MBARIM VJESHTE

LASGUSH PORADECI

Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë…
Iku rënd’ e i përmallshëm, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q’i la folezën i trokiti mun në portë…

Pra më s’duket shpesh’ i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s’dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht’ e shkretëtirtë.

Dheri-i mardhue prej thëllimit dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cinërima… ja! se ku dinak dh’ i voçërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçër!…

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale – posi dhëndër me kurorë!…
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij në kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur – posi vash’ e nusëruar!…

Leave a Reply