsa çobani diplomat. Pastaj menjëherë u kujtova se duke qenë polic ndoshta edhe në New York ruante Misionin. Mirëpo ambasadat dhe legatat tona nuk kishin policë në organikë, as portierë, as rojtarë. Spiun i veshur me petkun e diplomatit. Me ç’gjuhë komunikonte, se ai as shqipen s’e dinte mirë. Ah, po, ai s’kishte punë me diplomatët në metropolin e botës, ai ishte informator i sigurimit të jashtëm, me mision të survejonte të arratisurit politikë pas lufte dhe emigrantët shqiptarë. Sigurimi kishte hapur dosje për çdo shqiptar jashtë shtetit dhe ato pasuroheshin e plotësoheshin kohë pas kohe. Ai duhet të rekrutonte agjentë a bashkëpunëtore nga radhët e tyre për të siguruar informata të sakta. Survejimi mbi të dy kategoritë qe i përhershëm. Veç ishte për t’u habitur si e pse zgjodhën Basri për ta dërguar në Amerikë? Nuk mund të besoja kurresi se pozitën e kishte fituar me aftësitë e tij të rralla si gjurmues, a dedektiv. Enigma shpjegohej me dorën e fatit, – a nuk qe Perëndia e Pasurisë e verbër? – ose me gishtin e mikut. Ku e pati atë mik aq të madh?
Sa paradokse ka jeta! Kot thonë se shkolla të nxierr në dritë. Sikur Basriu ta kishte kryer shkollën e mesme, do t’i ishin dergjur brinjët për vite me radhë, nëpër fermat a kooperativat bujqësore të rrethit, ashtu si mua dhe kurrë s’kishte për ta gjetur shtegun drejt kontinentit të ri, Amerikës, pjesëtar i Misionit tonë, New York, N.Y. – Manhattan – Seli e kombeve të Bashkuara.
Përditë ndiej angushti nga pozita ku më vuri miku im, shoku im Basri Bedati. Jo, nuk e kam as shok, as mik, vetëm të njohur. Edhe pa qenë punonjës i ministrisë, ai hyn në çdo zyrë pa teklif, si njeriu i shtëpisë, duke buzëqeshur e duke u futur krahun njerëzve shoqërisht. Nuk e dija se ishte operativi i ministrisë sonë.
Qëkur ndodhi tërmeti në ministrinë tonë, Basriu më merrte shpesh në telefon dhe më vinte në zyrë vazhdimisht. Më telefononte në shtëpi, më priste kur dilja nga dikasteri, më shoqëronte deri Kinema Partizani ku merrja autobuzin, më kthente në ndonjë bar për të pirë diçka në këmbë. “Përtëritja e miqësisë së vjetër” e quante ai. Tani po kujtohem se unë asnjëherë nuk i telefonoja, madje nuk ia dija as numërin. Arsyeja ishte e thjeshtë, ai përpiqej të më afronte për të arrirë synimet e tij. Njëherë më pyeti shkarazi si ndihesha tani që ministri ishte ndërruar. I thashë se për mua, pak rëndësi kishin ndryshimet e titullarëve.
– Ti e ke mik ministrin e ri, – vërejti ai.
– Të njohur, – ia ktheva unë, – madje të rastit.
– Pra ngarkesa jote emocionale qenka zero, as negative, as pozitive, – komentoi ai, pastaj si të fliste me vete shtoi: – Aq më mirë, kjo na intereson.
Nuk e kuptova pse i interesonin ndjenjat e një nëpunësi të thjeshtë ndaj një kuadri të lartë? A kishte ndonjë vlerë për të nëse e adhuroja apo e përçmoja?
Biseda e gjatë që pata me të dje paradite më qartësoi gjithçka. Më ftoi të delnim bashkë dhe duke shëtitur përshkuam bulevardin dhe pastaj u ngjitëm te bar-bufeja e ish kishës së Shën Prokopit, te Parku i Madh. Megjithse salla qe thuajse bosh, ai zuri tryezën më të largët. Ishte në qejf dhe besova se do të kishte ndonjë gëzim familjar. Paksa në mënyrë miqësore më preku dy tri herë miqësisht kurrizin e dorës me dorën e tij duke buzëqeshur e duke më vështruar me mirëdashje, ndërsa sytë i feksnin.
– S’kam dyshim se do ta presësh mirë propozimin tim. Për fat ne e njohim prej vitesh njëri tjetrin, që nga shkolla e mesme dhe pavarësisht se gjatë këtyre viteve jemi takuar rrallë, ushqejmë respekt të ndërsjelltë. Shoqëria jonë s’ka pësuar të krisura, për fat të mirë. – Heshti pak për të gjetur vazhdimin më logjik. – Në radhë duhet të kuptoni se propozimi që po u bëjmë tregon vlerësim për karakterin tuaj, për aftësitë, për ndershmërinë dhe sidomos për besnikërinë tuaj. Mos kujto se ne e zgjatim dorën kuturu…
E vura re se tani po fliste në shumës, duke theksuar përemrin vetor “ne,” gjë që linte të kuptohej se mendimi, apo vlerësimi qe i disa vetave.
