Ia kam frikën njeriut
Mensur Spahiu
Ia kam frikën njeriut
Më shumë se çdo tmerri në botë
ia kam frikën njeriut, dhimbja ime!
Njeriut që afron me shkëlqime të rreme,
njeriut të bardhë a të zi,
të marrit a të mençurit,
të veshurit a të çveshurit…
Biri im, kujdes!
Ruaju fytyrës që afron njëherësh
buzëqeshje, pendim, dridhje e mall.
Brenda saj ruhet fytyrëzeza dhe pret,
pret të mbuloj me një natë të gjatë.
Ruaju syrit që bën sikur loton,
tek rrotullon në lot gjoksin thellë t`a shpon,
( syri plas gurin, thonë,
sytë prej shpirtit ushqehen )
Brenda atij syri folen ka shpirtëzeza që pret,
pret të hidhet si gjarpër për të kallur sytë
( ooo, fytyrë me sy të djegur… )
Ruaju buzëve që afrojnë vetëm puthje
të lëngëzojnë trupin, të lëvdrojnë n`mburrje.
Brenda atyre buzëve fshehur rri fjala,
rënd del nga goja si gjëma: nepërk – fjala
të ç`burrëron të nxin, të tret e shkrin,
të lë pa ditë, pa natë, të gllabëron të gjallë…
Shtrije, shkele, pështyje në fytyrë
në gojë e sy – njeriun e lig.
Qaje terrin, puthe diellin
ngrohe shpirtin që s`të lë të tretësh…
Më shumë se çdo tmerri në botë,
ia kam frikën njeriut, biri im!…
Të pandershmit, shpirtëligut
i bardhë a i zi, i marrë a i mençur,
i veshur a i xhveshur…
Jo gjithçka që ar shfaqet e duket
arin e vërtetë mban brenda.
Biri im, kujdes!
Toronto. Janar 2005
Komente