GJENIU I ANIJES
LASGUSH PORADECI
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija me ngé? –
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…
Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj valës së nxire
Gjeniu i anijes po flet:
Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmën s’e ndal kursesi.
Dh’aspak nuk më tremb zhurmërija,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi kórje të mija
Ndërsimi-i tallazit armik.
Përpara kur shoh gjeratore,
Dh’ato më gremisin në fund –
Mi kulmin e valës malore
Un’ heq të shpëtoj sa me mund.
E morti fatkeq në më çiku,
N’u desh tmerrësisht të fundas –
Aspak nuk më thyen reziku,
Po nis e përmbysem me gas:
Se prapa le vazhdën e ndritur –
Q’e hapa me shpirtin fatos: –
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q’u sos.
………………………………..
Valimi-i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Gjeniu i anijes përjetë
Hepohet… anohet… valon…
Komente