– Më beso, – tha prerazi si të përbetohej e pas kësaj edhe një pauzë tjetër duke pulitur sytë, – ne i kaluam në sitë një për një kandidaturat… – Sytë i vezulluan nga një dritë e beftë kënaqësie që pas shoshitjes, isha kandidati më i përshtatshëm.
Fjalitë e tij të vagëlluara, të mbështjella me duvak lavdërimesh, gjithsesi mbeteshin enigmatike. Kisha ndjesinë e pakëndshme se po më ngrihej një kurth. Nuk reagova, ndaj ai më pyeti miqësisht:
– Më kuptuat?
– Jo, sinqerisht jo. Pastaj me kaq rebuse nëse jemi shokë ose në më konsideron të tillë?
Më dha të drejtë menjëherë.
– Gabimin e kam unë, – pohoi. –Duhet ta kisha filluar ndryshe. Dëgjo Bekim, – filloi të trokiste gishtat mbi tryezë, – çështja është e thjeshtë. Ne kemi nevojë për një njeri të besuar, për një bashkëpunëtor..
– Fillove sërish me enigma? – e qortova duke ngritur paksa zërin. – Cilët “ne“?
– E mori dreqi… – qeshi çiltërsisht, – nuk flas dot ndryshe…- pohoi paftësinë e vet, pastaj menjëherë e zotëroi veten dhe shtoi: – Ti e di ku punoj unë, nuk ka nevojë për hollësira…

– Di që ke qenë nja gjashtë vjet në OKB, po tani, të betohem, nuk e di tamam.
– Me ato funksione, por tani brenda vendit, – dredhoi pa thënë asgjë të saktë. – Pra kështu si u thashë. Nga gjithë nëpunësit që janë aty, meshkuj e femra, ti rezultove më i përshtatshmi.
– Më i përshtatshmi për çfarë? – e pyeta serizisht se akoma s’po kuptoja çfarë kërkohej nga unë.
Ai më hetoi dyshimshëm sikur po e vija në lojë.
– Po më propozoni detyrë tjetër me rrogë më të lartë? – e pyeta pa kërkuar të më thoshte përgjegjësinë që do të kisha, por ajo nënkuptohej.
– Jo, – më siguroi, – nuk do ta ndërroni as vendin, as punën. – Ndërkohë i bëri shenjë kamarierit dhe sapo u afrua i tha: repete! – duke sjellë gishtin sipër tryezës me meze e pije e duke më dhënë të kuptoja se po haja e pija me një njeri që e njihte etikën e salloneve. -Mezetë ishin të mira, s’ke ç’u thua. E patë si na imbushi pjatat? E kam mik shefin.
– Nuk pi dot më, – kundërshtova unë me takt.
– E vlen ta festojmë këtë ditë se po fillojmë një etapë të re. Jemi shokë të vjetër Bekim, të kujtohet shkolla e mesme? Sa vjet kanë kaluar që atëherë? Shoqërinë s’e kemi harruar dhe do ta forcojmë akoma më shumë, se të dy jemi njerëz të popullit dhe e duam partinë me shpirt. Detyra jote është sa e lehtë, aq dhe e thjeshtë: do të mbikëqyrësh një person dhe do të na informosh për të, me kë shoqërohet, kush i vjen më shpesh në zyrë, kë merr me vete kur shkon me shërbim, ç’thonë të tjerët për të, ndonjë akrabllëk që ka rënë në sy… Më kuptove tani?
Desha të ngrihesha menjëherë e të largohesha pa i dhënë as dorën. Nuk e di si e përmbajta veten. Tani nofullat e tij të gjera po më dukeshin si mengene që donin të më bluanin kockat. Horri, donte të më rekrutonte spiun. Ja ç’na paska qenë qëllimi i afrimit, ripërtëritja e shoqërisë së pretenduar. Nisa të analizoj me gjaktoftohtësi sjelljen time kundrejt tij. Si qe e mundur t’i jem dukur element i përshtatshëm për një punë të ulët si spiunimi? Si e krijoi atë mendim të mbrapësht, e pse i paskam lënë mbresë se isha njeri adapt për atë mision të urryer? A ka tipare prej spiuni fytyra ime? Jo, e kam gabim, se gjithfarsoj fytyrash kryejnë spiunime, madje disa janë simpatikë. Nuk mbaja mend të kisha diskutuar tema politike me të. Bisedat tona kurrë nuk delnin nga kufijtë e etikës formale. Për komente politike të lira nga kornizat, apo disidente, unë kisha konfidentët e mi, me të cilët ndaja mendime të njëjta. Bisedat e rrezikshme na shërbenin të shkarkonim dufin e brendshëm, të lehtësonim presionin psikik, se ndryshe do pëlcisnim si gështenjat e paçara në zjarr. A t’i përgjigjesha me një jo të prerë, apo të gërmoja më tej? Loja m’u duk tërheqëse. Pra duhet ta survejoja “X” inkonjito, nga larg, i fshehur midis turmës së nëpunësve. Nga të dhënat e tij kuptohej se i dyshimti ndodhej brenda dikasterit dhe duhej gjurmuar. Kujt po i vërtitej e keqja? Cili qe ai fatzi?
