DJALI QË NUMËRONTE YJET
SOKOL JAKOVA
– përrrallë –
Na ishte ç’na ishte… Një herë e një kohë na jetonte në një qytet të largët një djalë i vogël, fort i përkëdhelur, që prindërit e kishin rritur me tërë të mirat. Ky djalë nuk kapte libër me dorë, në shkollë herë shkonte e herë shkonte, prandaj ishte mbytur në mungesa, e mendjen e kishte sesi të bënte sa më tepër qejf, sesi të luante e të shqepej futboll, ndërsa në mbrëmje sesi të dilte e të vonohej rrugëve me shokët, nganjëherë deri në mesnatë.
Prindërit e kishin të vetëm e shqetësoheshin shumë nga sjelljet e djalit, aq më tepër se ai po rritej dita-ditës dhe nuk kishte asgjë në terezi për të ardhmen e tij.
Kur kthehej natën vonë në shtëpi, ngaqë s’e zinte gjumi (i uruari gjumë atij nuk i dilte në mëgjes, por nga dreka) djali shpesh herë shkonte në ballkon dhe numëronte yjet, kur qielli ishte i qëruar dhe paralajmëronte kohë të mirë. Numëro e numëro, asnjëherë nuk i dilte e njëjta shifër, derisa nisnin t’i mbylleshin sytë. Atëherë, kur gati agonte, djali binte në shtrat të flinte.
Një natë të vonë, teksa pati dalë në ballkon të numëronte yjet, befas përballë iu faneps një plaqk shkurtabiq fort i moshuar, me një mjekërr të gjatë e të bardhë, e cila i shtrihej deri në fund të këmbëve. Në fillim djali u tromaks, por pastaj e mblodhi veten.
– Çfarë po bën, o bir? – e pyeti plaku djalin.
– Hiç, po rri e po numëroj yjet. Po ti kush je?
– Unë jam magjistar dhe di të bëj çudira që të marrin mendjen. Jetoj prej
dyqind vjetësh në një pyll jashtë qytetit. Erdha, sepse mora vesh që ti, o bir, në jetën tënde nuk merreshke me gjë tjetër, veçse numëroke yjet.
– Është e vërtetë, babagjysh! – tha djali ca i mërzitur. – Dhe e vërteta tjetër
është se përveç numërimit të yjeve, unë nuk di të bëj asgjë.
Plaku për disa çaste ndenji i menduar, lëmoi lehtë mjekrrën me dorë, pastaj
tha:
– Kjo nuk është punë e mirë, o bir! Ti je ende i vogël, por a ke menduar vallë se ç’do të bësh kur të rritesh e kur të mbetesh pa prindër, që sot të mbajnë në pëllëmbë të dorës?!… Si do të ushqehesh e do të mbash familjen: duke numëruar yjet?!…
– Për këtë s’më ka vajtur ndër mend ndonjëherë deri tani, o plak i mirë! – I tha djali.
– Keq, shumë keq, – ia ktheu plaku.
U bë heshtje. Të dy qëndronin përballë njeri-tjetrit dhe prisnin të vazhdonin bisedën.
– Po atëherë, o babagjysh, meqë erdhe, a mund të më ndihmosh ta kapërcej këtë të metë që kam?
– Unë të ndihmoj, biri im, por edhe ti duhet të përpiqesh sa të mundesh.
– Po qysh?
– Ec me mua se do të t’i shpjegoj të gjitha në pyll.
* * *
Djali as që mori vesh sesi u zhduk bashkë me plakun. Veçse para se të zhdukej mbajti mend që babagjyshi nxori nga brezi një shkop si çomagë dhe e qëlloi me të lehtë në kokë.
Në pyll gjendej kasollja prej druri e plakut shkurtabiq. Atje qëndruan, pasi plaku e ktheu djalin përsëri në njeri me shkopin e tij magjik
Të nesërmen babagjyshi bashkë me djalin morën udhën për në zemër të pyllit. Plaku kishte marrë me vete një sopatë të madhe.
– Po sopatën përse e paske marrë, o babagjysh?
– Për ty. Do të të mësoj që në vend që të numërosh yjet, të presësh dru dhe të bëhesh druvar i mirë.
Djali rrudhi turinjtë, po s’bëri zë. Përderisa i pati kërkuar ndihmë plakut, s’kishte gojë të kundërshtonte.
Babagjyshi u tregua shumë i durueshëm, por edhe i rreptë, derisa e mësoi djalin sesi priteshin drutë, sesi stivoseshin e bëheshin gati për t’u djegur. Dhe ky nisi nga puna. Por ngaqë s’ishte mësuar me asnjë lloj pune, u lodh shpejt. U mërzit sa më s’bëhet, por e kuptonte mirëfilli se duhej të duronte përsëri.
Pas disa ditësh, kur gati po pëlciste prej marazit, lodhjes dhe mërzisë, i tha plakut:
– Pse, babagjysh, druvar do të bëhem unë?
– Kjo është një punë më me vlerë sesa të rrish e të numërosh yjet.
– Jo, jo, unë nuk bëhem kurrë druvar. Gjemë, të lutem, një zanat më të
fismë që ta provoj a mund ta bëj.
– Këtu në pyll, përveç zanatit të druvarit, unë s’kam tjetër, o bir!
– Po si mund të më ndihmosh përsëri, o plak i mirë, që kur të rritem të merrem me një punë që të më kënaqë?
– Atë e ke në dorë vetë. Ti ke humbur boll kohë duke numëruar yjet, në
vend që të numëroje sesa libra ke lexuar. Ndër to do ta gjesh zanatin që dëshiron e që, kur të rritesh, do të të bëjë dikushi në jetë.
Djali, sado i pamençur të ishte, e nguli vath në vesh këtë përgjigje kuptimplote të babagjyshit. S’kishte ç’bënte; duhej t’u shtrohej vendshe mësimeve, të punonte sa më tepër që të fitonte kohën e humbur, sepse përndryshe i humburi do të ishte vetëm ai.
Kaluan ditë, javë, muaj e vite dhe tanimë djali rritej duke studiuar. Librat i hynë kaq në qejf, sa nuk i shqiste nga duart. Mësonte deri natën vonë. Dhe nganjëherë, kur donte të pushonte, dilte në ballkon dhe vështronte yjet, jo që t’i numëronte si dikur, por me sy ëndrrimtarë, pasi sikur shihte tek ata të ardhmen e tij të ndritur.
“FotjonArt”, 18 mars 2009
Komente