BIBLIOTEKA E KLINTONIT

ADNAN MEHMETI

Bill Klinton presidenti më i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara dhe i adhuruar në gjithë botën që ngriti imazhin e mirë për vendin e tij. Gjatë dy mandatave, si president, ekonomia amerikane lulëzoi, mirëqenia u rrit, papunësia u zvogëlua. Presidenti i buzëqeshur që solli paqe në shumë vende të botës. Presidenti që prishi mitin serbo-rus. Presidenti që përshpejtoi lirinë e popullit të Kosovës…
Për të mësuar më shumë për të kaluarën dhe veprën e tij mora rrugën për të vizituar bibliotekën e tij muze në shtetin Arkansa.

Udhëtim në shtetin Arkansa

Shteti Arkansa i është bashkangjitur Unionit në vitin 1836. Eshtë shtet i vogël me popullësi 2.67 milion. Kufizohet me shtetin Teksas, Luiziana, Misisipi, Tenesi, Mizuri dhe Oklahoma. E zë vendin e parë në SHBA për oriz, sojë dhe pambuk. Eshtë i pasur edhe me gas natyral. Eshtë i dëgjuar për minierën e diamantit dhe kristalet nëntokësore. Vetëm për lexuesit kureshtarë, u përkujtoj se në këtë shtet gjendet edhe një kuriozitet. Diamond Discovery Center quhet miniera ku vizitori mëson çdo gjë që lidhet me diamantin dhe metodën se si duhet kërkuar diamanti. Për herë të pare është zbuluar në vitin 1906…Me fjalë të tjera, është vendi i parë në botë që miniera me diamant është e hapur për publik. Gjë e rrallë apo jo?
Si çdo shtet amerikan, edhe Arkansa ka histori unike. Emigrantët e parë evropianë datojnë nga viti 1686, shumica janë gjermanë dhe zviceranë, që u vendosën fillimisht përgjatë lumit Misisipi. Edhe vendbanimet quhen me emra të qyteteve gjermanë: Bismark, Stuttgart, Altus, etj. Kryeqyteti i tij është Little Rock. Ky qytet i vogël po me të gjitha atributet e një kryeqyteti modern. Dy pikat më të frekuentuara janë: Capitoll Hill, e kompletuar në vitin 1911 dhe Biblioteka e Bill Klinton që është edhe motivi i këtij udhëtimi.
Udhëtimi u bë me makinë nga shteti Teksas, që është në kufi. Këta dy shtete fqinj, e ndajnë një qytet për gjysmë. Edhe emrin e ka marrë nga parashtesat e dy shteteve Teksakana (Texas&Arkansa). Siç dihet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëhen nga 50 shtete. Përjashto, shtetin Alasaka dhe Havaji, 48 shtetet tjera janë të kufizuar me tokë me njëri-tjetrin. Pikë doganore nuk kanë, por kanë vijën kufitare, ku në çdo hyrje të shtetit është tabela ku informon se toka e cilit shtet është. E tillë ishte edhe tabela “Mirësevjen në shtetin e Arkansas” ku valon përbri flamuri i shtetit në fjalë. Pastaj vjen Shtëpia informative turistike. Aty, çdo i ardhur nënshkruhet në librin e vizitorëve Aty na dhanë hartën e Arkansa dhe shumë broshura që lidheshin me pikat më turistike të vendit. Në fakt, unë me fëmijët dhe gruan e kishim mendjen tek Biblioteka e Klinton, që ishte edhe arsyeja e udhëtimit, por vendosëm ta ndërronim itinerarin e vizitës. Së pari vendosëm të vizitonim shtëpinë e tij të lindjes, sepse edhe rruga kalonte mes përms qytetit tij të lindjes.