– A mund ta di subjektin, ose më sakt objektin? – e pyeta.
U mendua paksa sikur po druhej të ma zbulonte.
– Doemos duhet ta dish. Një miku yt, – buzëqeshi, – ose më mirë një i njohuri yt.
– Cili? – ngulmova unë.
– Araniti, – pëshpëriti, – Aranit Tartari.
– Ministri? – Gaprrova sytë nga befasia.
Ai pohoi me kokë.

I turbulluar gjerba pak ujë. Nuk arrija ta kuptoja pse e kishin emëruar ministër derisa qe i dyshimtë? Apo ndoshta kreu ndonjë veprim të gabuar sapo mori detyrën e lartë? Ia shfaqa mendimet e mia pa ngurruar.
– Askush nuk ka dyshime për të, – më sqaroi Basri Bedati. – Ai është ministër, anëtar i kabinetit qeveritar, personalitet.
Kontradikta flagrante midis postit që gëzonte dhe survejimit të Basriut, ose atyre që ishin pas tij, nuk më linte të qetë.
– Nuk ke pse të habitesh. Çdo gjë është ashtu si duhet të jetë, – vazhdoi Basriu sikur t’u përgjigjej pikëpyetjeve të mia. – Ti me siguri pyet veten, pse nuk caktoi një njeri tjetër byroja politike në atë detyrë? – Nofullat e gjera në fytyrën e tij ngjanin me ato të mastodontit, që duket se i përtypte edhe kockat si sheqerka. – Gjithsecila ministri ka detyrat e saj. Nuk mund të lihet asnjë kuadër jashtë rrezes së optikës sonë… sigurisht me takt, së largu, pa u ndierë, sidomos pa rënë në sy të askujt. Ti do të vazhdosh të kryesh punën tënde të zakonshme, po në atë zyrë, veç veshët do t’i mbash ngrehur dhe kohë pas kohe me shokët e tu do ta sjellësh bisedën rreth tij. E di shumë veta e kuptojnë vigjililencën ngushtësisht, si vrojtim me sy, ndërsa ne themi se duhen mbajtur edhe veshët hapur…
Shtet spiunash, qeveri e molepsur, batak, ky ishte mjedisi ku jetonim. M’u kujtua pllakati i Sara Komanit ku syri i kufitarit njësohej me syrin e mprehtë të shqiponjës. E lavdëronin të gjithë si realizim grafik me kuptim të lartë simbolik, madje fitoi edhe çmimim të parë në konkurs. Gjetja ishte e bukur, ndërsa mua s’di pse më ngjallte një ndjenjë ankthi syri i egër. Për ironi të fatit, disa vite më vonë djalin e vetëm të autores së pllakatit e arrestuan dhe e dënuan me burg, për disa humoreska të rrëfyera në një rreth shokësh të ngushët. Syri i shqiponjës e kishte zbuluar armikun dhe sqepi i saj i çukiste mishrat e trupit të tij. Oh, kushedi sa herë e kujtoja artisten me keqardhje. Vallë ç’ndodhte në shpirtin e saj prej artisteje? Të mohonte pjellën e saj më të dashur, apo ta sakrifikonte veprën artistike duke e shqyer me inat?
– Tani më thuaj, a mund t’i shkojë mendja kujt se ti në ministri mbledh të dhëna për shokun ministër? Pozita jote është fantastike, nga njëra anë vartës, nga ana tjetër mbikëqyrës. Për ne ti je atje njeriu ynë, mbi ministrin.
Jam i sigurt sikur ai ose ata të dinin qoftë edhe një të qindtën e mendimeve që më vlojnë në kokë, kurrë s’do ta kishin vënë gishtin mbi personin tim. Mendja më shkon vazhdimisht te Visarjoni. Pse e sakrifikuan? Mos Visarjoni iu kundërvu të ashtuquajturit trekendësh revolucionar “mësim-stërvitje ushtarake-punë fizike,” që po shkatërron arsimin nga themelet? Si do të dalin studentët më të përgatitur derisa një të tretën e orëve të vitit e zë puna fizike dhe stërvitja ushtarake? Pse u dashka të punojnë kur duhet të mësojnë? Praktikisht viti shkollor u katandis në gjashtë muaj, veç politizimit të skajshëm të teksteve në dëm të njohurive shkencore. Do ta kisha hero Visarjonin sikur të therorizohej për ideale të larta, për të mirën e shkollës, mirëpo atij as nëpër mend s’i ka shkuar kjo ide. I mbrujtur me ideologjinë komuniste qysh në rininë e hershme, dukej se ruante ende, tok me pamjen djaloshare e sportive, diçka nga romantizmi i brezit të luftës, se sistemi komunist do të siguronte parajsën mbi tokën tonë anembanë vendit. Ç’po ngjet në sferat e larta? Mos të gjitha revolucionet hanë bijtë e tyre si Saturni, sikurse ka thënë një filozof francez? Kjo histori po vazhdon që nga viti 1948. Jo, më përpara, se shumë komunistë i vranë shokët e tyre gjatë luftës, disa përballë e më shumë pas shpine. Gati çdo pesë vjet janë goditur si armiq grupe njerëzish që s’ishin armiq. Diktatura, njëlloj si lubia e shpellave, shqyhen viktima nga frika se mos i kizen dhëmbët. Ky erozion i brendshëm rrëfen qartazi krizën brenda partisë. Tashti gjithkush, duke përfshirë edhe ata të sferave të larta, pyesin kush e ka radhën, sado që orvaten të duken të qetë.
