KOSOVE, VJESHTE 2006

JULIA GJIKA

Po vij tek ty dhe humb
Në luadhet e gjelbra
Në luginat ku krihen zanat
Fytyren te laj me to
Në ujrat e bardha.
Janë trembur –thonë
Fshehur rrinë në Bjeshkët e Namuna.
Po vij tek ty
Të dëgjoj trokitjen e zemrës
Dhe fjalën e burrave të mëncur.
Gryka e Rugovës
Të flladit faqet
Dekori maleve të pushton
Stuhitë shekullore
Trazuan paqen e lumenjve
Por nuk ua ndruan dot shtratin
Nga goja tënde dua të dëgjoj
Dielli, dielli, të do e të ka dashur
Shkëlqimin u fali vajzave
Fytyra jote, hënë e plotë
Duart mëkojnë pëllumba
Kur yjet buzëqeshin në qiellin tënd Kosovë
Vezullimet reflektohen tek Nëna.

Leave a Reply