Tre shtëpitë-muze të presidentit Klinton

Qyteti ku ka lindur Bill Klinton quhet Hope.Një qytet i vogël, me më pak se 10 mijë banorë. Pak milje nga autostrada që lidhë Arkansa me Teksas, ishte stacioni hekurudhor, nga e kishim pikën e referimit për të gjetur shtëpinë e ish-presidentit Klinton. Në stacionin e trenit një tabelë e vogël me të vetmin shkrim HOPE. Për çudi nuk kishte njerëz. Atëherë, vazhduam rrugën me makinë duke ndjekur emrat e rrugëve. Shtëpia e tij nuk mbante larg nga stacioni i trenit. Nuk qe shumë e vështirë për ta gjetur. Një shtëpi dykatëshe, me ngjyrë të bardhë, në oborrin e së cilës valonte flamuri amerikan. Ishte përbri rrugës e kthyer në shtëpi-muze.
Qyteti nuk ka ndonjë ekonomi të zhvilluar. I rritur në një lagje të varfër, ku shokët, i kishte më shumë zezakë dhe hispanikë sesa të bardhë, por kjo nuk e pengoi që shpirti i tij frymëzues të marrë përmasa të një burrështeti të famshëm.

***
Shtëpia e tij e dytë, që jetoi që nga shkolla fillore e deri sa e kreu gjimnazin, është në qytetin e bukur piktoresk, Hot Springs. Edhe kjo shtëpi është shndërruar në shtëpi-muze. Qyteti i lartpërmendur është një ndër qytetet më të bukur jo vetëm në shtetin Arkansa por ndofta edhe në krejt Amerikën.
Qyteti turistik Hot Springs është i themeluar nga emigrantët zviceranë. Eshtë një“oazë” e arkitekturës evropiane në zemër të shtetit Arkansa. Kjo arkitekturë vizitorit i bie në sy sapo i afrohet qytetit. Cdo gjë është ndërtuar në stilin evropian dhe me shije. Një qytet shumë i pastër dhe i gjelbruar. Por kjo nuk është e gjitha. Nga Zoti ka një “dhuratë”. Qyteti është qender klimaterike. Nga kodrat buron ujë i nxehtë, ujë termal, që vazhdon deri në qytet. Karakteristikë është se nga të gjitha anët sheh sesi avullon uji i nxehtë: si buron nga kodrat, si buron mu në qendër të qytetit. Njerëzit qëndrojnë në radhë për të mbushur bidonat me ujin e shëndetshëm për të pirë. Prandaj, edhe emrin e ka aq të bukur – Hot Springs – gjithmonë pranvera të nxehta. Duke shfrytëzuar këtë fat të natyrës, ky qytet është karakteristik si qendër masazhi.Me qindra shtëpi dykatëshe afrojnë masazhim që në anglisht ka termin spa.
Qyteti është i frekuentuar nga turistët katër stinët e vitit. Në rrëzë të malit, në qendër të qytetit është ndërtuar hoteli madhështor, aty ku i kalonte netët Al Kapono. Duke kaluar natën në këtë hotel të shtrenjtë, seç mu kujtua poeti Dritëro Agolli me poezinë “Në krevatin perandor”.
Në qendër të qytetit është fotografia e Bill Klinton ku shkruan Hot Springs – qyteti i Bill Klinton. Në këtë qytet Klinton kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.
Vizita tjetër ishte në qytetin Fayette ku bleu shtëpinë e parë me paratë e veta pasi u martua me Hillary dhe punonte si pedagog në Universitetin e Arkansa. Sigurisht, nga dy shtëpitë e para, kjo shtëpi është më e mirë. Pra, edhe kjo shtëpi është shndërruar në shtëpi-muze.
Vetëm pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, Bill Klinton bleu shtëpi në zonën e Nju Jorkut, ku jeton me gruan e tij.