Buzëqesha me ironi për këndvështrimin e tij, por ai e mori si miratim dhe vazhdoi të më shpjegonte mekanizmin e ngatërruar të survejimit të kuadrove. Rekrutoheshin informatorë shoferët e tyre, badiguardët që i shoqëronin jashtë Tiranës, punonjësit e kabinetit, kamarierët e shtëpive të pritjes, kujdo që mund t’ia hidhnin grepin. Deri atëherë ne besonim se vetëm kamarierët e Dajtit ishin agjentë të ministrisë së brendshme, çka ata e vinin në dukje si epërsi, por rrjeti i mbikëqyrjes ishte më kompleks. Ne e shihnim Dajtin si Tokë të huaj dhe shkelnim sa më rrallë, ngaqë nuk duronim shikimet hetuese të personelit qysh sapo i afroheshim banakut të pranimit.
– Detyra jote praktikisht është e bukur në vetvete dhe e lehtë, -vazhdoi Basriu. – Pse? Sepse ti ke vetëm një objekt. (A me dashje a pa dashje Araniti u kthye në një send të ndorshëm.) Të bësh pjesë në kategorinë e bashkëpunëtorëve të zgjedhur, nuk është aq e lehtë. Këtë listë “topsekret” – e tha anglisht atë fjalë, – e dijnë vetëm tre veta, të cilët nuk ka nevojë t’i përmend me emra. Ky është nder i veçantë dhe unë të siguroj se do të kesh edhe favore të tjera.
Pra isha piketuar agjent jo dosido, por i zgjedhur, elitar. M’u kujtua agjenti që më ngjiti pas sigurimi kur punoja në Lushnjë. Operativi i zonës ngarkoi një shokun tim të më survejonte e të raportonte mendimet e mia, madje e mësuan edhe të më provokonte. Ai, me naivitet fëmijëror më vuri në dijeni se ç’kërkohej prej tij, madje dekonspiroi edhe “kodin sekret.” Zbulesa fshikulloi ndjenjat e mia më të pastra. Pse më survejonin, çfarë dyshimesh kishin për mua? I fyer tmerrësisht vendosa ta braktisja detyrën dhe të mos shkelja më në atë fshat ku përgjohesha si i dyshimtë. I kumtova konfidentit tim ngjarjen tronditëse, aq sa mezi po flisja nga zemërimi dhe emocionet. Ai e shpërfilli haptaz indinjatën time. “Të dija më të zgjuar, ndërsa tani po më shgënjen, – ma priti, – sinqerisht po të them. Pse tani e mësove ti se të gjithë e kemi nga një hije apo hafije pas? Sidomos ne intelektualët. Ti je i favorizuar se e di se kush të gjurmon, po unë i ziu kë kam pas, kush më survejon? – Ai ngriti sytë drejt tavanit sikur të kërkonte ndihmë nga i sipërmi. – Habitem, si paska guxuar ta dekonspirojë sekretin? Ai ose është dede, ose të beson shumë. Po ta mësojë sigurimi këtë fakt do ta ketë pisk.”
Ai episod që m’u kujtua atë çast, më akulloi. S’kisha si të mos e neveritja propozimin. Dikur i përndjekur vetë, tani përndjekës. A mos më spostuan nga lista e të përndjekurve në atë të përndjekësave? Jo, kurrsesi. Basriu e pohoi se asnjë nuk i shpëton mbikëqyrjes. Jemi hallka të një zinxhiri të gjatë ku kapërthehen të dy palët.
– Njëherë në dy javë do të takohemi bashkë. Vendin dhe orën do ta caktoj unë. Po qe se për rrethana të paparashikuara nuk do të kem mundësi, do të vijë dikush tjetër. Parulla do të jetë: “Ju pëlqen Parku i Dajtit?“ Kundërparulla: “Më pëlqen më shumë Parku i Madh.“ Pra ti je Parku i Madh, ndërsa unë Parku i Dajtit.“ Kuptohet për raste të jashtëzakonshme mund të vijë dhe dikush tjetër, por kontaktet do t’i mbajmë bashkë dhe unë e ti as që kemi nevojë për kode e parulla.
