Frika e së vërtetës

 

Dhori Thanasi

                                      Dhori Thanasi

Dhori Thanasi

           Frika e së vërtetës…

(Parathënie e librit “Ia kam frikën njeriut” e Mensur Spahiut)

Pas më shumë se një dekade, familja e Spahiajve nga Kukësi, i çeli përsëri dyert e poezisë. Kanë kaluar më shumë se një dekadë qysh kur biri i kësaj familje, poeti i talentuar i Veriut, Agim Spahiu heshti për të marrë rrugën e përjetshme qiellore dhe duket se prej aty ka lëshuar muzën poetike tëk i vëllai, Mensuri, i cili paraqitet sot me vëllimin e tij poetik.

“Ia kam frikën njeriut” u konkretizua pas debutimeve të shumta poetike të autorit me cikle të herahershme në organe të ndryshme letrare të pritura mirë dhe përgëzuar miqësisht prej lexuesit dhe tryezave poetike.  Titulli i librit nuk është thjeshtë ai i një poezie, por në esencë përmban kredon e gjithë këtyre vargjeve të përfshira në këtë vëllim.

            “Ia kam frikën njerit” nuk është grumbullim fjalësh për të tërhequr vëmendjen artificialisht ose për të ngjallur panik a për t’i rënë alarmit të frikës prej njeriut si qenie.

            Kursesi jo. Ai është një thirrje e shpirtit të trazuar të poetit që ecën në një hap me të tjerët dhe krahas tyre, por nuk i pëlqen tu rrahi krahët për mirësitë që kanë, nuk i pëlqen, po ashtu, t’i rahin krahët për çka tek ai është pozitive. Ai drithërohet për veset, makutërinë, pabesinë, krimin, pandershmërinë, shthurrjen, haresën e qëllimshme, lajkatimin, shtirjen, përbuzjen, dhunën, të cilat janë brenda tij e njeriut në përgjithësi, por që kamuflohen me hipokrizi e shiten si virtute. Pikërisht këtu e sheh frikën poeti Mensur Spahiu dhe kërkon që këtë frikë ta ndaj me të tjerët, sepse kjo frikë “universale” nuk është vetëm tek “të tjerët”, por, ndoshta më shumë, është frikë edhe nga vetja.

            Aq tmerre të ngjallin “bëmat e së keqes” të njeriut, saqë poeti kërkon ta tjetërsoi dhe një njeri të tilllë tipik ai e quan “hija e të gjallit-vdekur”, i cili ka forcë që :

“…rrethuar në terr e tmerr ndjek mëngjeseve,

                                           ditëve, mbrëmjeve;

netëve në përkëdhelje të dridhshme

ndjek e rrethon, rrethon e ndjek!”…

Por tematika e këtij vëllimi, ndonëse ka në qendër për sa përmenda, ka shtrirje dhe tenton t’i prekë të gjitha dukuritë e përditshme. Aq e vërtetë mbetet ky fakt sa në disa poezi të krijohet bindja se poeti mban një ditar në vargje për ngjarjet që jeton dhe “luan” miqesisht me njerëzit e tij më të afërt dhe të njohurit e tjerë që zënë vend në jetën e tij, për të cilët, në mungesë të tyre vuan nga :

“…mall i përvëluar në pritje!”

Për poetin ecën natyrshëm paralelizmi figurative dhe elmentët jofrymorë në disa poezi e ndihmojnë të zbulojë “të fshehtat” (veset e patreguara por të pranishme) e botës frymore. Ndërsa në rastin e mëposhtëm dy linjat shtet dhe femër , struktura  e makinës shtet i shërben poetit për të shpalosur para lexuesit tiparet dhe thelbin e femrës që me kompleksitetin dhe misterin mitologjik që mbart mbetet edhe sot burim i çdo mirësie, por jo rrallë edhe ligësie e pabesie, trashëguar që prej mëkatit të Evës a “miklimit” luftënxitës të Helenës… sikurse jo rrallë veprojnë edhe shtetet.

“…Kështu portat për në trupin e femrës;

lule, zbukurime, tatuazhe kafshësh të egra.

Në heshtje ngjajnë me porta shtetesh,

brendësitë e tyre do të ngjajnë patjetër.”

