KANGA SKANDALOZE
MILLOSH GJERGJ NIKOLLA – MIGJENI
Nji murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
barë dhe mkatet e mija mbi supat e vet të molisun,
mbi supat e verdhë si dylli që i ka puthë hyjnia
– kaloi rrugës së qytetit si ejll i arratisun…
Nji murgeshë e zbetë, e ftoftë si rrasa e vorrit,
me sy boj-hini si hini i epshve të djeguna të gjallesës,
me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertime që mbysin
– ma la der vonë kujtimin, kujtimin e ftoftë të kalesës
Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta
Pa lutjet e saj bota, kushedi, ç’fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi drita.
O murgeshë e zbetë që çon dashni me shejtënt,
që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu praën lterit
dhe ua zbulon veten… Cmirë ua kam shejtënve:
Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.
Unë edhe ti, murgeshë, dy skaje po të nji litari,
të cilin dy taborre ja ngrehin njeni-tjetrit –
lufta asht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit.
Komente