E bëri fakt të kryer ende pa e marrë miratimin prej meje dhe kjo më nervozoi. Sado që po më flatronte se isha i zgjedhur, gjithsesi misioni më dukej i neveritshëm. Pse ta laturisja mendjen dhe shpirtin me tharmin e hipokritit që i buzëqesh ministrit dhe nga ana tjetër gëzohet për çdo prapësi që zbulon, për çdo dalje mbi udhë e nën udhë, mbasi ato shtojnë kredencialet e tij te shefat. Ai lloj kapitali ishte si një lloj fshikëze me qelb që derdhej brenda trupit dhe dalëngadalë e brente derisa e shkatërronte përfundimisht. Diçka kanceroze që hante vetveten. Kanceri ka prirje të zgjerohet, të lëshojë metastaza, të kapë çdo organ dhe pasi arrin kulmin ngordh edhe vetë.
– E mbyllim me kaq këtë bisedë? – e luta sa munda më qetë.
– Si ta mbyllim? – pyeti Basriu. – Domethënë u morëm vesh? Kështu?
– Desha të them ngarkoni ndonjë tjetër…
Më shikoi qortueshëm e njëkohësisht me keqardhje.
– Tregohu i arsyeshëm, – më këshilloi. –Raste të të tilla nuk vijnë shpesh në jetë. Do të keni favore, vëri pak gishtin kokës!
Tok me këshillat miqësore, lutjet, te fjalët e tij ndihej kërcënimi. E pashë të arsyeshme t’i jepja shpjegime plotësuese.
– Nuk kam pasion për kësi punësh… Ja kjo është e gjitha.
Balli iu zhubrosh me rrudha zemërimi.
– Keni ndonjë arsye? – më pyeti butë, i prirë ta mënjanonte pengesën menjëherë. – Mund t’u ndihmojmë… – më propozoi vagëllimthi.
Menjëherë më vajti mendja te shpërblimet që u jepte sigurimi agjentëve të vet, të cilat ne i quanim “borderoja e dytë,” se e para i përkiste qendrës së punës. Sigurimi u jepte agjentëve edhe pare xhepi, për të afruar dhe qerasur viktimat. Mos vallë edhe Basriu po harxhonte nga fondi i posaçëm për rekrutimin e agjentëve? Po më kundronte me përçmim si kalama mendjefyell që refuzon dhuratën e çmuar për teka të kota.
– Mendohu edhe njëherë me qetësi, – më këshilloi, – analizoje nga të gjitha anët!
Heshta. Pata mbresën se ndieja erë bataku.
– Kjo nuk është fjala jote e fundit, – tha i bindur, edhe pse ishte mendimi i tij dhe jo imi.
– E fundit! – ia thashë vendosmërisht.
– Qetësohu! – më këshilloi. – Ne do të takohemi sërish këtu, ose diku gjetkë. – U mendua pak, pastaj vazhdoi. – U thashë gjithato sekrete që s’duhet t’i dijë askush.
I penduar për besimin e tepëruar, tani s’po dinte si të vepronte më tej. Nga fjalët që tha m’u duk se kishte mbetur po aq i trashë sa ç’ishte edhe në klasën e parë të shkollës së mesme. A ta qetësoja duke i premtuar se nga goja ime s’do të delte asnjë nga sekretet e punës, apo ta linja varur që ta brente meraku? M’u duk më e arsyeshme të heshtja. Nuk po më durohej sa të delja jashtë lokalit, në hapësirë e të shpëtoja nga zagushia që më shkaktonte fytyra e tij plloçake me nofulla katrore. Rrugës së kthimit biseda nuk eci. Dukej sikur burimi që e ushqente ishte tharë papritur.
U ktheva në shtëpi, u shtrita në krevat dhe nisa të ftilloja mendimet, pse e si u ndodha në këtë vorbull? Pse po kërkonin një tjetër dhe nuk aktivizonin agjentin që survejonte Visarjon Hënën? Enigmën e zbulova shpejt. Pa kaluar as një javë nga rrëzimi i ministrit, disa instruktorë i shkartisën nëpër qendra të tjera pune. Spiuni i tij, ishte një prej atyre. Në zhargonin burokratik ky operacion quhej “prerja e bishtrave.” Pra Visarjon Hëna paskesh qenë Luciferi, veçse jo me një bisht. Pse nuk e mbrojti sigurimi agjentin? Pse e flaku edhe atë si lëvere? Ja një fakt tjetër se premtimeve të tyre nuk mund t’u besoje.
