“Leksionet ” e xha Trushit

Përparim Hysi

Përparim Hysi

“Leksionet ” e xha  Trushit

Tregim
Nga  Përparim  Hysi
Xha Trushin e kam njohur aty pragvitit ’60-të të shekullit që iku, kur qeshë emëruar mësues në  fshatin më të largët që kishte  rrethi i Fierit, ku vetëm këneta e Karavastas e ndante këtë fshat  me fshatrat e Lushnjes. Qeshë riosh dhe merrja fluturim si një zog. Merrja unë fluturim, por në fshat hasa në”ustallarë” që ta prisnin vrapin dhe të jepnin nga ato mësimet që e kishe vështirë që t’i harroje. Se vërtet që shumica e këtyre “ustallarëve” nuk kishin shkollë si unë, por kishin atë shkollën e jetës që jo vetëm të jepnin ujë në shoshë, por të bënin të skuqeshe kur merrje “fluturim”. Natyrisht, një nga “ustallarët” që më bëri për ujë të ftohtë ishte dhe ky, xha Trushi. Sikur hante bukë veç, se ashtu qesh e ngjesh të bënte që të ngelje si me gojëjapur sikur kishe  ngrënë gjellë të nxehtë.
*     *     *

E kisha bërë njohjen e parë me  xha Trushin dhe, tek e takoj një ditë pranvere, pasi shkëmbyem përshëndetjet reciproke, pothuaj standart:

– Si u gdhive xha Trushi?

-Mirë të falaminderit, po zotëria juaj mirë?

Pikërisht, për këtë batutë kaq të veçantë nuk i thosha mirëmëngjes, se më pëlqente ajo”zotëria juaj”, si një relikte e një kohe kish perënduar prej kohe, por xha Trushi priste me sopatë të vjetër.

– Erdhi  pranvera,- hodha unë pak  kripë në zjarr sa për muhabet.

-Kush tha?- pyeti ai. Pyetje që m’u duk fare pa vend.

Po ja, shpejtova unë të mbështes mendimin tim, kanë çelur bajamet, kumbullat, pjeshkët…

-Ah, mor dhaskal! Ah, mor zog që fluturon dhe me pupla.

-Dëgjo dhe ma vër vëth në vesh nga una.

Mos beso as në kumbulla, as në bajame dhe as… epo ku numërohen dot. Se ta dish, or dhaskal, drurët dhe pemët janë si njerëzia. Teste-teste! Ka njerëz të mënçëm, por ka dhe budallenj. Kështu dhe pemët. I shoh si ti që kanë çelur ato, por që të gjitha janë si pemë”budllaçka”, si ato çupat që gënjehen kollaj. Nuk ka ardhur akoma pranvera. Që të besosh se ka ardhur pranvera, prit që të çelë  mëlqinja (xinxifet apo hidet) apo driza. Çelën ato, atëherë nuk ka më kthim prapa.

Se ti, dhaskal,- vazhdoi  lekisonin xha Trushi,- nuk beson kur i quaj si gjallesa pemët e drurët una, xha Trushi. Epo të gjitha nuk i mëson dot në skollë,de (skollë i thoshte shkollës  xha Trushi dhe shpesh i  referohem të folmes së tij). Digjoje, pak xha Trushin ti dhe, pastajaz këtë meselenë time, po të duash, ua tregon dhe çilminjëve në skollë.

– E di ti, dhaskal, atë historinë e zogut me pemët?

-Jo.Pohova pa u skuqur fare.

E, që thuaj, zotrote, zogu paska ngelur cullak, kur zuri e ftohta e dimrit dhe keq se keq, tujte nga pemët për të gjetur strehë qy, zogu. Tujte dhe frymën sa në një pemë në tjetrën. Si puna, do zot, atij që lyp. E griu të ftohtët, o tynajtjeta, dhe bëri andej nga lisi. I tha:- Aman, më streho aty në gjethez të tua. Por lisi, i lartë po, po dhe lastarin lart e hante. Fodull. Si ata fodullët që shikojnë njerëzinë nga lart poshtë, mezalla  se e begenisi. Bridh andej dhe bridh këndej, më së fundi, shkoi tek ulliri. I thotë ullirit:- Aman, se po më kërcasin dhëmbët. Dhe ulliri i thotë:- Futu nën gjethez të mia. U fut. E shpëtoi.