Biblioteka dhe Muzeumi i Bill Klinton

Të gjitha rrugët e kryeqyetit Little Rock të çonin në një drejtim: drejt bibliotekës së presidentit Klinton. Një ndërtesë e madhe e veshur me xhama të shkëlqyeshëm vezullonte nga rrezet e diellit. Aty valonte flamuri amerikan dhe ai i shtetit Arkansa. Përshtypje të madhe të bënte që parkingu atë ditë të zakonshme të javës ishte i mbushur përplot. Edhe radha e autobusave, që vinin të organizuar në grupe nga shtete të ndryshëm, ishte i gjatë. Vetëm për të blerë biletën, na u desh të prisnim në radhë më shumë se një çerek ore. Nuk ishte thjesht një parking i rëndomtë. Ishte i gjelbruar në te gjitha anët, me plot stole, ku njerëzit uleshin për të pushuar apo per të bërë fotografi, kujtim nga ky eveniment vizite. Pastaj, shkallë- shkallë lëshoheshe deri buzë lumit Arkansa ku duke shëtitur të joshte ajo bukuri natyrore që ishte gërshetuar në një pikë nga dora e njeriut të arkitektit – aty ngrihej një ndër objektet më moderne të shekullit Biblioteka e presidentit Klinton.
Cdo vizitor, kam bindjen, kur vjen për herë të parë, pyet: Pse ky objekt në formë të objektit të gjysmëkryer? Pse me një anë të duket se nuk është përfunduar. Dhe përgjigjja mësohet vetëm kur hyn brenda dhe kur dëgjon shpjegimet e ciceroneve – njerëzve vullnetarë që e kryejnë punën me devotshmëri për hir të presidentit. Ajo ndërtesë simbolizon urën e ndërtuar për shekullin e ri, për shekullin 21, që Bill Klinton arriti të ndërtoj, të ndërlidhë, të bashkojë dy shekujt, me veprën e tij të madhe.
Ciceronët ishin shumë të sjellshëm. Kur u treguam se ishim shqiptarë ata treguan mirësjellje për ne.
Kati i parë është pajisur me dokumente dhe fotografi nga politika e brendshme dhe e jashtme gjatë administrimit të presidentit Klinton në Shtëpinë e Bardhë. Këtu zë vend të rëndësishëm Lufta e Kosovës. Në pavijonin e veçantë, aty ku ishte flamuri shqiptar paraqiten fotografi të formatit të madh të refugjatëve shqiptarë në Kosovë; karvanet e tyre në ikje nga shtëpitë; malësorët me plisa të bardhë me pamje të trishtuar; fëmijë të zhveshur; gra shqiptare duke vajtuar; paramiletarë barbarë serbë; 78 ditë rresht të bombardimeve të NATOS mbi Serbinë; mbledhjet në Shtëpinë e Bardhë nga qeveria amerikane; fjalimet e Klinton për popullin e Kosovës. Falë teknologjisë më moderne, vizitori ka mundësi, që në mënyrë individuale, duke shtypur butonin, të dëgjojë fjalimet më kryesore për vendimet e Klintonit per Luftën në Kosovë.
Duke i parë me kureshtje çdo imtësi që lidhej me fatin e popullit tim, seç mu kujtua titulli i njërit nga romanet e Sterjo Spases “Ata nuk ishin vetëm”. Vërtet, Kosova nuk ishte vetëm. SHBA dhe pikërisht, administrata e Bill Klinton një grusht njerëzish që vendosën dhe që ndihmuan për të ndryshuar historinë e popullit shqiptar të Kosovës. Duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha ato fjalime e kupton se historia merr kahje tjetër, aty nga u “përgatitë” liria për popullin e shumëvuajtur shqiptar të Kosovës.
