Misioni fabulesk

Ferit Lamaj

ferit lamaj

ferit lamaj

Misioni fabulesk

Të përcjella ndër breza e shekuj, përmes mesazheve filozofike, fabulat kanë qenë bashkudhëtaret më të mira, të mençura e të sinqerta të njerëzimit. Kafshët veprojnë, gjestikulojnë, tingullimitojnë, grinden, dredhojnë, kacafyten, përleshen, gërvishten e gjakosen, fitojnë e munden. Por a nuk ndodh kështu edhe me njeriun? Me këtë qenie aq të çuditshme, të vesshme e të virtytshme!
Në botën fabuleske gjallojnë kafshë, shpendë, zogj, insekte, peshq, por edhe sende, me gjuhën, shpirtin dhe mendimin e tyre vetiak. Ndërkohë, pas kësaj bote, në dukje jashtënjerëzore, në fakt paraqitet vetë njeriu, krejt bota e tij shpirtërore, e pasur dhe e varfër, e mirë dhe e keqe, e bardhë dhe e zezë. Në këtë këndvështrim fabulat janë ndërthurje midis mitit dhe realitetit. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pushtetore e fabulës. Ndaj ajo vijon të mbushë ende sot shpirtin dhe mendjet e fëmijëve, prindërve dhe gjyshërve në mbarë botën.
Morali kryesor, jo i një fabule të veçantë, por i të gjitha fabulave, nga më e hershmja e deri te e pashkruara ende, është ky; “Në këtë botë të trazuar me virtyte e vese kafshët kanë gojë e flasin. Por ato flasin, që të dëgjojmë ne, njerëzit. Ato flasin përmes artit të qëndisur metaforik, që ‘kafshët” të bëhen më njerëzore e që njerëzit të kenë sa më pak instikte “kafshërore”.
Nga studimet dhe hulumtimet e kryera në Bibliotekën Ndërkombëtare të Librit në Mynih, Gjermani (tetor – nëntor 1998), nga gjurmimet në vendin e Ezopit (Greqi), të La Fontenit (Francë), të Fedrit e Trilusës (Itali), të Samaniegos e Iriatit (Spanjë), por edhe në SHBA, Egjipt, Kinë etj., rezulton se fabula e ditëve tona hyn në zhanret e lëvruar rrallë, tepër rrallë në glob. Me sa duket, Ezopi e Fedri, La Fonteni e Krillovi, “pushtuesit” e hershëm të fabulës, me ribotimet e shumta në mbarë botën, kanë rrokur maja të tilla, që “alpinistët” – fabulistë të sotëm vështirë t’i arrijnë.
Disi më dendur, rrjedhojë e një tradite, vijon publikimi fabulesk në vendet evropianolindore, përfshirë Shqipërinë. Për shkak se deri dy dekada e ca më parë popujt e këtyre vendeve jetonin nën diktat, me një liri të ndrydhur mendimi e krijimi, e shkruara artistike e tërthortë, përmes gjuhës ezopiane ishte një “gjetje”, një “komoditet”. Ndërkaq, shkrimtarët e vendeve me demokraci të përparuar i stigmatizojnë veset e fenomenet regresive të shoqërisë me anë të zhanreve të tjerë, të larmishën, më të drejtpërdrejtë, në fushë të humorit e të satirës.
Sot fabula është mjaft e përhapur në vendin tonë. Publikohen çdo vit thuajse dhjetëra libra fabuleskë. Për fat të keq, pjesa zotëruese e tyre janë larg shijeve e kërkesave artistike të kohës, nuk kanë gjetje të reja, por notojnë rëndom në stilin e lashtë të këtij lloji letrar.
Le të veçojmë për një art cilësor metaforik e stilistikë të pasur gjuhësore fabulistë të tillë të sotëm, si Izet Çulli, Kastriot Hadëri, Gjikë Kurtiqi, Kristaq Laka, Rezo Çulli, Jani Duri, Agim Bajrami, Ymer Nurka, Skënder Demolli, Iljaz Bobaj, Vasil Gjivogli, Dino Çiço, Bardhyl Mezini etj.
Fabula shëtit nëpër botë me misonin e saj qendror: “Lavdi virtytit, luftë vesit.”

 

Leave a Reply