”Mendohu edhe një herë“ ishin fjalët e tij të fundit. Që ta hiqja mendjen nga ai subjekt gjëmbaç, nisa të shfletoj “Legjenda të antikitetit grek” që e kisha mbi komo, se ato për mua janë argëtuese dhe njëkohësisht instruktive. Libri u hap te legjenda e Akteonit, të cilën e kisha lexuar, por atë ditë e rilexova dhe nxora konkluzion tjetër. Akteoni, shërbëtori besnik i Artemisës, duke kërkuar stallierin të mbrihte karrocën, hyri me vrull në shtëpi dhe hapi dyert e çdo dhome anekat me shkujdesjen që ka njeriu i nxituar. Qe zhegu i vapës e ndërkohë Perëndesha e Bukurisë po freskohej nën dush duke gugatur nga kënaqësia. Sapo hapi derën e banjës, Akteoni mbeti i nemitur nga turpi. Shastisjen e tij Artemisa e interpretoi si ngulmim për ta soditur më gjatë, për të fiksuar çdo detaj të hireve të trupit të saj harmonioz, të cilat i fshihte nga hyjnitë dhe vdekëtarët, që e përpinin njëlloj me sy epshorë. I vetmi nga vdektarët që kishte soditur nuditetin e një hyjnie ishte Akteoni. Artemisa e kallëzoi për ngacmim seksual dhe ia kaloi gjyqit. Apologjinë e Akteonit nuk e besoi askush; lapërdharët mendonin se hyri qëllimisht në banjë, madje edhe gjyqtarët pëshpërisnin me njeri tjetrin se po të kishin patur fatin e tij, ta shihnin idealin e bukurisë femërore lakuriq, dënimin do ta prisnin si shpërblim.
Legjenda e Akteonit – metaforë e shkëlqyer për pafajësinë e dënuar kot. A do të kisha pasoja nga refuzimi im? Deri atë pasdite kisha menduar se njeriu e ka në dorë t’i shmangë ngatërresat, t’u qëndrojë larg mëkateve me forcën e logjikës, të vullnetit dhe sidomos të vetëpërmbajtjes. Mirëpo tani e shoh se edhe duke u qëndruar larg tundimeve të pasionit, edhe duke patur karakter të fortë dhe pastërti morale, rreziku nuk shmanget. Rrethanat e jetës e sjellin që veprimet e tua të gjykohen nga të tjerët dhe atëherë nuk kanë vlerë cilësitë morale, se optika e tyre sheh ndryshe dhe logjika gjykon po ndryshe. A nuk quhet mëkatar njeriu i pafajshëm, nëse sheh dëgjoi gjëra që nuk duhet t’i shihte dhe as t’i dëgjonte? Legjenda e Akteonit pohon virtutin e fajësuar. Gjithsesi Akteonët e kohëve moderne janë më fatkeqë, sepse në fund të fundit ai pati kënaqësinë sublime të sodiste nudo Artemisën, të mahnitej me hiret e trupit të saj nen vellon e tejdukshme të currilave dhe të sumbullave të ujit që shkasin mbi lëkurë petalore të femrës, rrumbullakësinë e gjinjve, format sigmoidale të kofshëve dhe imazhi i saj e ka shoqëruar në vetminë e qelisë, ndërsa mua tani më shoqëron imazhi i fytyrës plloçake të Basriut, me nofulla katrore që më kall të ngjethura. Më vjen neveri nga zgërdheshja e tij, nga ngulmimi të më fuste në rrethin e agjenturës. Të pranoja donte të thoshte t’i shërbeja ligësisë, batakut, të përlyhesha përjetësisht. Edhe pas këshillës së tij të fundit “mendohu dhe njëherë,” brenda meje ushtonte kundërshtimi “Jo,jo,jo!”

* * *

Pasdite, shkova te kafe “Sopoti” përballë ministrisë së Jashtme të takoja kushririn tim Teme Sopikun. Duhet ta ftoja për darkë në shtëpi, sipas traditës, mirëpo ime shoqe nuk don të presë një të liruar nga burgu, qoftë edhe mik shtëpie. Tefta gjithmonë më qortonte se s’dija ta mbroja veten, se ngatërrohem kot me phehërat e shoqërisë dhe çfardo justifikimi nuk do t’ia ulte zemërimin. S’kishte faj. Shoqëria jonë i ka ngurtësuar disa norma morale, sa që askush s’guxon t’i thyejë. Njolla e burgosjes e ndjek përjetësisht të dënuarin edhe për faje ordinere. Ajo as nuk dinte, as nuk donte ta bënte dallimin midis të burgosurve ordinerë dhe politikë. Temja, përgjegjës i repartit të rrobaqepësve në Përmet, ra viktimë e gotës. Ai s’mund të rrinte asnjë ditë pa i hedhur gurrmazit katër pesë dopio raki, ose pije të ngjashme me të. Mirëpo sot njerëzit ta bëjnë llogarinë pa kalem e letër, duke njehsuar gotat me rrogën si shef i repartit. Revizorët zbuluan deficitin prej njëzet e ca mijë lekësh të vjetra dhe gjykata e dënoi gjashtë muaj burg. E dërguan ta kryente dënimin në kampin e punës midis Lukovës dhe Shën Vasisë. Vendi i bukur, ideal, në breg të detit Jon. Të burgosurit çdo ditë hapnin terraca në faqen e zhveshur të malit, mbillnin portokalle, limona, qitro e ullinj. E kisha parë kampin rrethuar me tela me gjemba dhe me roje të armatosura dhe gjithmonë më kapte trishtimi që ai vend i bukur ishte ferr për të burgosurit.
