Gjithë pushtetin miqve, kundër Letërsisë
Eneida Bozhani
Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka.
Është bërë shqetësuese që nga viti në vit çmimet e shtetit për letërsinë të qarkullojnë në një dorë njerëzish.
Kushvendos?Kushfiton? Sa të pavarura janë palët? Pse ka ndodhur ky izolim? Cilat janë pasojat?Kushhumbet nga kjo histori me miq që punojnë për miqtë?
Dhe në fund: a është vërtet aq i vlefshëm ky çmim sa ç’është i lakmueshëm?
A gëzojnë autorët ndonjë të mirë në interes të letërsisë dhe komunikimit me lexuesin? A i bën çmimi më të njohur, më të pranishëm, më të shitur, më të përkthyer, më me influencë në opinionin publik dhe në realitetin letrar?
Poi marrim me radhë duke parë fituesit e duke e parë jurinë. Si njëra dhe tjera palë do të na shtyjnë të kthehemi herë pas here te të dhënat në vite të çmimeve kombëtare. Përsëritjet janë të detyrueshme.
Juria e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2010 përbëhej nga kryetari Agron Tufa, shkrimtar (disa herë fitues dhe anëtar i jurisë), Persida Asllani pedagoge e letërsisë (disa herë anëtare e jurisë), Bardhyl Londo, poet, burokrat, përfaqëson Ministrinë (disa herë anëtar), Balil Gjini poet, përkthyes nga frëngjishtja; Virgjil Muçi shkrimtar, përkthyes (fitues, anëtar në edicione të mëparshme).
Përfaqëson një model kjo juri?
Modelin e jurisë vajtje-kthim, me autorë që një vit janë fitues, një vit konkurrentë e një vit gjykues.
Ajo e vlerësoi me Çmimin e Madh të Letërsisë studiuesin Sabri Hamiti për veprën “Poetika shqipe”. Hamiti ka fituar një herë Çmimin Kombëtar të MTKRS së Shqipërisë më 2006, atëherë quhej “Penda e Argjendtë”, me studimin “Tematologjia” që është pjesë e studimit të plotë te “Poetika shqipe”!
Për Çmimi “Petro Marko” u përmendën kandidatë të përhershmit Zija Çela e Mehmet Kraja (të dy fitues në edicione të tjera, të dy pjesëmarrës të rregullt në konkurrim).Poedhe debutuesit në prozën e gjatë Idlir Azizi, Rudi Erebara, Lindita Arapi. Juria i buzëqeshi Ramiz Gjinit, romanit të tij “Bibollasit”. Gjini konkurronte edhe në gjininë e tregimit me një përmbledhje me tregime të zgjedhura (ribotim)! Jehona e romanit më të mirë shqiptar ka pasur në shtypin shqiptar së paku një recension, me autor Agron Tufën.
Çmimin “Mitrush Kuteli” juria ia dha Ridvan Dibrës me vëllimin me tregime Në kërkim të fëmijërisë së humbur. Konkurrent ishin sërish Ramiz Gjinin dhe historiani Uran Butka. Kështu që Dibra doli fitues pavarësisht motivacionit ex cathedra: “për teknikat narrative të përvojës së gjallë, të rikuptimësuara në korniza kompozicionale dhe paradokset semiotike me kohën”.
Çmimi “Lasgush Poradeci” për Arian Lekën me poemën Ndreqje gabimesh: “për monologun e subjektit poetik përmes imazheve metafizike e meditative si rrugë komunikimi maksimal me trajtat e rrëshqitshme të femrës në të gjitha rolet e saj”.
Letërsisë si kavie eksperimentale i shkon kjo babëzi për kode, shenja, semiotikë, terminologji, shkencë etj.
Bëhet kështu dy herë fitues Leka poet dhe konkurrentë kishte poet si Preç Zogajn, garues i vjetër po edhe fitues.
Kryetari i jurisë ia ka shprehur vlerësimin Lekës edhe më përpara, i ka dedikuar vargje. Tufa dhe Leka, të dy i përkasin brezit të autorëve që lulëzoi pas viteve nëntëdhjetë, autorë që shpesh kanë treguar solidaritet mes tyre në një grupim që jep e merr çmime, po edhe për neverinë ndaj letërsisë paraardhëse, realizmi socialist. Është e zakonshme të gjesh në librat e tyre me poezi dedikime njëri-tjetrit, një formë që dëshmon solidaritet si në një sekt.
Ngjalli komente në media në vitin 2002, vlerësimi me çmim i Gentian Çoçolit, i cili në vëllimin fitues kishte një poezi dedikuar Agron Tufës, asokohe anëtar i jurisë.
Në radhën e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë është “Faik Konica”. Jepet për studimin dhe këtë vit iu dha “Migjeni, ose parathënie e dyzuar” me autor Anastas Kapurani. Ky çmimi është kuptuar deri më sot si atribut për vepra akademike, universitare. Nuk gjen alternativa përpos varianteve studimore mbi Çajupin, Fishtën, Koliqin, Camajn, Poradecin, autorë të letërsisë së vjetër shqipe. Fituesit tradicionalë kanë qenë shkolla e vjetër e teorisë dhe kritikës letrare në frymën e realizmit socialist, Alfred Uçi, Jorgo Bulo, Floresha Dado. Dy vjet përpara, një nxënëse e tyre fitonte çmim me një studim që një shkallë e ndante nga gjurmët e mësuesve. Studiuesja në fjalë, Dhurata Shehri, është pedagoge e letërsisë, por është edhe bashkëshorte e një ish anëtari të përhershëm, disa herë kryetar i Jurisë së Çmimeve Kombëtare, Mark Marku. Në vitin 2009 juria që vlerësoi Shehrin drejtohej nga Aurel Plasari. Në vitin 2010, juria që vlerësoi zbulimin e vitit Eir Plasarin, vajzën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, drejtohej nga Mark Marku.