Kati i parë vazhdon me tabllot nga Lufta në Bosnë dhe në Ballkan, për të vazhduar në Lindjen e Mesme, në Afrikë, etj. Vlen të përmendet se çdo gjë që është botuar për Klinton, apo qoftë edhe ndonjë letër që ka marrë nga njerëz të ndryshëm: nga shkrimtarë, nga artistë, nga sportistë…mundesh të gjesh nëpër stendat e bibliotekës.
Në katin e dytë vizitorët të shoqëruar nga ciceronet kanë fatin të shohin zyren e tij. OVAL OFFICE është zyra e parë nga ndonjë president amerikanë që vizitohet nga vizitorët e shtresave të ndryshëm. Eshtë zyra e “njejtë” që ka shërbyer Klinton për dy mandate në Shtëpinë e Bardhë. Vizitorët kanë mundësi të bëjne fotografi dhe të “inagurohen president të përkohshëm të SHBA”.
Kati i dytë, vazhdon me galleria të ndryshme. Udhëtimet e presidentit Klinton, pasionet e tij, sidomos në muzikë dhe sport; dhuratat e shumta dhe atraktive që ka marrë nga miq nga mbarë bota, etj.etj.
Vetëm vizitorët e pranishëm e mësojnë të vërtetën nga ciceronët se Biblioteka e Klintonit ka edhe katin e tretë ku gjendet zyra e tij e punës në ditët e sotme. Ai vjen çdo muaj për të kaluar fundjavën në shtetin e tij të lindjes, dhe njëkohësisht, për t’u takuar me simpatizantët e tij të shumtë që e presin në bibliotekë. Ai paraqitet para publikut duke iu përgjigjur pyetjeve të kureshtarëve dhe duke u falur autografe. Autori i këtyre rreshtave e huqi takimin me presidentin Klinton vetëm për një javë.
Kati i tretë është privat dhe ruhet nga sigurimi shtetëror. Ka dalje private gjithashtu.Dhe është një gjë e mrekullueshme sepse nga kati i tretë- siç shpjegojnë ciceronët- shihet si në pëllëmbë kryeqyteti i bukur Little Rock.
Në dalje të bibliotekës është i hapur duqani ku mundesh të blesh suvenire me motiv të presidentit Klinton. Aty është edhe një kënd “kontakti” me presidentin Klinton. Ke të drejt të kërkosh adresat elektronike dhe fizike të presidentit. Mundesh të falesh çfarëdo dhurate për të.
Parku dhe Qendra Presidenciale William Klinton ku përfshihet Biblioteka presidenciale dhe Zyrat e Fondacionit Klinton si dhe qendra Servisi i Shkollës Publike Klinton, është themeluar prej Bill Klinton, presidenti i 42 i Shteteve të Bashkuara. Ky kompleks është ndërtuar në kryeqytetin e shtetit Arkansa në Little Rock, e dizajnuar me moton “ta ndërtojmë urën për shekullin 21”.
Arkivi dhe Biblioteka e Klintonit, për nga volumi është e dyta në vend, që vjen pas Bibliotekës së Roland Regan. Biblioteka posedon 2 milion fotografi, 80 milion faqe dokumentesh, 21 milion mesazhe dhe përafërsisht 80.000 produkte (sende, dhurata).
Qendra presidenciale është inaguruar me 18 nëntor 2004 dhe ka kushtuar 165 milion dollarë duke përfshirë 150.000 squere feet (14.000 m/katror) dhe 28 acre (113.000 m/katror) parku.
Presidenti Franklin D.Roosvelt është i pari president amerikan që grumbulloi ndihma dhe ndërtoi bibliotekën e parë presidenciale. Nga viti 1955, është futur në legjislatur me kushtetutë amerikane, ku secili president amerikan, ka të drejtë, pas mbarimit të mandatit, të zgjedh vendin dhe të sistemojë aktivitetin personal dhe atë presidencial. Kjo konsiderohet si një trashëgimi e pasur historike-politko-shoqërore për shoqërinë amerikane.
Shënime biografike