Temen e gjeta tok me disa shokë tjerë ulur rreth një një tryeze me gota konjaku përpara e me kafe ekspres. Më ftuan dhe mua të ulesha e ndërkohë vazhduan bisedën e nisur për spiunët dhe spiunimet. Rastësi të çuditshme ndesh njeriu në jetë. Njëri prej tyre tha se spiunët trajtoheshin mirë, se sigurimi i mbante me kimet, u jepte rrogë, i dërgonte me shërbim, çka m’i acaroi nervat.
– Unë e di mirë, – tha ai, – se një fqinja ime, Merita, që banonte një bllok më tej pallatit tonë, na humbte nga sytë për disa kohë dhe pastaj dukej sërish. Se ku punonte s’e mora vesh kurrë, ndërsa profesionin ia mësova rastësisht, “provokatore profesioniste.” Mbahej mirë edhe pse i kishte kapërcyer të tridhjetat. Bjonde me sy bojëqielli e me lëkurë të paqme, sa djemtë e shoqëronin me sy. Ecte krenare, si shoqet me pozitë. Ndërsa ndodhesha në Çorovodë, i ftuar nga studentja ime martuar me një polic, papritur ma tërhoqi vështrimin një bjonde që po vinte përballë nesh. Ajo u hoq sikur s’më pa dhe unë s’kisha pse ta përshëndetja. “E njeh Meritën? më pyeti polici, i shoqi i ish-studentes. “Po, jemi thuajse fqinjë,” ia ktheva. “Na ka ndihmuar shumë,” më kumtoi polici. “S’ke ide sa e shkathët është. Provokatore e shkëlqyer. Sa herë duam të zbërthejmë ndonjë të pandehur që e mban gojën kyçur si kasafortë, thërrasim Meritën. Sapo vjen, i bëjmë makijazh që të duket si e torturuar dhe ia rrasim në qeli. Pas tre katër ditësh, e shumta një javë, Merita e ka zbërthyer fije-fije. Shumë e zgjuar,” tha ai me admirim.
– As ata nuk e kanë jetën aq të lehtë, – u fut në bisedë Sabahudini, një shoku im nga Vlora. Ai na tregoi se një provokator mezi shpëtoi gjallë nga shoku i qelisë. Vite më parë, i paraburgosuri e kishte pësuar prej tij, kur ia futën në qeli. Duke e pandehur si shok mjerimi, ai iu zbras atij dhe provokatori ia rrasi. Nuk di sa vjet burg e dënuan. Pas shumë vitesh Taloja u shpërngul familisht në Fier, mirë edhe atje e akuzojnë nuk di përse dhe e rrasin brenda. Ai nuk e pranonte akuzën kurrsesi. Atëherë i futën në qeli një provokator me përvojë të gjatë që kishte patur mjaft suksese në Vlorë. Provokatori filloi ta provokonte larg e larg pastaj gjithmonë duke kritikuar partinë dhe qeveritarët. I paraburgosuri, dua të them Taloja, e njohu provokatorin nga nga nishani i zi midis vetullave dhe u bind se ishte po ai surrat që i kishin futur në qelinë e Vlorës. Atëherë shpërtheu: “Si guxon të më shash mua pushtetin popullor? Ti more i poshtër të përpiqesh të më bësh mua shok të vetes? Ta nxjerr xhigerin e ta ha të gjallë!” Dhe iu sul, e vuri poshtë, se ishte më i fuqishëm, e ai godit, e tjetri bërtit, e bëri pelte dhe do ta kishte mbytur, sikur policët të mos ia kishin hequr nga duart. Dhe ndërsa policët e zvarrisnin hosh provokatorin e dërmishur, i paraburgosuri bërtiste se do ta mbyste me duart e tij armikun e popullit. Provokatorin e dërguan në spital për jaki dhe hetimi u mbyll
– Më keq se Ylber Brinja në kampin tonë të punës, nuk besoj ta ketë pësuar ndonjë spiun tjetër, – nisi të tregonte Teme Sopiku. – S’ka njeri të mos e dijë se nëpër burgje e nëpër kampe veprojnë banda të forta dhe të organizuara që të rjepin të gjallë po të mos u bindesh. E provova në burgun e Tiranës. Sa herë më vinin pako nga shtëpia, sidomos paketa cigaresh nga miqtë e shokët e mi, kapobanda më thoshte ta ndaja pjesën e tij mënjanë. Gjysmat e dhuratave që më vinin, ia lija atij se ishte më mirë të paguaja “haraç” se të më paloste. Një gardian më këshilloi t’ia jepja ç’të kërkonte dhe të mos kruhesha me Xhagain se do ta pësoja më keq. Do ti që Xhagain e takova të parin në kampin e Lukovës? I fortë, div, sa edhe policët ia kishin frikën. Kapobanda më pyeti pse isha dënuar dhe unë