KUR NË FLAKË

LASGUSH PORADECI

Kur në flakë të qiririt ze mendohem net-për-net
Dh’e ndjej shpirtin e kulluar nëpër dritën që më tret
Prej skëterrës së pa mate më del bot’ e ëndërruar,
Vetëm ti, o im-e dashur net-për-net më ri larguar.

Po çdo ëndër që më çfaqet prej skëterrës së pa fund,
Çdo mendim i llaftaruar që më dhemb e më përtund,
Dyke rënë prej së lartash posi pikë zembërate
T’i përshkohet për-së-felli bukuris’ së qënies s’ate.

T’i përshkohet mes-për-mezi dlirtësis’ së shpirtit t’ënd,
T’a merr pamjen e fytyrës, bëhet shkronjëz e kuvënd.
Ay del prej shkretëtire mënt’ e mi të m’i stolisë
E ka tingëll llaftarije, ka verbimin e magjisë,
Ndrin i kthíellt e i pastër si pasqyrëz’ e një kroj
Pa nër të fytyrën t’ënde t’a vështroj… nuk t’a vështroj…

O! fytyr’e vjershëruar që më mbush me dëshërime!
Q’i fal gas përjetësije dashuris’ së zemrës s’ime!
Që më bën kur mënt’ e mija rëgëtijnë varg e varg
Të të ndjej aq fare pranë, të më jesh aq shumë larg.

Leave a Reply