William Jefferson “Bill” Clinton ( i lindur me 19 gusht 1946, me emrin William Jefferson Blythe III, në qytezën Hope, në shtetin Arkansa. Babai i kishte vdekur tre muaj para lindjes së tij në një aksident makine. Si gjimnazist e adoptoi mbiemrin nga njerku i tij, Roger Clinton (Roxher Klinton), me të cilin nëna e tij, Virginia Dell Cassidy (1923-1994) u martua në vitin 1950. Billi i ri më vonë kishte kontradita me njerkun e tij alkoolist.
Në qytetin Hot Spring, ku u shpërngul nëna e tij, Bill e vazhdoi shkollën fillore. Si gjimnazist u dallua për nota të mira. Ishte gjithmonë në krye të klases dhe tregonte passion dhe suksese në muzikë. Ai ishte i aktivizuar në korin muzikor të shkolles duke i rënë me sukses saksofonit.
Viti 1963 është një vit që la mbresa të mëdhaja, ndofta vendimtare, për të ardhmen e tij për t’u bërë personalitet politik. E para, ishte vizita e tij në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin John F.Kennedy, i ngarkuar si i deleguari i shkolles. E dyta, duke dëgjuar fjalimin historik “I have a dream” (Unë kam një ëndërr) nga Martin Luther King.
Klinton si gjimnazist u dallua si student shembullor duke marrë pjesë në shumë aktivitete shkollore dhe kulturore.Kjo e ndihmoi që të fitonte bursën për të studiuar, ku u diplomua në vitin 1968 nga Universiteti Georgetown në Washington D.C.në shkencat politike. I sapodiplomuari fitoi edhe një bursë nga qeveria në Universitetin e famshëm në Oksford. Perveç angazhimit që tregonte në sporte të ndryshme, ai u aktivizua edhe në skenën politike. Ishte ndër organizatorët e protestave kundër Luftës në Vietnam.
Pas Oksfordit Klinton studioi edhe në Fakultetin Juridik në Universitetin Yale ku fitoi titullin Doktor shkence në vitin 1973. Në jetën e tij, qyteti i New Haven ku gjendet universiteti i njohur Yale, do të shënoj një nga ngjarjet me te rendesishme ne jetën e tij.. Këtu takoi studenteshën e juridikut, Hillary Rodhom, e cila ishte një vit para tij në të njëjtën degë. Ata u martuan në vitin 1975. Pesë vite më vonë u lindi vajza e tyre e vetme, Chelse.
Hillary Diane Rodham është lindur me 26 tetor 1947 në Park Ridge, Chicago, Illinois. Pasi u diplomua në Wellesley College në vitin 1969, vazhdoi studimet në fakultetin juridik në Universitetin e Yales. Pas martesës, në vitin 1975, u shperngul në Arkansa ku punoi si profesoreshë në fakultetin juridik në Universitetin e Arkansa. Nga ky vit, Hillary iu gjend perkrahë Billit duke e ndjekur në çdo hap të karrieres së tij të bujshme politike.
Edhe Bill Klinton, pas diplomimit nga Yale u kthye në Universitetin e Arkansa. Një vit me vonë, pikerisht në vitin 1974, ai konkurroi për House of Representativ (Dhoma e Përfaqësuesve për Shtëpinë e Bardhë). Por humbi me një përqindje shumë të vogël 48% me 52%. Në vitin 1976, Klinton u zgjodh Prokuror i pergjithshem për shtetin Arkansa.
Në vitin 1978, Bill Klinton u zgjodh Governator i shtetit Arkansa. Në historinë amerikane eshte governatori më i ri amerikan. Ishte vetëm 32 vjeç. Dy vjet më vonë, ai i humbi zgjedhjet nga kundërshtari i tij republikan, por në vitin 1982 i fitoi zgjedhjet për të qëndruar në postin e Governatorit për 10 vjetë tjera të tëra. Gjatë këtyre viteve ekonomia e shtetit Arkansa filloi të lulëzoj, që njihet si shteti më i varfur ne Shtetet e Bashkuara pas shtetit Misisipi.Figura e tij u pëlqye. Amerikanët e shihnin si një president të ardhshem amerikan.
Bill Klinton është presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara, 1993-2001.Pas Theodore Roosvelt dhe John F. Kennedy Klinton është presidenti më i ri në historikun e presidentëve amerikanë.
Në garën për president të SHBA në vitin 1992 ai sfidon presidentin republikan George Bush dhe kandidatin e pavarur, milionierin Ross Perot. Kur presidenti Klinton e fitoi edhe mandatin e dyte si president ne vitin 1996, ai eshte demokrati i pare që e fitoi edhe mandatin e dytë, që nga koha e presidentit Franklin Roosvelt.

Memoriet dhe fjalimet e presidentit

Presidenti Klinton pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë shkroi librin me të kaluarën e tij të bujshme, memorjet e të cilit u shitën për 8 milion dollarë. Për fat të mirë, libri u përkthye edhe në shqip dhe lexohet me kureshtje.
Edhe njërezit e mëdhenj nganjëherë pushtohen nga pasionet. I tillë ishte presidenti Klinton. Nga një skandal seksual që pati në Shtëpinë e Bardhë, e humbi kredibilitetin e presidentit “ideal” për shumë amerikanë. Ishte disfata më e madhe në jetën e tij. Por, ai nuk u gjunjëzua. Në ditët e sotme ai mban fjalime anembanë botës. Disa nga fjalimet e tij paguhen me deri 150 mijë dollarë secili. Ai flet jo vetëm në Amerikë por edhe në kontinente të tjera.Një fjalim i vetëm në Itali, i dha atij 350 mijë dollarë ndërsa me 9 fjalime në Japoni ai grumbulloi mëse 1 milion e 600 mijë dollarë.

FotjonArt, 25 Maj 2007

Leave a Reply