i rashë drejt, deficit në arkë. “Sa?” më pyeti. “Njezetepesë mijë.” “Hiç asgjë. Shpërdorim modest,” tha. “Jo, i thashë, asnjë lek nuk shpërdorova, i ktheva në pije dhe ia hodha gurrmazit.” Qeshi me të madhe duke më treguar te shokët e tij si ekzemplar të rrallë. Sapo më erdhi një shishe raki, ia fala atij dhe aq u desh të bëheshim miq. Xhagai mbante një tufë trimash pas. Emrin e kishte huajtur nga gangsteri i filmit indian “Vagabondi,” edhe pse disa e kishin më lehtë ta thirrnin Gaxhai. Sigurimi edhe aty rekrutonte spiunë ndërmjet të burgosurve. Kikija, jevgu i Brakës, me ndihmën e një polici tiranas, zbuloi se Ylber Bariu, pjesëtar i grupit, na spiunonte. Sapo ia tha Xhagait, ai nisi të pëshpëriste “Ylberi, hë? Ylberi…” Kapobanda po mendohej si të hakmerrej, si ta ndëshkonte që spiuni ta mbante mend përjetë. Ylberi rreth të dyzetave, faqekuq e vithe gjerë, njihej si burri më i urtë. Xhagai porositi Kikinë të lajmëronte grupin se kishin takim te Vrithi, për një plan sekret. Vendi ishte pak i veçuar i ndarë nga rruga e nga barakat me kule ferrash të dendura.Ylberi erdhi i pari, i gëzuar që po i jepej rasti të zbulonte planin e arratisjes a diçka tjetër të rëndësishme. Sa u mblodhëm në hije të vrithit, kapobanda tha prerë: “Kush është spiun, t’i heqë pantallonat dhe të ulë brekët vetë, nëse nuk do t’ia shqyej unë.” Heshtje varri. Gangsterët shihnin njeri tjetrin. “Hë more pordhac, pse nuk tregon vetë, po pret nga unë?” iu drejtua Xhagai Ylberit. “Surrat i ndyrë! Pandehe se nuk do të zbulonim. Nuk e di ti more horr që ka spiunë të spiunëve?” Ylberi, meit. I dridhej buza e nuk nxirrte dot asnjë fjalë, veç belbëzonte mëk, mëk, mëk. “Lidheni!” urdhëroi ai dhe pasi e ktheu përmbys, i uli pantallonat, të mbathurat dhe i hipi sipër. Ylberi vërriste si derr, duke thirrur: “aman more se jam burrë i martuar, jo çilimi. Si u çnderoka burri?” Po pse guxonte kush të afrohej? Rojet matanë kampit vej e vinin pa parë se ç’ndodhte matanë kuleve me ferra. Dëgjuam Xhagain t’i thoshte: “Mos e shtrëngo rroçkën mor idiot se do të dhembë më shumë!” Plasi gazi. Ylberit i thoshte mendja se asisoj mund të shpëtonte pa e ngrënë qafën e patës. “Sillmë një hu me majë,” urdhëroi Xhagai Kikinë. “Do t’ia çaj prapanicën që të ulërijë sa herë të dhjesë.” E pamë Kikinë ta mprihte hurin pas një guri të ashpër, si në epokën e gurit, mbasi sendet e mprehta, thika e brisqe, nuk lejoheshin në kamp. Sa e pa hurin, Ylberi u çtendos. Dëgjuam disa ofshamje kënaqësie ohoho, e huhuhu nga Xhagai, pastaj u ngrit dhe kërkoi t’i binim me radhë. Asnjë nga grupi, nuk pranoi me përjashtim të Kikisë, që tha se s’kishte ku të gjente rroçkë të bardhë. Sa i hipi sipër, banda nisi të këndonte këngë dasme sikur po e martonin. “E bukur na ka dal nusja, mashallah, mashallah,…” Pastaj edhe Kikia u ngrit e nisi të mbërthente rripin e pantalloanve. S’kam parë fytyrë më të dërrmuar se të Ylberit. Gati për të qarë, ta zije te hunda i delte shpirti. “Ishe Ylber, u bëre Dylber,” i tha Xhagai. Shakaja e tij shkaktoi të qeshura. “Shko ankoju tani,” – e këshilloi Xhagai. – “Më çvirgjëruan, u thuaj, më përdhunuan… Le të ma shtojnë dënimin nja katër a pesë vite të tjerë, por ama do t’ua tregoj ngjarjen gjyqtarëve me hollësi, fije e për pe.” Ylberi u zhduk nga qarkullimi. S’e pamë më. Se ç’ngjau me të nuk e dimë. As në ambulancën e kampit nuk ishte. Sipas të thënave, e patën transferuar te një kamp tjetër. “Kudo që të vejë, skandali do ta ndjekë pas,” na tha Xhagai, njeri me përvojë të gjatë burgjesh e kampesh.
Nuk u pendova që vajta ta takoja kushririn tim te kafe “Sopoti.” Dhe ca më mirë që e takova jashtë, se shtëpia s’ishte vend për ato lloj bisedash.

“FotjonArt”, 29 Gusht 2007

Leave a Reply