FERIT LAMAJ
Nga “FotjonArt”
Ferit Lamaj u lind në Korçë më 6 janar 1955. Ka kryer studimet e larta në degën gjuhë – letërsi shqipe. Ka publikuar 75 libra, në faqet e të cilëve renditen mbi 5000 fabula.
Disa nga titujt e librave: “Lepuri që bën shaka”, “Në kopshtin zoologjik”, “Tosi me fustan”, “Kush e hëngri mjaltin?”, “Bilbili dhe gjinkalla”, “Fabula”, “Mikrofabula”, “201 kryefabula”, “Mjau, mjau!”, “Ham, ham!”, “Ka, ka, ka!”, “Ki, ki, ki!”, “Mak, mak!”, “Dhelpra doganiere”, “Dhelpra e Trojës”, “Kafshët flasin”, “1111 fabula”, “Papagalli pinguin”, “Një deve pranë Eifelit”, “Derri me tri këmbë”, “Gërvisht e gërvisht”, “Lakuriqi lakuriq”, “Miss Dhia”, “Mbreti xhuxh”, “Mjeshtër Pinoku”, “Dhelpra dhe fiqtë”, “Dhelpra, rrushtë dhe Ezopi”, “Gicvi dhe polici”, “Luajnë lepujt domino”, “Fshat e zanat”, “Fabula xhepi 1, 2, 3”, “Gëzuar Ditëlindjen!” (fabula në 6 gjuhë)., etj.
Fabulat e Ferit Lamajt janë përkthyer e botuar në disa gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht, greqisht e rumanisht. Krijimtaria e tij është ekranizuar në albume fabuleske nga TV shqiptar, nën interpretimin e aktorëve Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Lazër Filipi e Roland Trebicka.
Është hartues i përmbledhjes antologjike të fabulës shqiptare si dhe fitues i mjaft çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, ku spikatin: -çmimi i parë në konkursin kombëtar të 45-vjetorit të Çlirimit (1989); -çmimi “La Fonten” nga Ambasada Franceze në Tiranë (1995); -çmimi “Libri më i mirë për fëmijë në gjuhën shqipe” (Maqedoni, 1996); -çmimi i Karrierës (1996); medalja e argjendtë në konkursin ndërkombëtar “Il faro d’Argento” (Itali, 1998); -medalja e argjendtë nga Biblioteka Ndërkombëtare e Poezisë (SHBA, 2002); -medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Presidenti i Republikës (2005); -lista e Nderit e IBBY-t (Kinë, 2006). -aktualisht vëllimi “Dhelpra e Trojës” është përzgjedhur për botim përmes konkursit ndërkombëtar “Estroverso” (Udine, Itali) dhe se fundi Çmimi Ndërkombëtar i Karrierës (2011, Itali).
Ka studiuar e hulumtuar në fushë të fabulës në Greqi, Itali, Francë, Gjermani,SHBA, Bullgari, Rumani, Zvicër, Austri, Egjipt, Maqedoni, Kosovë, Mali i Zi, Çeki, Kinë.
Është anëtar i Shoqatës Botërore të Fabulistëve si dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.
Disa vlerësime
“Është privilegj për letërsinë e sotme shqiptare dhe, sidomos atë për fëmijë, që
i ka ardhur një talent i fuqishëm, Ferit Lamaj. Ta transplatosh realitetin e jetës në
art me figura përrallore duhet mjeshtëri e rrallë dhe këtë mjeshtëri fabulisti Lamaj,
si një filozof i kohës, e zotëron më së miri.”
Prof. Bedri Dedja
“Më kanë pëlqyer përherë fabulat e Ferit Lamajt, këtij Ezopi shqiptar. Kam
patur kënaqësinë e rrallë të interpretoj në moshën 75-vjeçare në një film televiziv
pjesë nga krijimtaria fabuleske e Lamajt. Më duket se jam rilindur. Faleminderit,
Ferit!”
Kadri Roshi
“Ferit Lamaj është më origjinali e më i begati ndër fabulistët shqiptarë. Njeriu
mund të shkruajë tërë jetën dhe të mos arrijë të botojë as njëqind pjesë nga kjo
sferë e mençurisë njerëzore. Ndërsa Ferit Lamaj të habit me begatinë krijuese në
këtë fushë.”
Dritëro Agolli
“Fabulisti Ferit Lamaj është padyshim zëri më virtuoz i fabulës shqipe. Si një
mjeshtër e akrobat i fjalës, Lamaj, vargun fabulesk, këtë zhanër të hershëm letrar
e sjell në skenën e kohës përmes mençurisë filozofike dhe një arti befasues e të
qëndisur metaforik.”
Roland Trebicka
“FotjonArt” , 25 Janar 2009
E plotesuar me 23 prill 2013
Komente