Mimoza Hametaj
Përgatiti Shefqet Dibrani
Mimoza Hametaj u lind në Vlorë, më 10 maj 1960. Në vendlindje ka mbaruar gjimnazin “Ali Demi” e më pas edhe infermierinë në Institutin “Jani Minga” të Vlorës. Emrin e Mimozës si poete e kemi hasur në konkursin e parë kombëtar të fjalës artistike në Radiotelevizion që në vitin 1975, si recituese e poezisë së krijuar prej saj, ku zuri vendin e dytë. Më pas si gjimnaziste ajo përgatiste tekstet e shfaqjeve humoristike për ballon e Vitit të Ri. Pas një ndërprerje të gjatë, (dhe vetëm pasi ka emigruar në Itali), ajo i rikthehet shkrimeve letrare, ku merret me prozë dhe poezi dhe si rezultat i këtij angazhimi është ky libër që po i prezantohet lexuesit shqiptar. Mimoza është e prezantuar në disa panorama dhe antologji, por emri i saj kohëve të fundit më tepër është aktual në shtypin italian, përkatësisht në rubrikën “Vitrina e poetëve”. Përveç anës letrare Mimoza Hametaj e gjejmë si pjesëmarrëse në një mori ekspozitash të arteve figurative, që zhvillohen në Itali dhe janë vlerësuar mirë krijimet e saj, sidomos në artet aplikative. Mimoza Hametaj, nga viti 1993 – 1996, e ndeshim nëpër organizata vullnetare dhe të humanizmit si në “Opera pia Grimari Butari” në Osimo etj., kurse nga viti 1998 është marrë me mediacion në ndërmjetësimin e kulturave, duke ndihmuar e koordinuar shërbime sociale për emigracionin e atjeshëm. Në vitin 2000 inicioi dhe themeloi shoqatën “Qytetarët e Botës” ku zgjidhët presidente e saj, kurse njëra nga iniciativat e para të kësaj shoqate ishte promovimi i “Sheshit të Paqes” në Prishtinë, që do të mbaj emrin e humanistes shqiptare “Nëna Terezë”. Mimoza Hametaj, bashkë me dy vajzat jeton në Ancona të Italisë.
Komente