Çmimi “Gjergj Fishta” iu dha Visar Zhitit, për librin eseistik “Panteoni i nëndheshëm”. Juria mendon se Zhiti sjell një mendim analitik e sistematik mbi veprën letrare të shkrimtarëve të ndaluar e të burgosur nën diktaturën komuniste. Vepra e Zhitit nuk është shembull as i mendimit analitik e as sistematik, por e kundërta: shembull i subjektivizmit të thellë, mungesës së burimeve, e të dhënave të sakta e të verifikuara, sepse bëhet fjalë jo për vepra dhe shkrimtarë, as për kronikë mbi to, po për fluturim të lirë mbi letërsinë dhe fatin e autorit.
Çmimi “Fan Noli” iu dha përkthyeses Saverina Pasho me romanin Ishulli i mundshëm të shkrimtarit francez Michel Houellebecq.
Në kategorinë e përkthimit artistik konkurronin kryesisht vepra të përkthyera nga gjuha gjermane, përmendim Kafkën në shqip nga Ardian Klosi, Rilken nga Jonila Godole, Hessen nga Aristidh Ristani, një përkthim nga greqishtja i poezisë së Kavafit nga Aristotel Spiro dhe i një romani të Mazantinit nga Mimoza Hysa.
Asnjë nga anëtarët e jurisë nuk është njohës i gjermanishtes, por dy prej tyre merren edhe me përkthime nga frëngjishtja, Balil Gjini dhe Persida Asllani. Dhe fitues është përkthimi i një vepre nga frëngjishtja, që ka për redaktore anëtaren e Jurisë Persida Asllani.
Në të shkuarën e çmimeve kombëtare për letërsinë ka ndodhur që pa ekspertë të përkthimit nga gjuha gjermane, të shpallej fitues Afrim Koçi, përkthyes i veprës voluminoze të T. Mannit, “Mali Magjik”. Pak më thellë në histori, kur çmimet e Ministrisë kishin doza naiviteti e primitivizmi, përpos konstantes së interesave nga persona dhe ekipe të caktuara letrarësh, i njëjti përkthyes është vlerësuar për përkthimin e një autori finlandez!
Çmimi “Jusuf Vrioni”, shpesh rezulton honorifik. I jepet një përkthyesi që ka një kontribut në përkthimin e letërsisë në një gjuhë të botës. Ia dha juria përkthyesit të Joachim Röhm “për kontributin e gjithanshëm e të shumëçmuar në përkthimin dhe promovimin e dhjetëra shkrimtarëve dhe veprave të letërsisë shqipe në gjuhët dhe kulturat gjermane”. Por gjatë vitit 2010 përpos ndonjë vepre të Kadaresë, Röhm nuk ka përkthyer tjetër gjë.
Që prej vitit 1998 e deri dje, me këtë çmim janë vlerësuar pothuajse të gjithë përkthyesit e Kadaresë, pas të cilit kanë zënë vend herë pas here autorë të tjerë.
Çmimi “At Donat Kurti” kushtuar letërsisë për fëmijë, iu dha shkrimtarit të ri Joni Boçarit me romanin “Bor-for ose provat e Askanos”. Boçari kishte konkurrent legjendën e autorit të realizmit socialist për fëmijë, Kiço Blushi.
Çmimi “Migjeni” iu dha poetes debutuese Manjola Brahaj me vëllimin “Vajtimi i Kalipsosë” që zor se e gjen në librari. Edhe kjo autore u vlerësua, për atë që vlerësohen gjithë poetët në Shqipëri, “për gjuhën e pasur dhe imazhet befasuese, në një konceptim modern të strukturës semantike dhe vargut të përpunuar”.
Kjo është “përzgjedhja” ndër 1000 tituj në tre muaj punë.
Ditën kur ndaheshin çmimet Ministri i Kulturës tha: “I gjithë ky proces i pandërprerë synon që me përpjekje të përbashkëta të bëhet i mundur integrimi i kulturës së shkruar shqipe në vlerat më përfaqësuese të kulturës evropiane dhe asaj botërore.”
Për çfarë integrimi flet ministri i kulturës? Ai ka firmosur që kryetar jurie i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë të jetë një njeri që gjykon edhe në juritë e këngës, në këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, në Këshillin Artistik të Projekteve të Ministrisë. Aktualisht Tufa është anëtar i Këshillit të Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
Ky shkrim qëllimisht nuk trajtoi çfarë janë këto vepra që serviren si më të mirat e letërsisë shqipe në një vit. Shijet që vlerësojnë për risi prozën arkaike të romanit të Ramiz Gjinit, e tradhtojnë një juri që vlerëson përkthimin e një autori vërtet provokativ të letërsisë së sotme evropiane si Mishel Uelbek (Michel Houellebecq).
Me çfarë e masin veten autorët shqiptarë, me shijet e miqve? Miqtë nuk janë publik, thotë Kafka.
Letërsi me klimë si kjo nuk mbin.
Komente