KROJ I FSHATIT T’ONË
I
Kroj i fshatit t’onë, ujë i kulluar,
Ç’na mburon nga mali dyke mërmëruar.
Venë mbushin ujë vashat an’-e-mbanë,
Cipëzën me hoja lidhur më-nj’-anë;
Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
Gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.
E si mbushin ujë, bubu! ç’m’ju ka hije
Ndaj këthenen prapë me hap nusërije:
Ndezur yll’ i ballit si yll shentërije.
II
Kroj i fshatit t’onë, gjyrë-‘rgjëndi-i-lyer,
Që nga rrëz’ e malit ç’na mburon rrëmbyer.
Venë pijnë ujë trimat an’-e-mbanë,
Takijenn me lule përmi sy më-nj’-anë.
Takijen e dëlirë, takijen e nxirë,
Buzën më të qeshur… më të psherëtirë…
Mbrënave kur uji mërmëron nga-dalë,
Vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:
Vashëzënë bujare që po vij më krua
Seç e përshëndeta, seç m’u turpërua
Papo ula kryet e shkova si grua.
III
Kroj i fshatit t’onë, tetë sylynjarë,
Në tetë krahina qënke kroj i parë;
Qënke një në botë, s’paskërke të dytë,
Ç’na shëroke plagët, ç’na shëroke sytë. –
Kroj i fshatit t’onë, n’atë mal me fletë,
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
Posi mall’ i zemrës mun në gji të shkretë:
Derdhet aq i egër, derdhet aq i qetë,
Posi mall’ i vashës, që djeg më të fshetë,
Posi mall’ i trimit, që buçet përpjetë,
Obobo! si malli, që nuk vdes përjetë.
Komente