Dy fjalë për vëllimin “Dënesa në qiell”

Meri Lalaj

Meri Lalaj

 

Kur takohesh me poetë

Dy fjalë për vëllimin “Dënesa në qiell” të Dhori Thanasit

Nga Meri Lalaj

Unë isha ulur tek një lokal për të pirë kafe me mikun tim Përparim Hysi. Drejt nesh erdhi dhe na takoi një mik i Përparimit, Dhori Thanasi. Ai nxori nga xhepi një libër me poezi dhe ia dhuroi Përparimit në ballinën e tij lexova “Dënesa në qiell”. Libri më bëri përshtypje sepse kishte një format të këndshëm të vogël e të thjeshtë, nga ata libra që mund t’i marrësh kudo me vete. Pasi biseduam pak ai pyeti nëse unë lexoja libra dhe më dhuroi librin e tij. E mora dhe e falenderova duke menduar se do t’i hidhja një sy me një të lexuar diagonal.

Kur erdha në shtëpi hapa faqen e parë dhe lexova: “Kjo faqe është për time më që mundësoi botimin e këtij vëllimi poetik.” Aty ishte vendosur edhe fotoja e nënës së autorit me veshje tradicionale të jugut. Ishte diçka shumë prekëse.  Fillova ta lexoj librin dhe nuk po ndalesha: vargjet tingëllonin, fjalët e zgjedhura me kujdes, mendimi i ngjeshur e lexoja përsënjëzaj me drithërimë: “Atdhe: / Tek ti / Isha një pemë me rrënjë në tokë / Krenar si malet / Me shtat tek retë. / Atdhe / Larg teje / Jam një gjethe në degë pa pemë / I zvetënuar si balta / Mesthyer tokës rënë.”

Por shpirti i shqetësuar i poetit nuk mund të anashkalojë ngjarje të veçanta për vendin tonë si viti 1997 apo poezia kushtuar Pavarësisë së Kosovës “17 Shkurt 2008” me vargjet: “Shkriu / Një pikë e ngrirë loti / Prej shtypjes / Prej dhembjes / Kallkanosur ndër shekuj.”

Gjatë leximit të këtij libri poetik, befasia ishte përdorimi i saktë i gjuhës shqipe nga ana gramatikore dhe drejtshkrimore (e theksoj sepse lexojmë lloj e lloj mangësish në këtë drejtim). Në këtë libër të vogël ka shumë dashuri për Shqipërinë, për njerëzit e dashur si në poezitë “Dhimbje”, “Çorapet e leshit”, “10 vjet”, “Vetmia”, “Shushatje”, “Gruas”, “Dashuri e parë”, “Njeriut të mirë”, “Dashuritë” dhe ja: “Gruas / Shkëndijë të mora, / M’u bëre DIELL, / Nuse moj! / Tani venitur / Me dritë HËNE, / Por,… ndrit njëlloj…” apo “Me dredha me ledha / Ma mbështolle trupin / Me fëshe pësh pëshe / Ma shkërmoqe turpin.”

Poezia e Dhori Thanasit rrjedh e qetë, e ngrohtë, e vërtetë nuk bërtet dhe ulëret, ai është vetvetja këndon me zërin e tij, nuk mund të them se poezia, vargjet e tij ngjajnë me dikë tjetër. Ai vargëzon ashtu siç di, por është krejt i veçantë në përdorimin bukur jo vetëm të aliteracionit për të rritur fuqinë shprehëse të vargjeve, mund të jap shembuj: “Mbi dunë në dimërishtë / Delmatari i bërë dërmak / Si dudi i fryn dudukut / Tek dërmi një copë dërrmash.” E më tej: ”Asohere akëku amësimi i atkinës u ashk…”dhe “Mes çetinave në çukajë / çërçëret një çurkajë. / Mbi çapëtirë me çuçlimë; / uji çak në çakëllimë.”

Urime për përdorimin bukur të fjalës shqipe.

Leave a Reply