 

Në vargje të tjera spikat ideja se kjo botë e “re” në shumë aspekte të qenësishme jetësore është bërë tejet formale dhe ka humbur “shijen” për të cilën në fakt njeriu është krijuar dhe kështu në vend që njeriu t’i gëzohet të natyrshmes rrëshqet dhe ka humbur në “humnerat e fallcitetit”. Kështu ndodh tek “Dashuri moderne” ku

“…s’ka dridhje sysh,

as dridhje buzësh!…”

                        Poeti  përasnjëherë nuk e shkëput veten nga të tjerët dhe gëzon ose vuan të mirat dhe të këqiat e qenies njerëzore. Po kështu ai në një kuadër më të ngushtë, ndihet si një pjesë përbërse e Atdheut të tij, për të cilin poeti është më shumë se krenar edhe ndihet pa lëkundje i “përkëdhelur” në dheun e huaj ku jeton midis njerëzve me orgjina të ndryshme .

“…Shekujt më mësuan fitore,

dhe humbje njohur kam,

por jo nënshtrimin, tjersimin s’e njoha kurrë.”

Ndoshta prej kësaj “përkëdhelje” poeti ndihet se është “dikush” dhe ka të drejtë të thotë diçka që të tjerët kanë nevojë, por ai nuk merr poza “detyrimi” a “prepotente”, përkundër me thjeshtësi flet me zërin e tij që siç thotë ai është vetë e “vërteta”

“…Nëse dikush të thotë;

se them një fjalë, ngroh një vargë a këngë,

                                             mos rri pa gjumë!

Them të vërteta, dhe brenda gjakut jam

me rrjedhën e jetës pa harruar kurrë.

 

Asgjë, asgjë më shumë!”

                        Duke nënvizuar idenë bazë të shprehur nga poeti edhe nëpërmjet titullit le ti mëshojmë faktit se kjo botë është “shthurur” jo vetëm në marrëdhëniet e thjeshta midis njerëzve por më tej edhe në ato ndërshtetërore, ndaj poeti vargëzon një ide të përjetshme me pak fjalë”

“…lufta me të ligun s’ka mbarim…”

 Aq aktuale qëndron kjo devizë edhe sot kur duket se rruzulli tokësor është katandisuar në një “top prej lecke” dhe njerëzit në “lojtarë të këqij” që e shqelmojnë pa mëshirë…dhe kushdo, kudo, kurdo duhet të bëj kujdes nga i ligu që s’e hoqëm e s’e hoqëm dot qafe.

          I zhytur në disa raste në vorbullën e kësaj jete, poeti ka nxjerrë një mësim që kërkon ta ndajë me të tjerët qe jo më me shpirtgjerësi “instiktive” por mbi bazat e njohjes “intelekt” do të shërbejë në vlerësimin e atyre që na rrethojnë dhe se, çfarë atyre duhet t’u japim, varet vetëm prej tyre. As lotët nuk mund t’i japësh atij që nuk e meriton një gjë të tillë, atij që për ty s’do të bënte të njëjtën gjë:

 

“…kur s’qan kush për ty, mos qaj të tjerët.

Ruaje lotin të qash veten!?

 

Është ky dyshim i bazuar në ndodhitë e përditshme të jetës personale dhe asaj shoqërore që e çojnë poetin Mensur Spahiu në konkluzione, të cilat, ndonëse nuk na pëlqen t’i themi a dëgjojmë, e dime që na grryejnë shekuj pas shekujsh, sekond pas sekonde. Natyrisht, poeti ka zgjedhur rrugën e vargjeve që përshkruajnë realitetin sikurse është, sepse vetëm kështu mund të shkohet në atë realitet siç do të donim të ishte…

            Por deri atëherë, duket, se na mbetet për të bërë hapsira të pamata rruge dhe njeriu universal dhe vetvetja do të notojnë në ujra të “turbullta” me shpresën e vakët për në “bregun e premtuar”.

            Deri atëherë…

“…Ka kohë s’di kujt t’i besoj!

Herë-herë mundimshëm ia kam frikën dhe vetes,

shkëndijon ndryshe, sikur s’më bindet!”…

Detroit, korrik 2006

Leave a Reply