Kur pa që unë po buzëqeshja, ma pat:- Dale,se nuk e kam mbaruar historinë. Tërë këtë që rrëfeva për zogun, e mbajti vesh dhe Perëndia. Se Perëndia (apo nuk më bëhet vonë, muana, në nuk beson zotrote), që thuaj, ti, dhaskal, vërtet qëndron lart, por poshtë i shikon të gjitha. I shikon dhe ka ca tefterë që, kur hapen, i ke aty të tëra. Ziqi i Perëndisë, or dhaskal, është më i drejti në botë. Nuk është si “ziqi” i këtyre gjykatësve të sotëm. E që, mos ngjacem (zgjatem), i pa Perëndia ato ç’ndodhën me zogun e pemët. NJë të hapur tefterin dhe dha dënimin: të gjithë pemëve “fodulle” vjen vjeshta e tretë, e më t’ia u merr gjethet dhe ua vërvit me kilometra larg. Ullirit mezalla. Aty gjethezet e ullirit, si xhan. Dhe, në pret ullirin, të pritet krahu. Tani zgjidh e merr: o fodull si lisi, o njerëzor si ulliri.

Tani buza ime shkoi vesh më vesh, se, me të vërtetë, xha Trushi më dukej si një profesor që kishe qejf ta dëgjoje.
*      *    *

Një ditë vere e pashë që  qe veshur si për krushk dhe, ndryshe nga herët e tjera, nuk i thashë, si u gdhive, por e sfidova:- Qenke bër gati për resme, xha Truhsi, se ke ndryshuar “çehre”.

-Aha, dhaskal, jam për larg. Do çoj lopën se kërkon dem,- m’u shpjegua.

Ore, xha Trushi, por stacioni i dërzimit nuk është aq larg,sa më thuaj ti.

Stacioni i dërzimit,- përsëriti ai jo pa shpoti. Ore, dhaskal, kur them una që ju me “skollë” nuk para hani sqepar, ju nuk më besoni.

Po ja të bëj një pyetje una ashtu siç u bën nxënësve tija në skollë:

– Gjëlpërat bëhen për qeft apo për zahmet (për sëmundje).

-Po për sëmundje, o xha Trushi, pse kush tha për qejf.

Epo, tha Xha Trushi, do vete ta mbaj lopën tujte tek  Koli una,se qy, Koli, ka një dem “sojli” (rrace) për qumësht. Se lopën nuk e kam të sëmurë una,  se sa mirë e dike, zotrote, që gjëlpërat bëhen për sëmundje.

Ore,- vazhdoi pa e prishur terezinë,- një rrugë e dy punë: edhe shkoj tek miku (se duhet një sebep, de), por dhe lopën e “kënaq”. Se dhe lopa  gjallesë është, sado që nuk ka gojë  të kundojë. Ajo puna e “dërzimit” me gjëlpëra nuk ma mbush synë muana dhe nuk dua t’i hyjë në hakëz lopës,una. Ja të pyes tyja: e pëlqen ta bësh atë “punëz” me gjëlpëra? Dhe, kur më pa që më mundi, buzëqeshi dhe vet dhe, pasi zgjidhi litarin ku qe lidhur lopa, u nis për “resme”.

Mirë të gjeça, dhaskal!- përshëndeti.

Të qoftë udha e mbarë, xha Trushi!- ia ktheva përshëndetjen.

Dhe tek u nisa për në shkollë, mezi prisja të fillonte ora e leixmit letrar që nxënësve t’u tregoja atë historinë e pranverës, të zogut dhe pemëve, si “leksione” që m’i kish mbajtur xha Trushi. Natyrisht, nuk përfshiva këtë historinë me lopën,se as do ta kishin më mendjen në mësim.

Sidoqoftë, këto “leksione” të  xha Trushit ia vlejnë që të shkruhen dhe, sado me vonesë, unë i solla sot.

Leave a Reply