KU SHTROHET VALA

LASGUSH PORADECI
(Romancë)

Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q’ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh’i shtinja sytë gjith përdhe –
Gjithë përdhe m’i shtinje sytë…

Po me t’u ndarë vet e vet,
Më s’kishim turp që s’kishte fjalë…
Na ritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.……

Q’ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng’ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s’kish kuptim,
Kuptim’ i fellë-i mallit t’onë;
Se malli jon’ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s’dashuronja-as un’ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri – një fshehtësi
M’e fshehur sesa fshehtësija.

Leave a Reply