MALLI
LASGUSH PORADECI
Syr-i bukur që t’u mvrejt –
Syri yt që më lëndon –
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von.
Sapo shpirti m’u dëlir –
Shpirti im i nxirë krejt –
Do më lerë me pahir
Syri-i bukur që t’u mvrejt.
E do mbetem përnjëmënd
Varfanjak si mbret pa fron:
Mbretëresha që më çmënd
Do më lerë-a shpejt a von
Do më lerë-a von a shpejt,
Do më lerë-a shpejt a von,
Syri-i bukur që t’u mvrejt –
Syri yt që më lëndon.
Do më lerë… A! po sí –
Qoftë-ahere-ose tashi –
Do të qaj aq dashuri
Që do humb me mall të ti?
Mua mëndja s’m’a kupton
Mua syri s’m’a vështron,
Pa fillon edhe vajton,
E kullon, kullon, kullon:
Mall! o mall! që vjen e shkon!…
…………………………….
Vjen e shkon e prapë vjen,
Mall që len nga perëndon:
Len e vjen e zjen e bren:
Malli mallin më s’e gjen…
Komente